Bogdani-Çezena, divorci më pranë!

21 Nëntor 2011, 13:04Sport TEMA

Erjon Bogdani dhe Çezena janë përherë e më larg. Vetë lojtari e la të nënkuptonte gjatë grumbullimit të ekipit kombëtar për ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit (kundër Maqedonisë, Bogu nuk ishte i pranishëm), por tani e thonë hapur edhe mediat italiane. Erjon Bogdani do të largohet gjatë merkatos së janarit në një destinacion të ri. Çezena e ka pikasur zevëndësuesin e tij, që sipas gjasave do të jetë gjigandi I Lacios, Kozak. “Për klubin Bogdani e Eder nuk japin garanci si partnerë të Mutusë në sulm. Për këtë arsye, gjatë merkatos së janarit do të vijë Kozak”, shkruanin dje media lokale romane. Për nga karakteristikat, Kozak është një futbollist I ngjashëm me sulmuesin e Shqipërisë, gjë që do të thoshte se nuk do të ketë vend për të në klub. Vetë Bogdani, deklaroi gjatë qëndrimit me ekipin kombëtar në fillim të këtij muaji se do të kishte një bisedë sqaruese me drejtuesit e klubit dhe më pas do të kërkonte një destinacion të ri. “Po, mundësitë që të largohem në janar janë reale. Do të kërkoj bisedoj me drejtuesit e klubit dhe të kuptoj se cila është strategjia. Nëse nuk do të kem hapësirë, sigurisht që do të kërkoj një destinacion të ri”, ka thënë Bogdani.

Sulmuesi I kombëtares nuk ka luajtur aq sa ka shpresuar dhe aq sa ka merituar, pas një sezoni të shkëlqyer vjet, ku ishte deçiziv për mbijetesën të pashpresuar në Serinë A. Sivjet që Çezena ka investuar shumë para, gjërat kanë shkuar më keq në renditje për klubin por edhe për Bogdanin, që pikërisht për shkak se kanë mbërritur lojtarë të shtrenjtë nga merkato, nuk ka pasur hapësira. Sot, Bogdani do të marrë edhe një tjetër sinjal për largimin. Trajneri i ri, Arrigoni, sipas mediave italiane do preferojë sulmuesin e ri Malonga si partner të Mutusë.

Nëse do të largohet, Bogdani do të synojë që të mbetet në Serinë A. klube si Leçe dhe Novara që kanë qenë të interesuara për të në verë janë në krizë sa I përket sulmit dhe shqiptari mund të jetë sërish një synim për ta. Në Serinë B, mëtuesit janë të shumtë të numër me Padovën (një klub që synon ngjitjen në A) ende në kërkim të shërbimeve të Bogdanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje