Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe është në qendër të kritikave pas incidentit, kur shkeli dorën e sulmuesit të Barcelonës, Lionel Messi, në duelin e skuadrave të mërkurën në Copa del Rey.
Por, karriera e portugezit të lindur në Brazil sjell edhe tjera raste të “dhunshme” dhe statistika negative disiplinore. Për kuriozitet, ato kanë ndodhur vetëm pasi është transferuar në Santiago Bernabeu.
“Idiot!” Kështu e quajti Rooney nëpërmjet Twitterit. Kurse në mediet spanjolle u përshkrua “i turpshëm” dhe “brutal”.
Ky është mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, i rikthyer në qendër të vëmendjes – për arsye të padëshiruara – pas shkeljes në dorën e yllit të Barcelonës, Lionel Messi, derisa ky i fundit ishte i shtrirë në tokë gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të Copa del Rey të mërkurën mbrëma.
Por, nëse analizoni karrierën e portugezit të lindur në Brazil, ai ka përplot gjeste të pahijshme të bëra në fushën e lojës. Ky i fundit ishte i dyfishtë. Së paku simuloi kinse kishte marrë një goditje nga mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas (megjithatë kaloi një minutë i shtrirë në tokë).
Por, veprimi më i rëndë erdhi në minutën e 68-të, kur shkeli dorën e Messit, i cili ishte i shtrirë në tokë në lojë të ndalur. Kujtojmë, Pepe kishte një karton të verdhë. Kësaj radhe nuk u përjashtua nga loja. Por, kartonët e kuq nuk i kanë munguar në të kaluarën. Ai është përjashtuar gjashtë herë në 135 paraqitje për gjigantin madrilen. Nga një karton i kuq për çdo 22 ndeshje.
Statistika jo të dëshiruara për një futbollist, i cili ka kushtuar 30 milionë euro. Por, skuqjet i janë bërë të zakonshme kryesisht ndaj Barcelonës, pasi përballë tyre e përfundoi ndeshjen para kohe në tri raste: Ligën e Kampionëve, La Liga dhe Superkupën e Spanjës. Statistika të ndryshme nga koha që kaloi te Porto, ku në 85 takime vetëm një herë ishte përjashtuar nga loja.
Në kombëtare, në 37 ndeshje, vetëm gjashtë kartonë të verdhë. Në praktikë, një engjëll. A është faji te presioni që i sjell fanella e Realit? Ndoshta. Por, problemi nuk qëndron vetëm te përjashtimet. Për një mbrojtës ato janë të natyrshme, nëse ai has në vështirësi kundër një rivali. Por, është vështirë të shpjegohet ajo që kishte ndodhur më 21 prill 2009. Ndoshta ju kujtohet.
Ishte ndeshja kundër Getafes. Pepe shkakton një ndërhyrje për penallti ndaj mesfushorit Francisco Javier Casquero dhe nuk është i kënaqur me kaq, derisa kundërshtari ishte në tokë. Ai e shqelmon disa herë. Më pas grindet me të gjithë dhe nevojitet ndërhyrja e portierit të Realit, Iker Casillas, për t′i shpëtuar më së keqes.
Por, veprimi i tij nuk shkoi lehtë pa u dënuar nga Komisioni Disiplinor që e suspendoi atë për 10 ndeshje. Motivi ishte ky: “një ndeshje për ndërhyrjen e palejuar, katër për dhunën që ushtroi ndaj Casqueros, katër tjera për kacafytjen me mesfushorin Albin dhe një për fyerje ndaj gjyqtarit. Nuk ishte i provokuar dhe nuk ka treguar shenja të pendimit të menjëhershëm. Për më tepër ishte shtatë herë i zverdhur gjatë këtij sezoni”.
Por, ka edhe të tjera. Përjashtimi i tij në përballjen e fundit mes Realit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve, pas ndërhyrjes ndaj Dani Alvesit, zgjoi debat të gjerë. E preku apo s′e preku ? Si do që të jetë, ndërhyrja ishte e ashpër dhe drejt në gjurin e brazilianit.
sali berisha largohu se je kriminel
ALDIRON WHAT A GAY NAME…