Berlini pret normalizim raportesh Serbi-Kosovë

22 Nëntor 2012, 12:12Rajoni TEMA

“Pretendimet e domosdoshme për qasjen e Serbisë në BE patjetër duhet të përmbushen. Në rrugën evropiane është me rëndësi të normalizohen marrëdhëniet me shtetet fqinje, posaçërisht me Kosovën”, ka porositur ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle, gjatë takimit me shefin e diplomacisë serbe Ivan Mërkiç në Berlin, njofton “Deutsche Welle” në serbisht, transmeton QIK.

Temë e bisedimeve e dy ministrave ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, procesi i mëtejshëm integrimit të Serbisë në BE dhe e ardhmja e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne kemi biseduar për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, për Serbinë e cila ka filluar dialogun politik me përfaqësuesit e Prishtinës. Pata rastin të paraqes se çfarë ka ndodhur deri më tani në atë dialog, cilat janë qëllimet tona dhe çka pritet nga kjo”, ka thënë Mërkiç.

Nga ana e tij, Westerwelle ka thënë se çështja e procesit të mëtejshëm të eurointegrimeve të Serbisë është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, posaçërisht me Kosovën.

Ai tha se pret që kushtet e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Catherine Ashton të ndikojnë në gatishmërinë e qeverisë së re serbe në bashkëpunim të plotë në negociata dhe në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, plotësisht të përmbushen. /qik/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje