Trajneri i Interit, Andrea Stramaçioni, ka përdorur ironinë për të komentuar deklaratën e rivalit të tij te Juventusi, Antonio Konte. Ky i fundit, pas kthimit nga pezullimi disamujor që iu dha për përfshirjen në skandalin e manipulimeve të ndeshjeve, deklaroi se edhe ai ishte “Special”, si Zhoze Murinjo.
Por Stramaçioni, nuk ka ngurruar të ironizojë me këtë deklaratë, menjëherë pasi skuadra e tij mundi 2-1 Napolin dhe u ngjit në vendin e dytë në renditjen e kampionatit italian, pikërisht pas Juventusit.
“Nëse ai mendon se është “special”, atëherë unë jam “normal””, ishin fjalët e teknikut të Interit, i cili nga ana e tij nuk i ka pranuar kurrë krahasimet e mundshme me Zhoze Murinjon.
“Për ne kjo është një fitore e rëndësishme e cila na ndihmon të kuptojmë se jemi në gjendje të luftojmë me këdo. Nuk jemi anti-askush, jemi Interi. Për mua, ky është viti i parë në procesin e rindërtimit të Interit dhe jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Jemi të bashkuar si grup dhe për momentin, kjo është gjithçka që ka rëndësi”, tha Stramaçioni i cili ka marrë vlerësimet e ekspertëve për eksperimentin e suksesshëm të Kambiasos si qendërmbrojtës dhe Guarin si organizator.
“Ne nuk kemi një organizator të mirëfilltë, por këtë rol e mori Guarin. Më pas, i kërkova të sakrifikohej në mbulimin e Zuniga dhe ai e bëri këtë punë në mënyrë të shkëlqyer. Kambiason e zgjodha për të përmirësuar cilësinë në shpërndarjen e mbrojtjes dhe aftësinë për të lexuar më mirë lëvizjet e kundërshtarit”, shpjegoi trajneri i zikaltërve.