Poli i tretë!

19 Dhjetor 2011, 20:28Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Me shumë gjasa, reforma elektorale nuk do të cenojë statukuonë e partive të “mëdha”. Ato përsëri do të mbeten të tilla sa kohë stimulohet vota taktike dhe nuk realizohet korrektimi kombëtar. Pasi të flirtojnë me njëra-tjetrën si rëndom më parë deri me Kushtetutën, PS dhe PD thjesht do të tentojnë të fitojnë kohë përmes kulisave tunduese dhe përçarëse ndaj aleatëve më të vegjël deri sa të bekohen nga OSBE dhe ta bëjnë fakt të kryer alibinë e radhës. Topi ka mbetur në fushën e partive të vogla, kurajo politike e të cilave është sërish në provë.

 

Telenovela e stërparë

Pas 20 vjet bashkëautorësi në tranzicionin rraskapitës, lidershipet e partive të mëdha druhen seriozisht ndaj verdiktit të votës korrekte. Ndaj janë kapur me “thonj” pas “alkimisë” elektorale të sistemit aktual si e vetmja mënyrë që në mos fitues, të jenë opozitë e ndjeshme dhe kurrsesi parti të treta. Nga ky pozicion i ngurtë i tyre ndaj formulës zgjedhore, me shumë gjasa nuk do të garantohet as qeveria e fortë (palët do jenë aty- aty), as përfaqësimi (sërish bipolar), as përgjegjshmëria politike (me listat e mbyllura ambicia për deputet përkthehet në besnikëri ndaj liderit sesa elektoratit) duke kompromentuar direkt demokracinë funksionale.

 

Dekor apo kolonë elektorale?

Në zgjedhjet e 2009, nën presionin e votës taktike dhe moskorrektimit kombëtar, ndërsa vota popullore për partitë e mëdha (PD dhe PS) kundrejt partive të tjera ishte 4/1, ajo u konvertua falë sistemit aktual zgjedhor në një raport absurd 20/1 mandatesh në parlament duke cenuar rëndë të drejtën e elektoratit për përfaqësim. Rrjedhimisht, një aleancë elektorale hipotetike mes partive të treta (gjë që shkon përgjatë emancipimit të shumëpritur demokratik të afirmimit të një poli të tretë), do të përbënte një faktor imponues politik që nuk ka aspak nevojë për “thërrime” elektorale që i shndërron në “erëza” apo dekor të parlamentit të radhës.

Ajo ç’ka ndodhi në të shkuarën dhe po përvijohet sërish sot me sjelljen e partive të mëdha ndaj reformës elektorale, duhet të shtyjë pa ekuivok partitë e treta të konsiderojnë seriozisht alternativën e unifikimit. Qoftë veçmas në krahun e djathtë apo të majtë ose, pse jo, “përtej të majtës dhe të djathtës” teksa një qeverisje e mirë duhet të gërshetojë njëkohësisht politika të majta dhe të djathta me dy gjysmat që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën por i japin së bashku kuptim të tërës. Në këtë kontekst, iniciativa më e fundit e PSD dhe partive të tjera të majta për krijimin e një konfederate është tepër intriguese. Ajo meriton të konsiderohet, pavarësisht reagimit në finale të më të mëdhenjve ndaj amendimit të sistemit aktual (minimalisht referuar korrektimit kombëtar) sepse një konfederatë duhet të ngrihet në emër të moralit dhe jo shantazhit politik.

 

Pësimi bëhet mësim

Përpjekja e partive të vogla për të thyer binomin politik që provokoi tranzicionin më sfilitës në Europën postkomuniste, përtej interesit partiak dhe karrierës politike të emrave të përveçëm mes tyre (ndërkohë që adhurohen deri në patetizëm liderat e partive të mëdha, kritikohen për karrierizëm drejtuesit e partive të vogla), është në frymën e garantimit të një sistemi votimi më demokratik dhe si e tillë duhet mirëkuptuar dhe inkurajuar nga të gjithë ata që aspirojnë progres demokratik. Respektimi i të drejtës së votuesit për shans dhe përfaqësueshmëri përmes projektit të lancimit të një poli të tretë në mungesë të vullnetit parimor të të mëdhenjve për “hapje” të lojës elektorale, është indirekt dhe presioni i duhur etik dhe demokratik ndaj tyre për reformim real të këtij sistemi. Përtej një vullneti, kjo është mision për partitë e treta.

Ndonëse me gjasa i pamundur, nëse gjendet mirëkuptimi parimor me të mëdhenjtë, qoftë përmes amendimt të sistemit aktual apo adoptimit të një sistemi të ri (asgjë nuk duhet të jetë tabu në interes të votës) siç mund të jetë “Single Transferable Voting” apo “vota e transferueshme” (rasti i Republikës së Irlandës), ajo ç’ka duhet të synohet është përfaqësimi më korrekt, mazhoranca gjithnjë e më efektive dhe llogari-dhënie reale ndaj elektoratit. Teknikalitetet duhet të përfshijnë si transparencën e hedhjes dhe administrimit të votës, dekurajimin e votimit “taktik” (duke mundësuar votimin për më shumë se një opsion), përfshirjen e korrektimit kombëtar, promovimin e meritokracisë përmes listave të hapura, mosdiskriminim pozitiv si rastin e grave, promovim të kandidatëve individualë, balancë mediatike dhe financiare etj.

 

Aleanca të barabartësh

Koha nuk është luks për partitë e treta dhe iluzioni i pritjes pafund në “paradhomën” e më të mëdhenjve, është veçse agoni politike që i çon në mos në harresë politike, në marzhinalizim parlamentar të pamerituar. Është koha për të dalë nga “sqetulla” e të mëdhenjve dhe për t’i dhënë jo vetëm me tepër dinjitet vetvetes por dhe përmbushur pritshmëritë e elektoratit. Pa asnjë kompleks, ato duhet t’ia bëjnë “bam” dhe njëherë e mirë të zgjedhin trajektoren e tyre duke projektuar edhe qeverinë-hije si alternativë apo partnere dhe jo shtojcë e të tjerëve. Në respekt të vetvetes, parimeve të demokracisë dhe vetë kauzës së votës, sfida e tyre është mbushja e “vakuumit” në rritje politik përmes krijimit të polit të shumëpritur të tretë i hapur ndaj koalicioneve mes partnerëve të barabartë. Nuk kanë çfarë të rrezikojnë sepse deri më sot u është privuar gjithçka, por kanë shansin të fitojnë gjithçka dhe të perceptohen si të “mëdhenj” duke performuar si të tillë.

 

 

2 komente në “Poli i tretë!”

  1. Vlora says:

    nuk besoj se mund te funksjonoje nje pol i trete po te kemi parasysh te gjith lideret e ketyre partive te cilet kan qene te rreshtuar majtas apo djathtas…………
    ata te gjithe duan qe te jene lider te atij grupimi gje qe smund te ndodhe….
    keshtu qe PS e PD se gjen gje per 100 vjet nga keto grupime…….

  2. populli says:

    Nuk behet stan me lepuj. populli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje