Flamuri udhëzon Ministrinë e Arsimit për dëftesën e re të Skënderbeut

7 Korrik 2012, 21:22Antena TEMA
Flamuri udhëzon Ministrinë e Arsimit për dëftesën e re

Ministria e Arsimit lëshoi dje një udhëzim për gjithë Drejtoritë Arsimore, ku njoftonte se duhet të tërhiqej dëftesa që ishte dhënë si shembull për llogaritjen e pikëve, pasi kishte gabime, të cilat ishin keqkuptuar. Shkaku pse duhet të tërhiqej, ishte se dëftesa kishte mangësi që nuk falen me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Për këtë, Flamuri i përcolli ministrit të Arsimit këtë shkresë zyrtare:

“Lidhur me Dëftesën e nxënësit Gjergj Kastriot Skënderbeu që keni shpërndarë, jemi të informuar se ka një pakënaqësi të madhe popullore ndaj ministrisë suaj. Që kjo mangësi të shmanget, ju duhet të keni parasysh në plotësimin e lëndëve jo vetëm imazhin e Heroit tonë Kombëtar, por dhe arritjet e sotme të Shqipërisë, që kanë qenë ëndërr e Skënderbeut.

Së pari, është e pafalshme që Heroi ynë Kombëtar të ketë nota të tilla mesatare, ose të mira në shumicën e lëndëve. Si është e mundur që Skënderbeu të ketë marrë 7 në Fizikë, kur ai arriti të llogariste me saktësi temperaturën e serës së nxehtë që u hidhej me kova turqve nga muret e Kalasë së Krujës? Cili shkencëtar në atë kohë, përveç Skënderbeut, mund të arrinte në përfundimin se kur sera arrin pikën e vlimit, ajo mund të bëhet e lëngshme dhe mund t’i hidhet në kokë kundërshtarit? Ua them që askush përveç atij gjeniu! Është kjo arsyeja që vlerësimi për të në lëndën e Fizikës duhet të ndryshohet dhe të rregullohet që lënda ti dalë dhjetë. Kjo, edhe për faktin se bie në sy për keq që udhëheqësit tanë nuk kuptojnë nga Fizika dhe me këtë zhvlerësojmë dhe njohuritë e Doktorit në këtë fushë, i cili është pasardhësi më i denjë i Skënderbeut në këtë vend.

Së dyti, vlerësimi i tij në Matematikë me 7 është një fyerje e rëndë për aftësitë e tij në fushën e matematikës. Ai i bëri ballë hordhive të ushtrive osmane, pasi ishte i qartë jo vetëm për numrin e tyre, por dhe “faktorin X” që duhet të asgjësonte ushtria e tij nga ushtria armike, me qëllim që armiku të mundej. Një gjeni që arrinte ta kuptonte fiks sa ushtarë duheshin vrarë nga armata turke që ai të fitonte betejën, nuk mund të vlerësohet kurrë me 7 në Matematikë. Kjo është njësoj sikur ne ti themi sot Doktorit, i cili është pasardhësi më i denjë i Skënderbeut në këtë vend, që ti nuk di ta llogarisësh mirë rritjen ekonomike dhe na nxjerr gabimisht të dytët në Evropë, pas Gjermanisë. Pra, duhet të shikoni dhe anën provokative.

Së treti, vlerësimi me notë të lartë për Edukatën Qytetare na duket si provokim, pasi një Prijës i Madh është fyese të vlerësohet për edukatën qytetare. Ai ishte një prijës legjendar dhe nuk mund t’i kërkosh atij të respektojë popullin, por popullit që ta respektoj atë. Është njësoj sikur ne ti kërkojmë sot Doktorit, që të respektojë votën e qytetarëve apo kërkesat e tyre të përditshme për qeverisjen. Me ato merrem unë. Doktori është për t’u respektuar nga populli, jo për ta respektuar atë.

Së katërti, bie në sy fakti që në dëftesë nuk është paraqitur vlerësimi më i madh që Doktori i ka bërë Skënderbeut, si shqiptari i parë i madh që kishte aspiratë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe pse jo lëndë e veçantë, ju mund ta kishit futur si një esse më vete. Për shembull, presidenti Nishani ka marrë dhjetë në temën “NATO, BEP, Traktati i Varshavës dhe BE. Paralelizma, përjashtime apo bashkëpunim.” Vlerësimi nga juria ka qenë me notën dhjetë. Por, ne nuk duhet të harrojmë se, siç ka thënë Doktori, i pari që ka pas aspiratë për të futur Shqipërinë në NATO ka qenë Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe ju duhet të shtonit një esse me këtë titull, se së paku Skënderbeu më shumë se Nishani kishte mendtë, edhe pse nuk dua të flas keq për paraardhësit e mi.

Së pesti, ju duhet të kishit marrë si shembull Skënderbeun si nxënës që duhet të vazhdonte për Mjekësi dhe duhet t’ia kishit nxjerrë mesataren dhjetë, duke parashikuar specializim për kardiokirurgji, pasi vetëm kështu mund të besohej nga brezat e sotëm që ai mund të kishte qenë vërtet një udhëheqës i madh.

Së gjashti, në karakteristikën e nxënësit ju duhet të parashikonit se Skënderbeu ishte një ushtar i vendosur i Perëndimit dhe ai u bë komunist kur ne u prishëm me Traktin e Varshavës, me shpresë se Perëndimit i duheshim si komunistë dhe pastaj duhet të vlerësonit kontributin e tij për afrimin e Shqipërisë me Evropën, hyrjen ne KSBE, Këshill të Evropës, NATO dhe liberalizmin e vizave. Nuk duhet të harrojmë se vetëm dy periudha të arta kanë pas shqiptarët qe kanë pasur lëvizur pa viza, në kohën e Skënderbeut dhe sot, në kohën e Doktorit.

Në fund, ishte shqetësuese që Skënderbeu kishte anglishten 8, kur dihet që ai ishte një Kalorës i Perëndimit. Edhe pse me Papën ai fliste latinisht, ai anglishten e kishte gjuhë kryesore dhe kinezçen gjuhë të dytë, pasi qysh atëherë ai ka parashikuar se do të vij një ditë që bota do sillet rrotull disa anglezëve që po iknin me anije në Amerikë dhe rreth Kinës, që atëherë i dërgonte barut Skënderbeut. Po ta vini re, edhe Doktori i ka ruajtur këto prioritete kombëtare.

Duke u bazuar në këto shqetësime dhe meqë është përvjetori i 100 i Shtetit Shqiptar, duhet të ndryshoni dhe formatin e Shkollës se Skënderbeut. Shkolla duhet te quhet 22 Mars 1992, ndërsa Ai duhet të ketë Drejtor të Shkollës Sali Berishën, dhe kur t’i jepet Medalja e Arit, të thirret Ilir Meta që t’ia ja japi flori origjinal.

Për sa më sipër, këto udhëzime duhet të pasqyrohen urgjent në formatin e ri të dëftesës.”

6 komente në “Flamuri udhëzon Ministrinë e Arsimit për dëftesën e re të Skënderbeut”

  1. patrioti says:

    hahaha je i madh per zotin..na ke shkrire se qeshuri..e ke bere gogol fare kete flamurin tamam sic jane keta te pd-se rrota K..;

  2. andre says:

    Format si i letrave persiane te Montesquieu

  3. pse? says:

    sensi holl humori äpo ironie???nuk esht per tu tällur me.ktä po nä i heqin dhe äto päk simbole qe kemi dhe krenohemi

  4. sandri says:

    Tema nje saktesim te vogel, prijsi yne nuk ka qene kardiokirurg ka qene kardiolog po qe eshte marre edhe me hemodinamike,ndoshta me kete te fundit e ngaterroni…

  5. Tirona says:

    Ky Flamuri akoma se ka bo betimin tek presidenti per detyren e re !

  6. MEMEDHETARI says:

    Te qe gjalle Skenderbeu
    Te qe gjalle ai fare burri,
    Vec nje pordhe te leshonte-
    Si mi do fshihej Flamuri…

    Ndersa Sale “Kryetrimit”
    Do t`i ikte tepeleku
    Kur nga pordha e Heroit
    Vrime do i hapej tek jeleku…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje