Flamuri shoqëron Drejtoreshën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë

11 Maj 2012, 19:17Antena TEMA
Flamuri shoqëron Drejtoreshën e Organizatës Botërore të

Flamuri dje pati një agjendë ditore larg politikës. Ai Burri i kishte dhënë një kënaqësi të veçantë duke i kujtuar diplomën që ka pasë marrë pas shumë mundimesh në kohën e socialistëve, për mjekësi. Në atë kohë socialistët të torturonin për një diplomë kur nuk shkoje në shkollë dhe Flamurit iu desh ta bënte shkollën 9 vjet. Pas fitores së pushtetit në vitin 2005, ndër reformat e para në arsim që u bënë ishte dhe koha e marrjes së diplomës, që në disa raste u shkurtua dhe në një ditë. Sidoqoftë, krenar për diplomën e marrë me aq shumë vuajtje, Flamuri shoqëroi Drejtoreshën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën Znj. Suzana Jakab, e cila vendosi të vizitojë disa spitale dhe qendra shëndetësore në Tiranë.

Para se të niseshin për vizita, zonja Jakab pyeti Flamurin se si është gjendja e sistemit shëndetësor.

-Është e shkëlqyer, i tha Flamuri. Në fakt kemi fat se ai burri që është kryeministër ka ngarkuar gruan të merret me shëndetësinë dhe çdo punë shkon mbarë. Ndaj është mirë ta theksosh këtë fat që kemi, se asnjë kryeministër tjetër nuk do angazhonte gruan e vet në punë të tilla në dobi të shoqërisë.

-E kuptova, tha zonja Jakob. Mos u shqetëso, do ta përsëris gjithandej.

Vizitën e parë Flamuri e çoi në Spitalin Onkologjik. Disa vite më parë, kur Flamurit i duheshin letrat si për pasuniversitar, një mik i tij i sugjeroi Onkologjikun, me arsyetimin se aty pacientët nuk shpëtojnë, kështu që nuk mban përgjegjësi  që nuk je doktor.

Zonja Jakab hyri në pavijon. Mjeku i pavijonit filloi t’i shpjegojë gjendjen.

-Jemi shumë keq me furnizimin me ilaçe, i tha, pasi ky shoku i Flamurit që na i sjell, i shet me çmim të lartë aty jashtë tek farmacia. Dhe po të mendosh që një kurë shkon tek afërsisht 3500 euro, kuptohet që është problem shumë i madh për të sëmurët. Po ashtu kemi problem me mbetjet radioaktive të pavijonit pasi nuk asgjësohen në rregull dhe mund të kthehen në bombë ekologjike për territorin…

Flamuri e ndërpreu në mes fjalën e Doktorit.

-Sa për ilaçet e atij shokut tim, ti zotëri duhet ta dish se ai shoku im është konsultuar me gruan e atij Burrit, që ilaçet të mos vijnë në pavijon pasi do t’i rimbursojë qeveria, do të harxhohen lekët kot dhe këta për të vdekur kanë. Ndaj dhe ai i shet jashtë, që së paku t’i blejnë vetëm ata që kanë lek dhe të mos shpenzojmë para kot për çdo njeri që ka nisur rrugën pa kthim. Ky është vizioni i atij Burrit dhe gruas së tij për ilaçet. Unë e kam shok vërtet, por nuk është se ndajmë fitimet. Mua as 300 mijë euro s’më ka dhënë.

Zonja Jakab dëgjonte dialogun mes tyre dhe u bë kurioze përse flisnin. Flamuri i shpjegoi se si kryeministri dhe zonja e tij kishin një politikë për kursimin e lekëve të buxhetit për të sëmurët në nevojë. Zonja e mori këtë si sinjal që duhej të shprehej. Sapo u afrua i sëmuri i parë, që e kujtoi si bamirëse, ajo iu drejtua atij.

“Sistemi juaj shëndetësor ka bërë hapa të mëdha përpara dhe keni fat që keni një kryeministër si zoti Berisha”.

-Nuk është se nuk kemi fat, i tha i sëmuri, po e kemi të zi.

Zonja Jakab tundi kokën dhe u larguan.

Vizitën e dytë Flamuri e shoqëroi zonjën Jakab për tek një qendër autizmi. U afruan tek tavolina e pranimit dhe e përshëndetën.

-Zonja kërkon të dijë si ia bëni që keni kaq shumë suksese në këto qendrat, i tha Flamuri.

-E kemi zgjidhur, i tha vajza. Vjen një prind me fëmijë autist, i marrim 400 euro si fillim dhe e shënojmë këtu që ai i ka dhuruar për fondacionin, pastaj sa herë që vjen ai, ka privilegjin të dhurojë nga 400 euro. Por lek nuk marrim. Askush nuk detyrohet të paguajë, vetëm të dhurojë.

Flamuri ia shpjegoi zonjës situatën. Zonja Jakab priti sa erdhi një pacient, e takoi dhe i tha: “Ju duhet të jeni me fat që keni një kryeministër si Berisha dhe zonja e tij që kujdeset për ju”.

-Po për zotin me fat jena, i tha burri që kishte fëmijën autist. Prej kur nisem për këtu nga shtëpia mu më ikën zëri prej tmerrit dhe fëmijës i vjen ngaqë nuk flas unë.

-E shikon, i tha Flamuri. Ka metoda të mira këtu.

Pas kësaj u nisën për në psikiatri. Aty situata ishte shumë gazmore. Pacienti i parë që i doli para Flamurit dhe zonjës Jakab, po kërcente nën ritmet e këngës “Shqipëria po ndryshon”. Zonja Jakab u mallëngjye. Flamuri i shpjegoi se kënga fliste për arritjet e PD-së.

-Përse e këndoni këtë këngë, i tha zonja Jakab pacientit.

-Kjo këngë më ndryshoi jetën, i tha ai i lumtur. Kisha biznese, kisha punë nga mëngjesi në darkë, që pas kësaj kënge Shqipëria ndryshoi dhe unë jam këtu, i lumtur duke bërë pallë nga mëngjesi në darkë.

-E kuptoj, i tha zonja Jakab. Ju duhet të jeni krenar që keni një kryeministër si Berisha.

-Patjetër, i tha pacienti, po tani kryeministër jam vetë.

4 komente në “Flamuri shoqëron Drejtoreshën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”

  1. eheheheh says:

    ne kemi fat, por e kemi te zi …hahahahaha…po qesh si gomar o mero….mos vdeksh kurre!

  2. Tirona says:

    Postojani ne faqen e fb te drejtoreshes se OBSH.

  3. mali says:

    Sikur dhe 200 vjet te rrosh dhe te besh mekate me kete humor Mero i ke la te gjitha.

  4. Ben Chicago says:

    ke merita mero
    kete flamurin nje cope idiot e bere vip
    saliu per inatin tend e beri deputet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje