Mesfushori i Totenhemit, Skot Parker, është zgjedhur “Lojtari Anglez i Vitit 2011” pas një votimi të organizuar në faqen zyrtare të internetit të Federatës Angleze.
Futbollisti, i cili shihet si kandidat i mundshëm për shiritin e kapitenit të përfaqësueses angleze, mundi në këtë garë portierin e Mançester Sitit, Xho Hart, si dhe mesfushorin e Mançester Junajtid, Eshli Jang.
“Ky është një nderim i madh, vetëm të shohësh emrat që janë shkruar në këtë trofe është një arritje në vetvete. Ky është një moment krenarie për mua. Kur tifozët vlerësojnë atë që po bën, të jep një ndjesi edhe më të veçantë. Ka qenë një vit i mirë për mua edhe në rang ndërkombëtar ndaj jam i lumtur që tifozët më përzgjodhën”, ishin fjalët e tij.
Ndonëse 31 vjeçar, Parker regjistron vetëm 10 ndeshje me fanellën e Anglisë, pasi thuajse gjithmonë është injoruar në favor të emrave më të njohur. Megjithatë, ai u bë pjesë bazë e formacionit të kombëtares që në shkurtin e vitit të kaluar kur shkëlqeu në një miqësore me Danimarkën.
Ish-trajneri Fabio Kapelo, e shihte atë si liderin e mesfushës së “tre luanëve” gjatë Euro 2012, ndërsa shumë prej ekspertëve të futbollit në Angli mendojnë se futbollistit i Totenhem meriton të marrë edhe shiritin e kapitenit. /lajmeshqip