Nuri Shahin vitin e ardhshëm do të luajë derbin e Milanos, por nuk dihet ende se me cilën fanellë. Lojtari turk i Real Madrid është i gatshëm të largohet nga Spanja ku nuk bën pjesë në planet e Zhoze Murinjos, vetëm një vit pasi ky i fundit e bleu për 10 milionë euro nga Borusia Dortmund.
Pikërisht çmimi prej 10 milionë eurosh që i është vënë lojtarit e bën atë të arritshëm nga të dy klubet e Milanos, të cilat janë interesuar zyrtarisht për të. Si rrjedhojë, dje në këtë qytet ka mbërritur Reza Fazeli, menaxheri i futbollistit, i cili ka kontaktuar me drejtuesit zikaltër dhe kuqezinj.
Sipas “Sky Sport”, ai është takuar fillimisht me Inter, për të dëgjuar projektin e ri të zikaltërve dhe planet që kanë ata për Shahin, i cili kërkon një klub ku mund të jetë titullar.
Ndërsa në darkë, Fazeli është parë të largohet nga zyrat e Milanit, ku ka takuar Adriano Galianin, i cili i ka bërë të qartë se te kuqezinjtë, futbollisti turk do të kishte më shumë shanse për një fanellë titullari, duke parë edhe largimet e shumta të lojtarëve nga kjo skuadër pas përfundimit të sezonit.
Tani gjithçka është në dorën e lojtarit, i cili nënshkroi një kontratë deri në vitin 2017 me madrilenët, por nuk ka gjetur asnjë hapësirë në radhët e kësaj skuadre edhe për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që kanë ndikuar në sezonin e tij.