Lajmi se ambasadori i BE do hynte në Big Brother, e ka bërë xheloz Baba Mondin e OSBE. Përveç vajzave të bukura dhe famës, mbi të gjitha aty ka mundësi të provosh kuzhinën eksperimentale të Vëllait të Madh, ku qoftet dhe birra nuk mungojnë asnjë çast.
Kështu Baba Mondi i OSBE vendosi t’i shkruajë një letër Arbana Osmanit, që drejton Big Brother-in duke i parashtruar dhe pikat ku do të përqendrohej skenari i saj, kur të ftonte baba Mondin e OSBE.
“Duke marrë parasysh popullaritetin e madh të emisionit tuaj, unë desha të shfrytëzoj atë në dobi të OSBE dhe misionit tim në Shqipëri,” thuhet në fillim të letrës së Baba Mondit të OSBE, drejtuar Arbanës.
“Unë mendoj se prania ime në Big Brother duhet të prekë disa tema të rëndësishme, të cilat janë në të mirë të vendit tuaj.
Siç dihet OSBE është mbrojtësja më e madhe e të drejtave të njeriut, ku e drejta për tu ushqyer është një e drejtë themelore. Për këtë arsye do të desha që regjisori të planifikojë një set promovues për gjellët tradicionale shqiptare, që u pëlqejnë të huajve. Konkretisht mua do të më mjaftonte si pjatë e parë një supë me pasha qofte, si pjatë e dytë, imam ballajdi, si pjatë e tret revani, dhe së fundmi për të shtyrë muhabetin mjafton një pjatë me qofte dhe disa birra.
Kjo do ta bënte emisionin tuaj origjinal dhe do të na jepej mundësia t’u tregonim shqiptarëve se duhet të vlerësojnë gatimet tradicionale.
Një pikë e dytë që desha të tërheq vëmendjen e shqiptarëve, është dashuria për qeverinë e tyre. Kam vënë re se Big Brother nuk i kushton shumë rëndësi promovimit të punës së mirë që bën qeveria, të arritjeve të saj, ose së paku të sukseseve të saj në aspekte të veçanta. Unë do t’i lutesha regjisorit të prodhojë një skenë, ku unë të kem mundësi që të ndihmoj dikë prej anëtarëve të Familjes suaj të madhe, përmes qeverisë për ndonjë hall që ai mund të ketë. Për shembull e ardhmja e Gentës mund të jetë e shkëlqyer në Devoll pasi unë kam dëgjuar që qeveria ka financuar 12 mijë ferma të vogla me arrorë, ullishte apo lajthia. Kjo do ta bënte atë një figurë popullore dhe njerëzit do merreshin më pak me fotot nudo të saj. Por ka dhe aspekte të tjera të ndihmës që i duhen dhënë banorëve nga qeveria. Zoti kryeministër ka shprehur gatishmërinë që të realizojë çdo kërkesë timen në këtë drejtim, por unë i thashë që duhet të jemi të kufizuar pasi rrezikojmë që të futet gjithë Shqipëria në Big Brother për të zgjedhur hallet.
Një pikë e tretë që desha të promovohet është votimi për anëtarët e familjes. Ju e dini sa probleme ka në Shqipëri me votimin. Tani kërkojnë dhe numërim elektronik. Unë për vete jam kundër. Mendoj se votimi në Big Brother është një shembull i shkëlqyer se si nuk manipulohen votat dhe kur numërohen me dorë. Ndaj duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe këtij aspekti.
Është po ashtu shumë e rëndësishme të promovojmë vlera të tjera të shoqërisë shqiptare siç është homoseksualizmi dhe lufta ndaj atyre që fyejnë dhe dhunojnë homoseksualët. Nëse më jepet mundësia aty, unë mund të bëj një deklaratë të fortë kundër legalistit Ekrem Spahiu, që ka premtuar të rrëmbejë hurin kundër tyre. Me këtë rast unë kam arsye të jem kritik dhe me qeverinë në këtë pikë, meqë jam dakord në gjithë pikat e tjera. Duke kritikuar atë, unë përmbush dhe detyrimin tim për të qenë neutral duke kritikuar dhe qeverinë.
Në fund unë mendoj se prezenca ime aty të mbyllet me një koktej të madh me birra dhe qoftë ku gjithë banorët e mbetur të familjes të nënshkruajnë një peticion për qëndrimin e mëtejshëm të OSBE në Shqipëri, si një institucion që mbron dhe ruan vlerat demokratike të shoqërisë.”
Letra, e cila mbërriti tek regjisori i Big Brother-it, u zbërthye me kujdes dhe më në fund u ra dakord që Baba Mondi i OSBE të thirret në Big Brother, por më parë të nënshkruajë një deklaratë që do të dalë brenda ditës dhe nuk do të konkurrojë pasi rrezikon të fitojë.
lutemi qe vetem berber te mos fusni bashk me baba mondin, se na i ndryshon stilin e te qethurit.
O TEMA, po pse nuk i kujtuat Baba Mondit, qe qoftet ti mbante poshte jastekut, se ne Big Brother jane futur nja 5 qen dhe rrezik ja hane ata naten