Albin Kurti: Të ndërpriten përfundimisht bisedimet

26 Gusht 2011, 11:45Rajoni TEMA

Bisedimet pa kushte me Serbinë janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilat fiton Serbia, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në vend të kësaj, sipas Kurtit, duhet që Qeveria e Kosovës t’i aktivizojë të gjitha resurset, instrumentet, mekanizmat shtetërorë, që ta shtrijë sovranitetin, integritetin e kufijve dhe integritetin territorial në veri të Kosovës.

“Besoj që për këtë mund të na ndihmojnë edhe shtetet që na kanë njohur, para së gjithash Shqipëria, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet që na kanë njohur nga Bashkimi Evropian dhe kështu me radhë”.

Për këtë arsye, thekson lideri i Vetëvendosjes, do të duhej të kombinohen metodat, në njërën anë ato të shtetit të Kosovës, në kuptimin e policisë, gjyqësisë, të Doganave të Republikës së Kosovës, mbi të gjitha të njësive speciale dhe të FSK-së, dhe në anën tjetër, nëpërmjet metodave socio-ekonomike, të cilat do të shpalosnin edhe një program zhvillimor për veriun nga Qeveria në Prishtinë.

“Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se i kemi rreth 4 mijë shqiptarë atje që janë shumë të rrezikuar dhe jetojnë në ankth. Pozita e tyre do të duhej të forcohej nëpërmjet lehtësimeve dhe përparësive në shëndetësi, në arsim, në punësim dhe po ashtu edhe nëpërmjet rivitalizimit të kompleksit ‘Trepça’”, tha ai.

Kurti vlerësoi se një aspekt tjetër se ku duhet të angazhohemi në veri është vendosja e nënstacioneve policore të Policisë së Kosovës në lagjet dhe fshatrat të banuara me shqiptarë në veri dhe po ashtu do të duhej që të ndërpritet financimi i strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë, e njëkohësisht të bëhet edhe arrestimi i krerëve të tyre.

“Jo vetëm për shkak se ata janë kriminelë, por për shkak se janë struktura ilegale dhe armiqësore, të financuara dhe të mbështetura nga Serbia, e cila ka pretendime territoriale ndaj Kosovës”, tha ai.

I pyetur për bisedimet që pritet të nisin me dy shtator në Bruksel, dhe thirrjen e disa ndërkombëtarëve që çështja e veriut të Kosovës duhet të diskutohet në këto bisedime në mes të Prishtinës dhe Beogradit – Kurti vlerëson se, duke i bërë çështjet e brendshme të Kosovës tema të negociatave me Serbinë, rezultati do të jetë afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian dhe afrimi i veriut të Kosovës me Serbinë.

“Këto bisedime menjëherë duhet të ndërpriten dhe duhet që Kosova t’i kthehet vetes si shtet, si shoqëri, në mënyrë që të bëhemi ashtu siç jemi shpallur – pra, të pavarur dhe sovran”.

2 komente në “Albin Kurti: Të ndërpriten përfundimisht bisedimet”

  1. preng sherri says:

    nuk duhet te kete bisedime as me serbi as me greqi.Po te ishim komb as ambasadat nuk duhet te jua lejojme!

  2. D_malesia says:

    TI KURTI JE KUNDER TE GHITHEVE EDHE KUNDER AMERIKES , KJO TE BEN SI MILLOSHEVICI QE NUK I PELQENTE KURRKUSH VETEM VETJA , TI JE RADIKAL NUK I DUHESH GJE KOSOVES DHE AS KERKUJT , JE BAJGE ,,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje