I shumëkërkuari i autoriteteve kosovare, Enver Sekiraqa, thotë se nuk ka organizuar vrasjen e policit Triumf Riza me të cilin pranon se ka pasur konflikte. Po ashtu, ai thotë se kurrë nuk ka vënë haraç ndaj këngëtares Adelina Ismajli. EULEX-i thotë se Sekiraqa hetohet për vrasjen e Rizës ndërsa familja e këtij të fundit e akuzon si përgjegjës.
Në vazhdimin e intervistës për gazetën “Jeta në Kosovë”, Enver Sekiraqa thotë se nuk ka pasur lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza në gusht 2007.
“Triumfin e ka vrarë Arben Berisha (v.j. i dënuar si doras me 35 vjet). Unë e kam parë në gazetë që ai e ka vrarë”, tha Sekiraqa, ndërkohë që ka pranuar se me Rizën ishte përleshur më 2005.
I pyetur se a i ka dhënë ai urdhër Arben Berishës për vrasjen e policit Riza, Sekiraqa është përgjigjur: “Pse t’i jap unë urdhër? Ai ushtar imi nuk është. Pse me e vra unë Triumfin? Nuk kam pasur arsye me e vra. Akuzohem (nga njerëzit) për këtë rast si organizatori (v.j. i vrasjes), mirëpo kjo është trillim”.
Por ai pranon se ka pasur probleme me policin e ndjerë dhe e fajëson atë.
“Triumfi vet ka lypë me pas punë me mua e jo unë me të. Më ka sulmuar në Swiss Casino, ka nisur me më ra me kerr mbrapa pallatit të rinisë te stacioni i trenit…”, tha Sekiraqa, duke akuzuar se shoqëruesit e Trim Rizës e kishin plagosur atë më 2004.
Mirëpo babai i Triumfit, Shefqet Riza, përveç që e bën Sekiraqën fajtor për vrasjen e të birit, thotë se familja edhe më tej merr kërcënime prej “bandës së Sekiraqës”.
“Kemi kërcënime edhe në shtëpi nga banda e Enver Sekiraqës. E kanë lënë letrën tek dera, madje kanë shkruar edhe mbi fotografinë e të vdekurit në derë, se gjoja ‘nëse nuk e lëshoni këtë banese brenda 72 orëve, do t’ju likuidojmë të gjithëve’”, thotë Riza. “Në fund shkruante Allahu Ekber”.
I pyetur se ku e dinte që kjo letër ka ardhur nga Sekiraqa, Riza tha: “Nuk ka kush tjetër sepse familja e ime me askënd tjetër nuk ka pasur problem. Djalin tim e ka vrarë Sekiraqa”.
Sekiraqa po ashtu mohon se i ka marrë haraç nga koncertet e saj këngëtares Adelina Ismajli, me të cilën polici Riza ishte në lidhje.
“Kurrë në jetë nuk jam marrë me haraç”, tha ai, përfshirë as prej Adelinës. “Çka ka ajo pare me i marrë?! Unë me mujt me i ndihmu dikujt po, se me i marrë në atë mënyrë dikujt pare kurrë jo. Unë nuk jam i trentë”.
Këngëtarja Ismajli e kontaktuar nga gazeta nuk ka pranuar të flasë.
Bardha Azari, zëdhënëse e EULEX-it, thotë se Enver Sekiraqa është dorëzuar te policia e Eulex-it dhe se është arrestuar në bazë të fletë-arrestit të lëshuar në vitin 2008.
“Për momentin po hetohet për tri akuza, përfshirë edhe vrasjen e policit Triumf Riza dhe po vuan edhe një dënim në burgun e Dubravës për dy vjet, për dy vepra penale. Njëra është kërcënim dhe tjetra pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha Azari.
Dënimi ka të bëjë me një rast tjetër, të vitit 2007, i cili njihet si “Rasti i Ferizajt” ku Enver Sekiraqa ishte konfrontuar me pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Rasti është vendosur me aktgjykim përfundimtar të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Në vazhdimin e intervistës Enver Sekiraqa flet për gjyqtarët të cilët e paralajmëruan atë që të ikte nga Kosova, presionet nga zyrtarët e policisë, për atë se ku ka qëndruar i arratisur dhe arsyet e dorëzimit në EULEX.
Ti shëtit i lirë në Prishtinë sepse ministrat nga qeveria e Kosovës ta lejojnë ty këtë. Këta janë frikacakë dhe kjo të bën edhe ty frikacak. Trimi shpëton. Frikacaku vret, sepse nuk guxon ta lëshoj viktimën.