Kryeministri Monti priti në takim kryeministrin Berisha. Para takimit Monti u interesua rreth Doktorit nga stafi i tij dhe ata i çuan një përshkrim të shkurtër. “Merret me politikë prej vitit 1968. 22 vitet e para ka qenë komunist. 22 vitet e dyta antikomunist. Më 1992 është zgjedhur për herë të parë president. Deri tani ka qenë dy mandate president, dy mandate kryetar opozite dhe dy mandate kryeministër. Ka probleme vazhdimisht me zgjedhjet dhe ekonominë sa herë vjen në pushtet. Ka qenë mik me Berluskonin, por ky e fundit e kishte bezdi se nuk i shkonte në haremet me femra, por i priste sekserët në Tiranë.”
Monti i hodhi një sy copës së letrës së këshilltarit të tij dhe u ul në bisedime.
-Jam i gëzuar që u takoj, i tha. Kam dëgjuar shumë për ju dhe vendin tuaj. Italia do tu gjendet gjithmonë pranë në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian… Jemi të hapur tu japim asistencën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rimëkëmbjen e ekonomisë…
-Zoti Monti, unë kam ardhë me ju ftue për Festën Kombëtare, kena 100 vjetorin si shtet dhe desha me ju ftu. Të tjerat rregullohen.
-Më fal, kur e keni festën, i tha Monti.
-Më 28 nëntor…
-Kam frikë se nuk do më lënë kryeministër deri atëherë, por faleminderit. Të kthehemi dhe një herë tek problemet tuaja…
-Zoti Monti, shiko, kriza ekonomike që ka përfshi Evropën dhe vendin tuaj ka ndodhë se ju nuk keni ndjekë modelin shqiptar. Cili është ky model? Në fillimet e mia me thënë të drejtën unë nuk dija shumë nga ekonomia, por lexoja çdo natë, pastaj mu rritën fëmijët, flisja me fëmijët me gruan dhe në fund arrita bindjen time se duhet të zhvillohet ai vend. Shiko, ju keni probleme me modelin ekonomik. Unë ju rekomandoj ju…
-Më falni zoti Berisha, unë kam qenë rektor i Bokonit dhe ne kemi asistuar gjithë botën me modele ekonomike…
-Dakord, ju mund të jeni rektor i Bokonit, por ju duhet të merrni shembullin tonë. Çfarë bëmë ne? Ne arritëm të bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar, të dytin pas Gjermanisë në Evropë, dhe nuk kemi njohur krizë ekonomike dhe financiare… Shiko, miku im Berluskoni nuk mbaroi Bokonin, por ishte një biznesmen i shkëlqyer. Dakord, Bokoni ka rëndësinë e vet, por dhe ne kemi universitetet tona. Brenda tre viteve kam hapur 42 universitete nga më të shkëlqyerit, ku studiojnë dita- ditës dhe student të huajë, përfshi dhe italianë …
-Kam dëgjuar, i tha Monti, por ne nuk jemi të lumtur për këtë.
-E keni gabim, i tha Berisha. Shiko, rritja jonë ekonomike…, prit, në fillim dua të shpjegoj çfarë është rritja ekonomike dhe si llogaritet ajo, jo, se ka disa rregulla si llogaritet, se ne kemi pasur një ekip që e llogariste gjithnjë gabim në Institut të Statistikave, derisa i hoqa ata dhe e drejtoj vetë Institutin. Tani e llogarisin mirë… Tani do thoni ju… Shiko, kam uruar sot Samarasin për fitoren e shkëlqyer në zgjedhje, pasi besoj dhe shpresoj se ai do të marrë modelin tonë.
-Zoti Berisha, sapo më njoftoi stafi im që Samarasi ka dhënë dorëheqje. Nuk bën dot koalicion.
-Ka ba gabim. Ka bë gabimin më të madh të jetës. Mund të bënte koalicion me komunistët, me fashistët, s’ka asgjë të keqe. Ata dhe nëse kanë shkëmbyer ndonjë fjalë, fushatë elektorale ka qenë.
-Qartë zoti Berisha, i tha Monti. Nuk i kuptoj mirë këto punët e politikës. Po më thoni çfarë doni nga Italia, një gjë të rëndësishme ta bëj për ju?
-Asgjë zoti Monti, të vini për festën e pavarësisë, të jeni aty prezent, ka për të qenë një darkë e shkëlqyer… Kam ftu gjithë kryeministrat e Evropës, Turqisë, SHBA. Duhet të vini patjetër.
-Faleminderit, i tha Monti. Paskeni ide shumë të veçanta. Unë mendova se ju donit të shkonit në Evropë, kurse ju dashkeni të vijë Evropa në Tiranë. Qartë. Do ta mendoj.
E papare ! E ke bere bukur Mero !
Ka ardhur te marre eksperience Monti: Si te dergoje ne humnere Italine ?
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/do-e-baj-shqiprin.html
te lumte Z.MERO
Djali i Bosit kendon….Kliko me poshte
http://video.corriere.it/trota-un-giorno-pecora/718abc28-9939-11e1-a280-1e18500845d6