Pike: Tani u kujtuat ju të kritikoni Murinjon!

14 Janar 2013, 20:50Sport TEMA

Zherard Pike ka lëshuar një sulm të ashpër ndaj mediave, të cilat sipas tij po tregohen të padrejta duke kritikuar tani Zhoze Murinjon. Mbrojtësi i Barcelonës mendon se kjo gjë duhej të ishte bërë që më parë, pasi Murinjo vazhdonte të ishte i njëjti person që bënte të njëjtat gjeste, por tani vihej në shënjestër pasi gjërat te Reali po shkonin keq.

“Shpesh qesh kur lexoj shtypin. Më kujtohet që kur Reali fitonte, Murinjos i lejohej gjithçka. Ai erdhi këtu dhe i futi gishtin në sy Titos! Sa ndeshje u dënua? Tani që sulmohet Iker apo mbyll një kolegun tuaj në një dhomë, atëherë kritikohet, e kjo nuk është e drejtë. Murinjo ka qenë gjithmonë kështu, që në momentin që ka ardhur këtu, por atij i lejohej gjithçka se fitonte”.

“Edhe shtypi nuk duhet të jetë i tillë, jo vetëm i Madridit, por edhe i Barcelonës. Kur lexoj shkrimet e “Sport” dhe “Mundo Deportivo” duket sikur bëjmë gjithçka mirë. Por edhe Barcelona nuk është skuadër perfekte. Kjo nuk është e mirë për të gjitha palët”, ishte kritika e hapur e Pike ndaj shtypit sportiv spanjoll.

Ai ka theksuar gjithashtu se do të ishte gabim të cilësohej i fituar titulli kampion, pavarësisht diferencës së thellë prej 18 pikësh të krijuar me Real Madrid.

“Real Madrid, derisa të mos ketë matematikisht mundësi për të fituar, e cilësoj gjithmonë një rival për titull, për historinë dhe madhështinë e këtij klubi. Madridi ka aftësinë që kur njerëzit e besojnë, arrin të rikuperojë kampionate që ti mendon se janë të parikuperueshme”, u shpreh mbrojtësi i Barcelonës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje