"Partizani i Panjohur”, mjeshtri Fite Nasi dhe “Guri në pellg” i Dritëroit…

20 Nëntor 2012, 20:41Blog TEMA

Nga Kristo Mërtiri
Rreth Monumentit të Partizanit të Panjohur në Tiranë, mëngjesi i 17 Nëntorit dukej i paqëm, i heshtur e plot meditime nën vesën e një nate jo të zakonshme. Natë që u përkund nga duart e politikës zhurmëmadhe sidomos në djepin e medias vizive. Rivarrosja e eshtrave të mbretit të vetëshpallur e të vetëarratisur me arkat e floririt të popullit mbi supe, pushtoi mjaft ekrane e gazeta. Pritja e përgatitjet zyrtare mondane gjatë datës së pashuar historike të Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte thjesht e vetëm provokacion politik përballë kockave të njeriut që mbathi opingat dhe i ktheu shpinën Shqipërisë në orët më të zeza të saj. Sepse beteja elektorale partiake tashmë rri ndezur përditë…Por qetësia vrastare e pushtetit lokal e qendror rrotull atij Monumenti e sheshi –simbol, të paktën atë mëngjes nuk mund të përligjej aspak.
Ashtu i trishtuar, ndjeva si përditë hapat dhe zërat ndjellës të sekserëve të shtëpive; shoferët e taksive që prisnin duarkryq “bukën” e zakonshme; trafikantë valute të vegjël dhe mbi të gjithë, ata fakirë që rrinë syhapur për të shitur sa më shpejt krahun e tyre të punës në “Sheshi Omonia Nr.1 i Tiranës” ! Dhe ku ? Në kryeqytetin e parë në Europë që u clirua vetëm nga djemtë dhe vajzat e nënave shqiptare që panë vdekjen me sy e falën gjithcka për Lirinë. Vecse Partizani Fitimtar i derdhur në bronx flet e do të flasë shumë. Pa fjalime tribunash e pa ceremoni pendëfryra zyrtare.
Si befas, rreth orës 10 po gjallërohej natyrshëm cdo pëllëmbë trotuari e sheshi. Grupe-grupe vërshuan si përrenj jo të rrëmbyer njerëz të moshave të ndryshme. Shumë pak pashë me dekoratat në gjokse(kaq shpejt po na ikin flokëbardhët tanë?),por të gjithë të falnin dashuri, nderim e krenari. Hiquni kapelen luftëtarëve të mbetur gjallë, idealistëve të pandreqshëm e të kulluar. Ndoshta këtu, ata dëgjojnë më afër e më mirë këngët dhe krismat e pushkës partizane, zërin a rënkimet e shokëve të plagosur mbi një gur a mbi një plis, vetë thirrjet e betejës finale…Ndërsa sipër në Pallatin e Brigadave cirren daullet e fanfarat e pushtetit,”Partizanit Meke” i drithërohet bari dhe guri mbi varr ! Rrugët u qëruan nga policia për zyrtarët e lartë të shtetit, për legalistë e simpatizantë të thekur monarkistë. Po këtu vallë ?
Mbi supet dhe grushtin e Partizanit të panjohur, vesa po tretet e përthahet. Por lumi me automjete nuk e ndali aspak vrapin e tij. As sheshi nuk u zbraz nga hallexhinjtë që presin kafshatën e mjerimit. As matrapikët e ngulur buzë trotuareve në agun e 17 Nëntorit nuk lëvizën, në pritje të afendikonjve pasanikë që i thërrasin nga dritaret e veturave luksoze. As ndonjë tribunë ambulante e Bashkisë nuk u duk te Monumenti. As ajo orkestra frymore që merr “frymë” edhe nga xhepat e këtyre taksapaguesve të urtë gjer në dhimbje. As ndonjë skuadër pushkatarësh me uniformë ceremoniale dhe as “të shtëna topi” protokollare etj. Thjesht e pa bujë. Disa më duken se mërmërijnë a kuvendojnë me veten. Shumica e tyre rreth 70 vite më parë e bënë mish e gjak thirrjen mbarëpopullore VF-LP ! Ato 19 ditënetët tym e flakë, Tiranës i hoqën nga gryka lakun nazist. Populli i kësaj treve të dashur luftoi përkrah djemve dhe vajzave nga Jugu e Veriu. Në lule të rinisë, dhjetra mbetën yje të pashuar në qiellin e Lirisë. Sikur vetëm për trimat e Brigadës së Parë Sulmuese të shkruash, do duhen faqe të tëra e pa mbarim. Konkretisht, mbi 370 luftëtarët e saj dëshmorë “të bukur si pylli me lisa”,kaluan provat e zjarrit në Vithkuq, Xhyrë, Mallakastër, Mesaplik, Mokër e Martanesh, Orenjë e Tomoricë, Gorë e Qukës-Bërzeshtë, Vërcë-Sulovë e Shpat, Ura e Moglicës, Qafat e Gjarprit e të Dardhës, Guri i Prerë e Shëmbërdhenj. Nazistët gjermanë pësuan disfata të pariparueshme në Çevenec, Peshkopi, Mat, Krujë etj. Mbi 200 beteja të kësaj njësie lavdimbuluar nuk janë pak dhe as një statistikë memece ! Nuk mund të harrohet ai partizani borizan i famshëm me fyt të shpuar nga plumbi në Tendën e Qypit, kur bashkë me tingujt kushtrimtarë të bories pikonin edhe pikat e ngrohta të gjakut ! Më thoni, në cilin vend të botës mund të gjesh një episod të tillë ? Sot e kësaj dite Qafa e Gjarprit apo Guri i Prerë ligjërojnë ende për rënien heroike të Karadakut(Xheladin Beqiri) e për Naum Panxhin. Në Qarrishtë të Librazhdit kam parë dheun e skuqur nga gjaku i 20 vjecares gjirokastrite Inajete Dumi. Po kështu nga Symiza e Fratarit të Mallakastrës, do të flasë gjatë trimëria e 21 vjecarit dibran nga Lura, komandantit të batalionit, Gjok Doci etj. Por kurorë e vecantë do të mbetet Nëntori i kryeqytetit. Atentatori i rrallë Myslim Shyri, nuk e pa dot Tiranën të cliruar. I kish mbyllur sytë 4 muaj më parë në Fushë-Alie…
Teksa Nezaqet Imami flet shtruar e me zë baritoni, Dhori Prifti i thotë pranë veshit se nga jam unë. Ashtu çehregëzuar shpërthen bashkë me vargun e shumënjohur “Një zë po del nga Gryk’ e Mezhgoranit…”. Se Nezaqeti paska punuar ca vjet edhe në Ansamblin e Ushtrisë. Është krenar që ka kënduar sup më sup me Mentor Xhemalin e madh. Te secilli trazohet prushi i kujtimeve partizane. Qëndrimet e liga partiake e elektorale përballë 28 mijë dëshmorëve që nuk e fituan Lirinë me 2 gishtat lart, do mbeten nga njollat më të turpshme.
Shpesh mendoj se paska patur të drejtë Skënder Luarasi, ish luftëtari internacionalist që “vetëm vdekja ia mbylli gojën”, kur thoshte pa e lëvizur qerpikun: Bota nga balta bën heronj, ndërsa ne heronjtë i bëjmë baltë ! Kolonjari i mencur e trimi i çartur, pranonte të matej vetëm me hijet e rënda të Postenanit e të Melesinit maja-maja…Gjakun e bashkëfshatarit tim Llukan Ceka, e keni atje, në Kodrat e Saukut. Djalin dhe vëllain e vetëm të 5 motrave, xha Sokrati e nisi dhëndërr të Lirisë ! Bashkë me djemtë e tjerë peshtanakë. Stefan Gjoka i mirë provoi edhe qelitë e internimit në Kampin famëkeq të Prishtinës. Ishte koha kur mbi pushtuesin do të shtinin edhe në dritë të vetëtimës…E shikoni atë burrin 83 vjecar, që regjistron me kamera veprimtaritë e veteranëve? Është gjirokastriti i papërtuar e duarflori, Vasil Rrapi. Mbeti arkiv i gjallë i 60 viteve të fundit. Në Ushtri e kudo. Me emër të mirë gjer në diasporë, në SHBA, ku ka një nga sytë e tij të ballit,vajzën e shtrenjtë. Përqafohemi me mall e me zemër pranë Partizanit të Panjohur që po duket se i ndrin nuri. Te ky Monument, piedestalin e të cilit(të parin, jo këtë të sotmin e veshur me pllaka) e gdhendi me cekic e daltë, me dashuri e pasion, mjeshtri kokëulur Fite Nasi përmetari. Deri vonë gurët e skalitur mbanin në dekada emrin e tij. Ky fakt nuk u tha kurrë publikisht e na asnjë medie. “Xhako Fitja” prehet në paqe me veten dhe të tjerët, duke dëgjuar shushurimat e dallgëve të Vjosës në hyrje të Tepelenës, në këmbët e qytetit të shenjtë që e ngriti nga themelet bashkë me mjeshtra të tjerë malëshovitë. Bisedoni po deshët me shpatullgjerin e zemërgjerin Sotir Todhe, pensionist i ardhur tani vonë në Tiranë. Heronj të vërtetë të Punës vetmohuese, modestë e të pafjalë, dinjitozë dhe ustallarë të zotë si ata e jo të tjerë. Nuk kërkuan kurrë e as ua dha njeri dekoratën e merituar herët. Mirënjohja e brezave tepelenas, ndoshta një ditë do të shpaloset qoftë edhe me një pllakë përkujtimore a lapidar. Edhe njerëzit e Luftës Ndërtimtare meritojnë shumë…

Lëvizja Çame: Tek Stadiumi Dinamo nuk ka shesh, kjo është tallje tjetër e Idrizit

13 komente në ““Partizani i Panjohur”, mjeshtri Fite Nasi dhe “Guri në pellg” i Dritëroit…”

  1. Tepelena. says:

    Të lumtë mendja dhe pena,i nderuar Kristo!Ajo ditë nëntori nuk do ngelet kurrë e largët,dhe ca më pak e harruar….përderisa do të ketë njerëz,breza,që nuk do të harrojnë kurrë kujtimin e prindërve,baballarëve a nënave,gjithë atyre luftëtarëve që ranë me nder në fushat e betejave për lirinë e Kombit…Ajo ditë,17 nëntori,nuk do të kujtohet kurrë për eshtrat e tretura në harrim të një tradhëtari dhe hajduti të pabesë,sado të përpiqet shumëkush,sado pushtet të madh të ketë……Ajo ditë e madhe…do të kujtohet për lirinë që shpalosi mbi qiellin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë…atdhedashuria e atyre trimave,që mbetën ..ashtu…si yje të pashuar mbi gjoksin e atdheut…!Më vjen mirë që ti,miku im Kristo,kujtohesh të ndezësh qirinj,në kujtim të këtyre trimave,si gjithmonë me fisnikërinë tënde ideale…Lexova një reportazh të bukur…!Të përshëndes mik i nderuar!

    1. Trojka; Mulja, Rulja & Lulja says:

      Te vjen turp te kalosh nga Partizani i Panjohur (omonia).
      Njerez te deshperuar qe kerkojne pune sheh rreth e rrotull.
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/dhi-e-zgjebosur-dhe.html

  2. tomori i beratit says:

    Shum bukur o Kristo.Sa KRENAR ndihem per te DJESHMEN aq dhe i DESHPERUAR por mbi te gjitha TE TURPERUAR ndihen sot gjith SHQIPETARET e VERTET.HALLALL SHKRIMI O KRISTO MERTIRI.

  3. Myzeqari says:

    Faleminderit per shkrimin, o Kristo Mertiri, nder shoket me i miri. Nje proze e bukur poetike. Keshtu te vazhdosh te na shkruash vazhdimisht.

  4. kirurg says:

    Titullin ia ka vene autori apo gazeta? Sepse “gurin e Driteroit” s’e mora vesh ku ishte. Te kishe thene “guri i Mete partizanit”, jo i Driteroit, se Dritua e ka humbur gurin me gjithe eshkë…

    1. Shtegtari says:

      “kirurg” nese je vertet mjek mos ia ver re Dritos, e ka nga mosha, ka filluar ja merr era miellin e pastaj gjthe ata damixhane me raki qe ka thare Dritua i vrafer gjene mire qe mbahet me kembe

  5. martin says:

    Faleminderit per shkrimin na riktheve krenarine per disa momente ne menyre qe edhe te reflektojme duke pare kete drejtim te gabuar te udhes tone pa asnje ideal.Faleminderit

  6. tefta says:

    JU FALEMINDERIT SHUME ZOTI MERTIRI PER KETE ARTIKULLME INFORMACION TE SHKELQYER! LAVDI HEROUNJVE TE SHQIPERISE ;NDERIM DHE RESPEKT

  7. Prizrenasi says:

    Faleminderit z. Mertiri. Kur lexon kete shkrim nuk mund te mos te shpetojne lotet. Nuk eshte dobesi ,perkundrazi jane lote te “dhimbjes krenare”. Shqiperise sone te shumevuajtur i kane rene ne qafe shume hiena por ajo do te rroje sepse shume gjak u derdh per token tone arbenore.
    Nga zemra therras edhe njeh si qe moti V F,LP.
    RROFTE SHQIPERIA.

  8. Alb-Germani says:

    Ju faleminderit per kete shkrim patriotik.
    Historia dhe shqiptaret qe e duan me te vertet atdheun nuk i harrojne bijt e tij heronj,te rene per idealin e lirise.

  9. Stockholm says:

    Pershendetje i dashur Kristo!te falenderojme per artikullin e shkelqyer,Lavdi Heronjve te Atdheut.Eshte kenaqesi kur lexojme artikujt tuaj i nderuar Kristo Mertiri,pershendetje nga larg.

  10. shqiptar says:

    rrofte komunizmi, rrofte enver hoxha,rrofte Kristo Mertiri

  11. Abaz Trebinja says:

    Trupin ma mbuluan mornicat, teksa lexoja shkrimin tend o Kristo
    Mertiri. Mire thote Myzeqari, nje proze poetike, nje monument per ata
    qe mbeten ne themelet e Lirise. Lavdi Te Reneve Per Shqiperine tone.
    U kujtofshin brez pas brezi. Tradhetaret nuk e zbehin dot lavdine e tyre.
    Faleminderit Z.Mertiri! Nje shkrim i shkruar me shpirt, ne cdo fjale-respekt e mirenjohje. Te lutemi, ne nje grup lexuesish te shkrimit tend
    do duam shkrime te tjera nga firma jote, firme qe nuk te skuq, por qe te ngre lart te paret e tu. Faleminderit dhe ty, gazeta “Tema” qe boton shkrime te ketij autori. Ato ti ngrene dhe ty vlerat. Ato e bejne lexuesin ta doje me shume vendin e vete dhe ata qe sakrifikuan per te pa kerkuar shperblim.

    Pac jete e shendet o Kristo.

    Me shume respekt

    Abaz TREBINJA
    Rruga M.Shyri, Pallati 44, Tirane

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje