Zgjerohet axhenda diplomatike e Gimit të Puros

2 Korrik 2011, 19:51Antena TEMA
Zgjerohet axhenda diplomatike e Gimit të Puros

Gimi i Puros po avancon. Në axhendën e tij për president ka caktuar që duhet të ketë 23 dalje publike në TV News për çështje rajonale, 12 për çështje evropiane dhe 15 për çështje amerikane dhe botërore. Pra, gjithsej 50 brenda vitit, që i bie afërsisht një herë në javë. Po ashtu ka llogaritur dhe disa aktivitete publike politike si dhe disa intervista në medien e shkruar.

Këto dy ditë pati sukses, pasi bëri dy dalje publike, që i mjaftojnë për dy javë. Tek News i Baboos foli për rajonin, kurse tek News-i Sandrit për Amerikën dhe Shqipërinë. Tek kjo e fundit kishte shkëlqyer dhe ne vendosëm ta riprodhojmë për rubrikën tonë me shpresë se Gimit të Puros do t’i quhet dhe intervistë për medien e shkruar. Para se të fillonte intervistën, Gimi i Puros kaloi nga zyra e Sandrit ta përshëndeste.

-He Gimo, të ka thirr Soni ë?

-Ah, i madh je Sandro, i madh. Ja do shkoj të flas pak. Është kjo puna e Bejkerit. Ti e di që e bëra unë atë apo jo? Nuk di a ta thanë. Ja thashë dhe Kaçit dje. Është tërbu Rama. E shkatërrova fare. S’di a ta thanë, d.m.th s’di a ja kanë thënë dhe Doktorit, megjithëse më thanë që e dinte. Fola me një mikun tim në që rri në Teksas, ka një piceri të mirë ai aty dhe shkon ha gjithmonë darkë, një bodigard i Bushit, që e njeh Bejkerin. I thashë ma jep pak në telefon, ma dha ai miku im. I thashë picën e ke të paguar nga unë, merr dhe ç’të duash, Coca- Cola po deshe, dhe i thuaj Bejkerit t’i fusë një dajak këtij plehrës sonë këtu se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit Zgjedhor. E ke të mbaruar, tha, je ‘good gay’…

-E Gimo, figurë je. Ka gjetë këtë k… ky Bejkeri, se t’ia bënte Doktorit atë, i thoshte eja ma rruj. Po i fortë je, i fortë, i pamposhtur.

-I madh je, i madh, i tha Gimi. Ke një ta ndezim para emisionit?

-Gimo figura, ik se këtu e kam pakon. Po dole mirë, do të jap një se m’i ka sjellë Zamiri, janë origjinale.

-I madh je, ika. Do ta bëj mut. Më shiko pak. I kam thënë dhe Kaçit dhe Benit të shikojnë. Presidenti më tha qenka orar i keq se do shëtis qenin.

-Cili president mo k…?

-Po ai mo burrë që kemi pasë ne president…

-Aha ai k…, varja. Mirë është me qenin ai.

Gimi hyri në studio i qeshur. Soni i rrinte përballë me duar e hapura mbi banak dhe vështrimin e qeshur nga kamera. Gimit i iku shpejt e kuqja e emocioneve pasi hyri direkt në temë.

-Kam një pyetje, i tha Soni. Si shpjegohet që një personalitet kaq i lartë, një figurë nga më të mëdhatë e botës, një njeri që ne shqiptarët, ti, unë gjithë ne, e kemi pritur me lot në sy në vitin 1991, një figurë poliedrike me përmasa planetare, një gjeni që ka udhëhequr Amerikën në luftën e parë të Gjirit dhe ka triumfuar, një njeri që edhe në pension ka udhëhequr me sukses betejën ligjore për zgjedhjet në Florida që ne të gjithë, unë dhe ti e kemi ndjekur me emocion dhe lot në sy, si shpjegohet që ky njeri u angazhua së fundmi në ndihmë të kandidatit tonë, tuajit dhe timit, si qytetarë flas, pra për kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulëzim Basha.

Pas kësaj Soni i mblodhi pak duart, bëri sikur i hodhi nj sy letrave përpara dhe vazhdonte shikonte me një buzëqeshje të kënaqur përpara.

-Tani ashtu siç e thatë dhe ju zonjë, Unë dhe Ju, dhe gjithë shqiptarët u gëzuan kur ky erdhi në vitin 1991 në Shqipëri dhe solli mesazhin e lirisë amerikane. Nuk di sa e mbani mend ju, por unë që atëherë për arsye familjare isha shumë i lidhur me Partinë e Punës, u distancova nga familja ime dhe nga gjithë partia ku bëja pjesë, të cilët u mërzitën shumë nga vizita e Bejkerit në Tiranë. Të them të drejtën, vetëm disa individë nga e majta jemi gëzuar, por nuk i kemi treguar njeriu. Kishte pastaj dhe njerëz që nuk përfaqësonin realisht të majtën si Edi Rama, që e përshëndeste vizitën e tij në Tiranë, por e bënte për show. Nuk ishte i gëzuar vërtet. Ne që gëzoheshim vërtet nuk flisnim se kishim etikën tonë. Tani ashtu siç thatë dhe ju zonjë e nderuar, Unë, por dhe Ju dhe gjithë shqiptarët i kanë ndjekur zgjedhjet e vitit 2000 në Florida dhe betejën e shkëlqyer të Bejkerit kundër Al Gorit. Unë të them të drejtën nuk gëzohesha dot se isha në administratë dhe ne ishim me Al Gorin, por në të vërtetë brenda vetes e admiroja dhe thosha një ditë do më piqte rrugët me këtë njeri. Dhe ja ku e solli rasti. Ai nuk mund të mos ishte edhe kësaj radhe në krahun tonë. Nuk dua të ekzagjeroj me kontributin tim, por unë kam dhënë ndihmesën time që ai të shprehej në këtë pikë dhe jam i kënaqur që ka ndjekur këshillat e mia dhe ka folur aq bukur për këtë çështje.

-Më konkretisht zotëri, si shpjegohet që një emër kaq i madh, një fuqi e tillë e diplomacisë botërore merret me një çështje kaq specifike, apo kjo ka të bëjë me performancën e kandidatit të Aleancës për Qytetarin, i cili në të vërtetë është një nga figurat më të njohura të vendit tonë në Uashington dhe më gjerë, pasi emri i tij ka qenë sfidant në shumë çështje që kanë pasë të bënin me ligjin dhe politikën në Shqipëri këto 5 vitet e fundit.

-Është padyshim në lojë dhe performanca e lartë e zotit Ministër, të cilin unë e çmoj posaçërisht, por nga ana tjetër miqtë e mi në Uashington kishin kohë që më kishin njoftuar se sipas sugjerimeve të mija, kompania e lobingut e zotit kryeministër duhet t’i merrte një prononcim të fortë një figure të tillë të madhe dhe ai e kishte pranuar me kënaqësi. Unë i bëra dje dhe një letër dore, pasi ai i çmon shumë suveniret nga Shqipëria dhe ja nisa sot në mëngjes në Rinas qysh në orën 4 me avionin Tiranë- Vjenë- Nju Jork, pasi ishte një shqiptar që ikte sot dhe ai do ta postojë direkt nga brenda SHBA që t’ia bëjë si surprizë, pasi më kishte humbur kartëvizita personale që më ka dhënë. Sidoqoftë unë e kam thënë dhe e them se figura të tilla të mëdha, nuk mund të rrinë kurrë pa folur për çështje të tilla të mëdha siç është largimi nga politika i njerëzve që nuk vlerësojnë kontributet reale të individëve në partitë e tyre dhe përpiqen t’i injorojnë ato …

-Faleminderit zotëri për këto komente konkrete, të qarta dhe shumë sqaruese, tha Soni duke u përpjekur të kontrollojë buzëqeshjen, e cila shpesh i ngec nga humbja e kontrollit mbi buzët. Gimi buzëqeshi, pa nga kamera, bëri sikur po merrte një letër dhe u ngrit.

Kur doli tek dera, roja i thirri.

-Eja se ke një porosi, i tha. Merre këtë, ma dha Sandri dhe më tha, një puro koti meriton se ja fute pordhës.

-Hahaha, i madh Sandri, tha Gimja. Është puro shumë e mirë, por është tallur, i tha rojes dhe e futi me vrap në xhep.

6 komente në “Zgjerohet axhenda diplomatike e Gimit të Puros”

  1. XHEP-MEDANI says:

    Gimja doli shend e vere se tani ishte bere i njohur per Shqiptaret edhe me figure, jo vetem nga antena. Ishte i lumtur se ylli i tij po ngrihej lart. mendonte per presidentet e meparshem te Shqiperise dhe krahasoi vehten me ta. E filloi nga i pari, por nuk e dinte kush ishte ky person. Ka qene ndonje vulehumbur tha-se as emrin nuk ja mbajme mend. Hiqi vize. Ju kujtua Omer Nishani – nuk e njihte mire as kete, ka qene kot tha -hiqi vize. Shkoi me tej, Haxhiu, tha nga Dibra, dy fjale thoshte ne nje vit – puro nuk pinte, anglisht nuk dinte, hiqi vize. Nuk del para meje. Ramiz Alia, pak vite ka qene president ky – edhe ky nuk dinte anglisht, nuk kishte shkolle, nuk pinte puro, hiqi vize. Radha erdhi tek Saliu – kete tha me vehte e shemba ne 96, e bera m…Le qe eshte injorant, anglisht nuk di, me femrat nuk di me u sjelle, gjithe jeten me nje grua e ka shkuar, as me hece nuk di, as me fol nuk di, asht traqp, edhe ketij hiqi vize. Rexhepin e kam timin, jemi klan aty tek KAPOT, burri i Lidres, ose sic i thone i kucedres, ky as foli e as shkroi ndonje gje – fizikan koti qe shkruan per krizen ekonomike dhe ja fut si kau peles. Moisiu, ushtarak bre burre, Anglisht din keq, me femrat mire, me purot keq, me veren e rakine mire, por me mua nuk krahasohet. Vize. Topi- po ky eshte top topi, e coi mandatin e presidentit kot, eshte Tirons katunar safi, me femra mir, po une jam ndare tre here, ai vetem nje gjysem here. ja hudh edhe ketij. me takon, me takon president. Gimi i Gaqkes se Tanes president – uraaaaaaaaaaaaaaaaaa

  2. Vlora says:

    bravo antena…..

  3. +10 says:

    Antena, mos ju ndaj ketyre monstrave.

  4. Lir Koka says:

    Gimi ka fillu ti bjer bythes thone.

  5. Dino says:

    Bravo Xhep-Medani!!Nje plotesim perfekt i figures se Puro Gimit dhe “Antenes”Reality show..He c’gallate!

  6. Spartan says:

    kush eshte gimi?mfalni per injorancen ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje