Katër vitet e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë kanë brishtuar edhe më shumë ekonominë e shkatërruar të vendit tonë. Ekspertë të ekonomisë në vend, thonë se gjatë kësaj kohe, ekonomia e Kosovës ka qenë në stanjacion total.
Madje, sipas tyre, në disa momente pas shpalljes së pavarësisë, gjendja ekonomike në vend është rënduar edhe më shumë, për shkak të përmbushjes së obligimeve ndaj Organizatave Ndërkombëtare Financiare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se gjatë katër viteve të fundit në Kosovë nuk ka pasur ndonjë zhvillim të theksuar ekonomik.
Por, sipas tij, gjatë kësaj kohe politika aktuale, e cila po drejton shtetin është munduar të bëjë marrëveshje për shitjen e pronës publike dhe asaj shoqërore në vendin tonë.
Ish-ministri thotë se në Kosovë gjatë katër viteve nuk është bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë elektrike, në Kosovë nuk është bërë asgjë për rritjen e mirëqenies sociale në vend, po ashtu, sipas tij, në këto katër vite në Kosovë nuk është bërë asgjë nga Qeveria për hapjen e vendeve të reja të punës.
“Në disa raste të caktuara para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vendin tonë ka pasur shumë më shumë dinamikë në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai. Shatri thotë se gjatë kësaj kohe qeveria e Kosovës është munduar të bëjë marrëveshje për shitjen e Distribucionit dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, por thuajse ka bërë shumë pak në tërheqjen e investimeve të huaja të cilat në vendin tonë janë në rënie e sipër.
Po ashtu, ministri Shatri thotë se gjatë kësaj kohe në Kosovë është rritur numri i të varfërve, është rritur numri i të papunëve, por edhe është rritur numri i pesimistëve të cilët nuk shohin ndonjë të ardhme ekonomike të vendit tonë.
Lumir Abdixhiku, drejtori i Institutit “Riinvest” thotë se janë disa elemente ekonomike brenda pakos gjithëpërfshirëse që edhe pas mbikëqyrjes së përfunduar vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Sipas tij, së pari, relacionet me Serbinë sa i përket borxhit të jashtëm dhe të drejtave në suksesin, nuk janë adresuar siç edhe është paraparë me Pakon e Ahtisaarit.
“Edhe pse e thënë në këtë pako se brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi është dashur të caktohet një arbitër ndërkombëtar për këto heshtje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Së dyti, pronat e Kosovës, rreth 172, në vendet e ish-Jugosllavisë vazhdojnë të mbeten pa autoritet tonin. Ne kemi çdo të drejtë ligjore mbi pronat në fjalë. Së treti, sipas pakos ne është dashur të pranojmë dokumentet origjinale të regjistrave kadastralë nga Beograd. Për habinë më të madhe në dialogun e fundit ne kemi pranuar të marrim vetëm kopjet”, tha ai.
Sipas tij, marrja e kopjeve bën problemin e katërt ekonomik të papërmbushur nga pakoja meqë ne nuk kemi arritur të krijojmë ligjin mbi kthimin e pronës e rrjedhimisht nuk kemi arritur as të fillojmë procesin e restituimit.
Abdixhiku tha se përveç gjithë këtyre, problemet esenciale të ndikimeve politike do të vazhdojnë në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Ai tha se pakoja kërkonte që këto ndërmarrje të mos menaxhoheshin nën ndikimin politik, por sipas tij, në këto katër vite mbikëqyrja ndërkombëtare ka lejuar të kundërtën.
Edhe Alejtin Berisha, drejtor i kolegjit Universitar “Universum” në Prishtinë thotë se gjatë këtyre katër viteve ekonomia e Kosovës ka ecur me ritme shumë të ngadalta, por sipas tij, kjo ka ndodhur edhe për shkak të krizës financiare globale.
Berisha thotë se për shkak të krizës gjatë kësaj kohe investitorët e huaj kanë hezituar që një pjesë të kapitalit të huaj ta investojnë në vendin tonë.
“Unë shpresoj dhe besoj së pas mbikëqyrjes vendi ynë do të ndryshojë për të mirë në aspektin ekonomik, pasi edhe investitorët e huaj më nuk do të kenë dilema rreth sigurisë për investime”, tha ai.
E mira e shfrytëzimit të 600 milionëve
Lumir Abdixhiku, drejtori i Institutit “Riinvest”, thotë se e mira e gjithë procesit të përmbylljes në aspektin ekonomik, është e drejta e shfrytëzimit të rreth 600 milionë eurove nga fondet e privatizimit, të cilat i kalojnë në përgjegjësi institucioneve kosovare.
Ai thotë se gjithsesi ky shfrytëzim do të varet nga procesi i likuidimit e i cili po ndodh jashtëzakonisht ngadalë.
Vellezer shqiptare te Kosoves!
Te mos ju genjeje mendja se keni per te bere me mire, per sa kohe keni ne krye kasten “Berisha bir”, Thacin!
Tani qe nuk do te funksionoje rregulatori nderkombetar … ?
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/kjo-asht-toka-jon-prona-jon.html