Kurti: Tani e kemi “Bac, u kry!”, pjesa e dytë

11 Shtator 2012, 11:47Rajoni TEMA

Deputetët nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje” nuk morën pjesë në seancën solemne me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, të hënën, në Kuvendin e Kosovës. Këtë fakt ata e paralajmëruan përmes një konference për media, dy orë para se të fillonte ceremonia. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, vlerësoi se kjo seancë duhet të bojkotohet meqenëse është farsë dhe organizohet kundër popullit e me paratë e popullit. Sipas Kurtit, në seancën e së hënës deputetët janë ftuar që të duartrokasin dhe të buzëqeshin si spektatorë të privilegjuar duke mos pasur të drejtë të flasin, ndonëse i përfaqësojnë qytetarët. “Këto ditë e sidomos sot, filmi ‘Bac, u kry!’ po shndërrohet në seri. Dikur e kishim ‘Bac, u kry!’ dhe tash e kemi ‘Bac, u kry!’ pjesa e dytë. Prej këtij pushteti kemi gjithnjë e më shumë cirk, sepse kemi gjithnjë e më pak bukë”, ka thënë Kurti.

Plani i Ahtisaarit, sipas Kurtit, jo vetëm që nuk e ka normuar dhe nuk e përmban pavarësinë e plotë, por ai edhe e ka vonuar pavarësimin e vërtetë. Ai ka konsideruar se ky plan nuk ka arritur t’i zgjidhë ato çështje për të cilat u hartua. “Tani po prezantohet përmbyllja e një dështimi të dykahshëm: kurorëzimi i dështimit të Planit të Ahtisaarit në veri me negociata për veriun dhe kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencën e EULEX-it”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në këtë seancë mund të jenë të kënaqur vetëm ata të cilët e përfytyrojnë ende Kosovën “si të paaftë” për të përbrendësuar vlera të vërteta të lirisë, shtetndërtimit, demokracisë, dhe vetëvendosjes.

Kurti ka thënë se është mbyllur vetëm një zyrë dhe se nuk ka asnjë ndryshim në Kosovë. Ai ka vlerësuar se po hiqet mbikëqyrja e “dukshme e jashtme”, për t’u bërë mbikëqyrje e brendshme “që fshihet” brenda vetë ligjeve. “KFOR-i, EULEX-i e bile edhe UNMIK-u janë këtu pa na njohur, pa në dhënë llogari neve, me fuqi ekzekutive mbi neve dhe me imunitet mbi ligjin. Meqë duan ta fillojnë dialogun politik me Serbinë për veriun, e hoqën këtë pengesë juridike të quajtur Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Tash do të mund të shkojnë te Ahtisaari plus”, ka shtuar lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti.

Festën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës Kurti e ka cilësuar si  festë të injektuar, duke thënë se gjilpëra janë mediet e regjimit, kurse shiringa është Ahtisaari. /KD

3 komente në “Kurti: Tani e kemi “Bac, u kry!”, pjesa e dytë”

  1. anonimus says:

    Pavaresia qe shpallet disa here nuk ka ndodhur asnje here!

  2. suzana(Kosove) says:

    O amani, mos na nxirrni me kete kurteshin, sa here e shof, me shkon nerva…

  3. Atila says:

    Z.Albin nuk behet shteti me deklarata dhe demostrime. Kosva u be shtet me gjakun e mijra te vrareve ne disa shekuj kunder interesave te Perandorive Osmane e Ruse dhe disa fuqive te medha qe i krehnin bishtin Serbise e Jugosllavise. Kosova eshte shtet e po konsolidohet ne dita dites. Ngadale po me durim edhe situata ne veri do stabilizohet pavaresisht rolit te Serbise per destabiizim me disa grupe kriminelesh. Serbet e veriut duhet te vendosin te jene qytetare te barabarte te Kosoves ose te jene qytetare te Serbise po jo me ne Kosove.Zgjedhja eshte e tyrja. Dyert i kane te hapura.Veriu eshte pjese integrale e Kosoves Serbet qe se pranojne kete realitet mund te largohen kur te duan se si mban neri me zor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje