Vrasës shqiptarësh dhe vjedhës lopësh

11 Shkurt 2012, 19:46Blog TEMA

Kush është kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq? Disa detaje të reja mbi karrierën e tij të përgjakshme gjatë luftës së Kosovës tregojnë se politika e Beogradit ndaj Kosovës ka ndryshuar vetëm fasadën, por jo përmbajtjen. Kjo, me sa duket, nuk paraqet kurrfarë pengese për të ashtuquajturën bashkësi ndërkombëtare dhe për regjimin në Prishtinë. Dikoviqi, i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, së shpejti mund të vijë edhe në kryeqytetin e Kosovës për të takuar komandantin e KFOR-it

Nga Enver Robelli

Nëse sot në Kosovë, si shqiptar, kërkoni që në raport me Serbinë të mos lëshohet pe në disa çështje që prekin shtetësinë e Kosovës, menjëherë do t’ju shpallin nacionalist; nëse këmbëngulni që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta pa marrë parasysh përkatësinë etnike, menjëherë do t’ju shpallin nacionalist, sepse gjoja qenkeni kundër pakicës serbe, e cila – sipas kësaj logjike – merituaka të drejta ekstra; nëse mendoni se sa i përket rregullimit të brendshëm të Kosovës janë bërë aq shumë kompromise saqë çdo ndryshim, ta zëmë, i Planit të Ahtisaarit, e bën Kosovën një Bosnjë të dytë, pra shtet jofunksional, prapë menjëherë do t’ju shpallin nacionalist.

Me këso lehtësie njerëzit janë shpallur nacionalistë vetëm në kohën e Jugosllavisë komuniste, kur në Kosovë mbretëronte gjendje e jashtëzakonshme dhe kur shteti fliste me publikun përmes kërbaçit. Me gogolin e nacionalizimit janë duke manipuluar disa diplomatë të stacionuar në Prishtinë dhe jo pak eksponentë të regjimit kosovar. Kështu synohet të bllokohet çdo kritikë kundër një politike joparimore që po ndiqet nga burokratë të Bashkimit Evropian si Robert Cooper-i dhe po zbatohet nga puthadorët e tyre kosovarë, të cilët shantazhohen lehtë kur të merren parasysh biografitë e tyre të njollosura politike. Kur nuk ke argumente për t’u ballafaquar me kritikën, atëherë më së lehti është ta nxjerrësh nga cilindri gogolin e nacionalizimit. Derisa kërkesat hop-hop për bashkim me Shqipërinë, thirrjet mendjelehta për ndryshim kufijsh gjithsesi mund të quhen nacionalizëm folklorik që manifestohet nga disa qarqe në Kosovë, Shqipëri e në Maqedoninë shqiptare, kritikat që në Kosovë drejtohen kundër lëshimeve të mëtutjeshme ndaj Serbinë assesi nuk mund të diskualifikohen duke i quajtur nacionaliste, siç po veprohet nga ana e disa protektorëve të vetëshpallur të Kosovës, të cilët në këto vise sillen sikur të ishin gjuetarë në savanë. Eksponentë të regjimit, të zhytur në krime e korrupsion, janë tejet të zëshëm në njollosjen dhe denoncimin e rivalëve politikë, por ata njëkohësisht dhe çuditërisht rrinë të heshtur kur duhet mbrojtur interesat e vendit apo kur duhet demaskuar politikën e Serbisë ndaj Kosovës.

 

Suxhuku dhe kasapi

Janë dëgjuar javëve të fundit debate kulinarike për suxhukun, por asnjë eksponent i regjimit në Prishtinë nuk ka folur as edhe një fjalë të vetme kundër kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili në fillim të dhjetorit e emëroi në postin e kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë një gjeneral, i cili, sipas informatave të deritanishme publike, ka qenë i involvuar në krime të llahtarshme gjatë luftës në Kosovë. Këtë skandal e kaluan në heshtje diplomatë perëndimorë në Beograd dhe Prishtinë, të cilët prej vitesh nuk lëshojnë rast pa theksuar domosdoshmërinë e pajtimit mes popujve. Por si mund të arrihet pajtimi kur vetëm 13 vjet pas luftës Serbia e emëron shef të armatës Lubisha Dikoviqin, i cili si komandant i brigadës së 37-të të motorizuar dyshohet të ketë urdhëruar, lejuar, komanduar disa masakra kundër civilëve shqiptarë?

Vetë shqiptarët dhe pushtetet e tyre të pasluftës nuk janë kujdesur që të themelojnë një institucion të besueshëm, i cili do të merrej me dokumentimin e krimeve të Serbisë. Tek së voni janë bërë disa përpjekje për krijimin e institucioneve të tilla në Prishtinë, por ato ende më shumë janë klube pensionistësh sesa organizma dinamike shtetërore. Rrjedhimisht, nuk ishin autoritetet e Kosovës që alarmuan opinionin ndërkombëtar për emërimin skandaloz të Dikoviqit. Ishte Natasha Kandiqi dhe Fondi i saj për të Drejtën Humanitare që prezantuan “Dosjen Lubisha Dikoviq”, ku janë listuar shumë krime të ushtarit të parë serb. Pushtetarët e Beogradit, mediet proqeveritare, qarqet nacionaliste – të gjithë u ngutën ta marrin në mbrojtje Dikoviqin dhe ta quajnë dosjen e Kandiqit si tendencioze. Kandiq prej vitesh i është nënshtruar dhunës verbale nacionaliste në Serbi. Mosmirënjohës ndaj punës së saj në dokumentimin e krimeve janë treguar edhe shqiptarët e Kosovës. Të gjithëve na kujtohet episodi i palavdishëm nga Ferizaj, ku politikanët lokalë nuk patën kurajën ta shpallnin zonjën Kandiq qytetare nderi. Tre kryetarë të Kosovës së pasluftës – Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga – po ashtu nuk i dhanë një dekoratë sado simbolike kësaj gruaje të guximshme. A ka ironi më të madhe që kontrabandisti Zvonko Veselinoviq të marrë rrogë nga buxheti i Kosovës, ndërsa Natasha Kandiqit të mos i thuhet as faleminderit? Nëse në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë planifikohet të nderohen personalitete të huaja, autoritetet në Tiranë do të bënin mirë që zonjën Kandiq ta rendisnin ndër të parat.

 

Kriminelët dhe 300 lopët

Faktet që i ka numëruar Fondi për të Drejtën Humanitare ndërkohë i ka konfirmuar edhe Lakiç Gjoroviqi, ish-prokuror i Qarkut Ushtarak në Beograd dhe, më herët, në Prishtinë. Gjoroviqi i ka dhënë këto ditë një intervistë revistës “Dani” të Sarajevës, e cila për opinionin kosovar ka rëndësi të dorës së parë si dokument e dëshmi mbi luftën. Së pari Gjoroviqi rikujton se gjenerali Dikoviq ka qenë dëshmitar i Tribunalit të Hagës më 10 dhe 11 dhjetor 2007, ku ka pranuar krimet e brigadës së tij në Kosovë, pastaj ish-prokurori ushtarak njofton se në vitin 1998 kryeshefi i atëhershëm i Ushtrisë së Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Momçilo Perishiq, kishte nënshkruar planin “Grom 98”, i cili urdhëronte ushtrinë “të vendosë rendin dhe pastrojë territorin e Kosovës, sidomos zonën e Drenicës”. Për të realizuar këtë plan parashihej angazhimi i brigadës së 37-të të motorizuar, e cila komandohej nga Dikoviqi. Dy oficerë nën komandën e tij kishin angazhuar mes 150 deri 200 luftëtarë me përvojë lufte (lexo: përvojë në krime) në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë; ata ishin ushtruar në Rashkë. Në dëshminë e tij në Hagë, Dikoviqi kishte deklaruar se disa pjesëtarë të brigadës së tij kanë kryer krime, por ishte arsyetuar se ata kishin qenë “idiotë”. Ish-prokurori Gjoroviq pyet se si Dikoviqi ka lejuar që “grupet luftarake nën kontrollin e tij t’i komandojnë ‘idiotët dhe psikopatët’”? Gjoroviqi tregon se derisa kishte qenë prokuror në Prishtinë kishte trajtuar rastet e krimeve që këto grupe kishin kryer në Komunën e Istogut dhe atë të Klinës. Më tutje ai thotë: “Kemi rastin e dy grupeve të rezervistëve – kriminelë të lëshuar më parë nga burgjet, të armatosur dhe të sjellë për të luftuar dhe të integruar në brigadën e 37-të të motorizuar – të cilët ranë në konflikt rreth ndarjes së plaçkës prej 300 lopësh të vjedhura nga bujqit shqiptarë”.

Gjoroviqi e akuzon shefin e ri të ushtrisë së Serbisë edhe për përgjegjësi komanduese dhe individuale për masakrën e Izbicës. “Në Izbicë janë vrarë 103 civilë shqiptarë, kryesisht pleq. Së pari i ndanë në dy grupe. Jo më larg se 60 metra gjendeshin katër tanke të brigadës së Dikoviqit, me ushtarë. E dini se tanku nuk ecën vetë…”, thotë Gjoroviqi. Ai i referohet edhe dëshmisë së një ushtaraku tjetër serb, gjeneralit Obrad Stevanoviq, i cili për Tribunalin e Hagës kishte thënë se në ditën e masakrës së Izbicës në këtë fshat kishte qëndruar koloneli i policisë, Boshko Buha. Sipas Gjoroviqit, vrasjet në Izbicë ishin kryer nën komandën e Dikoviqit dhe Buhës. Në paragrafin 664 të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës për procesin kundër zyrtarëve politikë dhe ushtarakë serbë (Milutinoviq, Shainoviq, Pavkoviq, Ojdaniq, Lazareviq), mes tjerash, theksohet: “Dikoviqi pranoi se, me gjithë masat e ndërmarra prej tij, disa prej ushtarëve të tij kryen krime në gjysmën e parë të prillit (1999, v.j.). Evidenca e Korpusit të Prishtinës tregon se nga 10 deri më 15 prill disa persona nga njësia e Dikoviqit morën pjesë në vrasjen e meshkujve shqiptarë të Kosovës në rajonin e Klinës së Epërme dhe pastaj i hoqën qafe kufomat duke i hedhur në bunar. Evidenca po ashtu tregon se një person tjetër, vullnetar nga njësia e Dikoviqit, në fshatin Krasimirovac/Krasimirofc dhe rrethinën e tij, jo larg Qirezit, vrau disa meshkuj shqiptarë të Kosovës dhe nxori femrat nga kolonat e refugjatëve”.

 

Institucione të kriminalizuara

Gjoroviqi e akuzon direkt gjeneralin Dikoviq se si komandant brigade në Kosovë nuk ka bërë asgjë për parandalimin e krimeve – përkundrazi ai i “kishte trimëruar ata (ushtarët, v.j.) që të vrisnin”; “them se Dikoviqi ka marrë pjesë në dëbimin e civilëve shqiptarë në Kosovë”; “ekzistojnë dokumente që tregojnë se Dikoviqi i raportonte komandës së Korpusit mbi largimin e mijëra shqiptarëve nga Kosova. Më falni, prej kujt iknin ata? Prej bombave të NATO-s? Pse atëherë nuk shkonin tek ata, tek ushtria e tyre (ushtria serbe, v.j.), që gjendej në rrethinën e tyre? Përveç kësaj, shqiptarët iknin edhe në vitin 1998, e atëherë nuk kishte sulme të NATO-s. Prej kujt?!” Më tutje në intervistën e bujshme për “Dani” të Sarajevës ish-prokurori ushtarak Lakiç Gjoroviq thotë se populli serb e ka humbur Kosovën pikërisht për shkak të institucioneve të kriminalizuara: “Populli që ka institucione të tilla nuk meriton të ketë shtet. Së paku jo në atë hapësirë. Në Kosovë është humbur shteti pikërisht për shkak të ekzistimit të institucioneve të tilla dhe për shkak se edhe sot duan që në krye të tyre të sjellin njerëz të cilët kanë kryer krime masive, kanë përndjekur qytetarët e vet dhe kanë plaçkitur pronat e tyre”.

Derisa opinioni i Kosovës vazhdon të ndotet me debate të prodhuara nga njohësit e suxhukut, nuhatësit e brekëve dhe spiunët e filmave të këqij të shkollës staliniste, Serbia e sjell në krye të ushtrisë një gjeneral që, sipas dëshmive, ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve shqiptarë. Në numrin e 2 shkurtit të revistës “Vreme” gjenerali Dikoviq i hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura kundër tij. Ai ankohet se pjesa më e madhe e teknikës së ushtrisë serbe është e viteve ‘80, tregon se si brigada speciale është përgatitur me mjetet më moderne; gjatë këtij viti, sipas tij, pritet të mbërrijnë në Serbi automjetet ushtarake “Hummer”, një donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pastaj gjenerali Dikoviq flet për marrëdhëniet e mira me KFOR-in dhe paralajmëron një takim me komandantin Erhard Drews. Shefi i ushtrisë serbe pastaj mban një ligjëratë të shkurtër politike: “Gjendja e sigurisë në Republikën e Serbisë dhe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor është stabile, por ekzistojnë shkaqe të mundshme të rrezikimit të sigurisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Kërcënimet kryesore të sigurisë në Serbi janë pavarësia e shpallur njëanshëm nga Kosova e Metohia dhe siguria e qytetarëve në Kosovë e Metohi. Aktivitetet e grupeve ekstremiste, korrupsioni dhe krimi i organizuar e bëjnë gjendjen në krahinë shumë të ndjeshme nga aspekti i sigurisë. Ushtria e Serbisë dhe strukturat e tjera të sigurisë të Republikës së Serbisë intensivisht po e përcjellin dhe analizojnë gjendjen e sigurisë dhe në përputhje me autorizimet dhe kompetencat e tyre po ndërmarrin masa adekuate për parandalimin e kërcënimeve për sigurinë e qytetarëve”.

 

Drug Diković dolazi u Dragodan!

Bizare është mënyra se si gjenerali Dikoviq i qaset dosjes së Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila e ngarkon për krime në Kosovë. Ai thotë se ndihet i brengosur, sepse kështu, me këto akuza, thellohet urrejtja në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Pra, të flitet për krime qenkësh nxitje urrejtjeje! Dikoviqi po ashtu akuzon disa qarqe (mendon në zonjën Kandiq dhe Fondin e saj) që shumë vjet pas përfundimit të luftës në Jugosllavi ende ndikojnë që të mos shërohen plagët e luftës. Ja, pra, receta e gjeneralit serb: të heshtet për krimet në emër të paqes. Paqja që mbikëqyret nga të dyshuarit për krime lufte nuk është paqe! Dikoviqi, në fakt, po flet njëjtë si disa diplomatë dhe disa sundues të Kosovës: harroni krimet, krejt janë fajtorë, shikoni ardhmërinë e ndritur evropiane! Hipokrizi më e madhe nuk është parë në këto troje qëmoti.

Në ditët në vijim do të jetë interesant të shohim se ku do të takohen gjeneralët Drews dhe Dikoviq. Ndoshta në Dragodan, në komandën e KFOR-it? A ekziston një prokuror kosovar apo i EULEX-it që në bazë të dëshmive të Fondit për të Drejtën Humanitare, dëshmive të Tribunalit të Hagës dhe dëshmive të viktimave do të kërkojë arrestimin e gjeneralit Lubisha Dikoviq? A ka mbetur ndonjë politikan i regjimit në Prishtinë që e merr guximin të dalë nga vallja e fëlliqur, në të cilën Serbisë i lejohet të integrohet në Bashkimin Evropian edhe me gjeneralë të tillë si Dikoviqi, derisa Kosovës i kërkohet të dorëzojë disa atribute shtetërore në tabak argjendi vetëm e vetëm për të kënaqur apetitet e disa kontrabandistëve dhe kriminelëve në veri të vendit? Këto janë vetëm disa pyetje që shtrohen në dimrin e vitit 2012 në Republikën e Suxhukut.

3 komente në “Vrasës shqiptarësh dhe vjedhës lopësh”

  1. Albert says:

    I dhem autorit kemi nevojè pèr njerèz si Ju me kurajo qytetare e ndèrgjegje civile. Shkrim qè thèret,hapni syt,zgjou Kosovè,zgjou shqiptar.

    1. zgjohuni says:

      Zgjohuni shqiptare ne te gjithe hapsiren shqiptare,pjellat e se keqes shqiptaro-serbe po diligjojne ne Kosove e Shqiperi e ne tere hapsiren shqiptare,duke shkaterruar e shkelur mbi morali,dinjtetit dhe te drejtat tona legjitime si komb e si popull.Boll me me te tille felliqesirash qe nga morracake e lepire kockash u kthyen duke grabitur,kercenuar e vrare shqiptaret ne pushtetare milojnere e shites te interesave kontare shqiptare.Pershendtje per shkrimin,eshte koha e ndergjegjes se pergjumjes shqiptare,eshte koha per protesta te medha ne te gjithe hapsiren shqiptare ne mbrojtje te moralit,dinjitetit e teresise teritorjale shqiptare.Zgjohuni te protestojme vellezer e te flekim tej jshteqitjen shqiptaro-serbe nga te gjitha psuhtetet.

  2. Ilir Gruda says:

    Shqiptaret sot a kuurre u duhet platforme kombetare 100-vvecare si edhe shtetet rreth nesh.Kete platforme nuk duhet ta preke asnje qeveri pushtet-opozite……Kush do ta bejne qe cdo levizje qytetare-emancipuse(qofte edhe me ndonje te mete) quhet nga pushtetaret tane’faqezinje’ apo vetfundosje’ Do tja kene zili edhe sllavo-greket………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje