Largimi i parakohshëm i finalistëve të Botërorit 2010, Holandës, nuk do të kalojë pa pasoja dhe vetë futbollistët janë të ndërgjegjshëm për këtë situatë. Ata e dinë që janë fajtorët e vetëm të këtij zhgënjimi dhe sipas asaj që ka treguar Arjen Roben, kanë shkaktuar gjithçka vetë me zënkat brenda dhomave të zhveshjes.
“Kemi humbur tre ndeshje, që është e vështirë për t’u përtypur. Duhet të guxojmë të shohim veten në pasqyrë pasi të gjithë ne dështuam”, ishin fjalët e Roben pas ndeshjes.
“Është shumë e vështirë të gjesh justifikime, në disa raste është e pamundur të shpjegosh çfarë ndodh. Në skuadrën tonë kanë ndodhur disa gjëra gjatë kësaj kohe, por këto do t’i mbajmë brenda vetes”, tha mesfushori i Holandës.
Ndërkohë, një nga futbollistët e pakët holandezë që është shfaqur në nivel të lartë mes “tulipanëve”, Uesli Shanjder, ka mbrojtur trajnerin Van Marvijk duke kërkuar që ai të qëndrojë.
“Unë them që duhet të vazhdojmë me të. Dy vite më parë, në Botëror, gjërat shkuan mirë, tani jo. Por vazhdoj të mendoj se ai ka një të ardhme në stolin e Holandës. Cilësitë e tij i ka treguar duke zgjidhur në mënyrë profesionale problemet brenda skuadrës”, tha mesfushori i Interit.