Sondazhi më i saktë: Sondazhi i xhepave të shqiptarëve të thjeshtë

5 Shkurt 2013, 11:05Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Sondazhet e opinionit publik, me përkufizim, nuk janë instrumente precize. Ato kanë një marzh të gabimit statistikor (zakonisht plus/minus 3 pikë përqindje), që vjen prej rastësisë së zgjedhjes së kampionit. Kështu, në qoftë se hidhet një monedhë 1200 herë, mund të ndodhë që ajo të bjerë kokë 53%, por edhe 47%. Një kampion anketimi prej 1200 të anketuarish, i zgjedhur me metodën rastësore, mund të nxjerrë fitues një kandidat me 53%, por një kampion tjetër i rastësishëm 1200-ësh, i zgjedhur në të njëjtën kohë, në të njëjtën popullsi, mund ta nxjerrë atë humbës me 47%. Dhe të dy kampionët janë përfaqësues, sepse japin rezultate brenda marzhit të gabimit statistikor prej plus/minus 3 pikë përqindje.

Kohët e fundit, janë publikuar disa sondazhe të opinionit publik shqiptar, të cilat kanë të përbashkët prirjen e rënies së kuotave të PD-së në elektoratin shqiptar, por ndryshojnë në magnitudën dhe kanalizimin e rrjedhjes. Disa sondazhe sugjerojnë se kjo rrjedhje është e kanalizuar më shumë te AK-ja e disa më shumë te FRD-ja. Por duke pasur parasysh marzhin e gabimit statistikor të sondazheve dhe problemet që mund të kenë ato me zbatimin rigoroz të metodologjisë në terren, duhen parë edhe sondazhe të tërthortë nga burime të tjera.

Ndër këto sondazhe të tërthortë, indeksi i vëllimit të tregtisë me pakicë, i cili bazohet në sondimin e dyqaneve të ndryshme në të gjithë territorin e vendit, mund të shërbejë si një tregues shumë i mirë për humorin e elektoratit shqiptar ndaj partisë në pushtet.

Në të nëntë muajt e parë të vitit 2009, vit kur koalicioni i PD-së (ndoshta me ndihmën e KQZ-së) fitoi 70 mandate kuvendorë, vëllimi i tregtisë me pakicë ishte në çdo muaj më i lartë se në nëntë muajt e parë të vitit 2012. Rënia mesatare mujore nga 2009-ta në 2012-ën ishte 9.5%, me rënien më të lartë në prill (14.2%) dhe më të ulëtën në shtator (2.4%). Kjo rënie është në vëllim, pra, e zhveshur nga ndryshimi çmimeve. Dhe është rënie e raportuar nga INSTAT-i, i cili nuk varet nga ndonjë parti opozitare…

Po përse ka rënë vëllimi i tregtisë me pakicë, njohur në të folmen e përditshme me fjalën konsum?

Së pari, sipas raporteve zyrtare të INSTAT-it, në fund të shtatorit 2012, numri i të punësuarve në Shqipëri ishte 51 mijë më i vogël se në qershor 2009. Dhe kur numri i të punësuarve bie, rritet numri i atyre që blejnë ushqime me listë…

Së dyti, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, investimet publike në raport me Produktin e Brendshëm Bruto janë përgjysmuar në krahasim me 2009-ën. Ndërsa Banka e Shqipërisë raporton se investimet private janë pakësuar rreth 25% krahasimisht me të njëjtën periudhë. Dhe kur investimet bien, rritet pesimizmi i konsumatorëve – ata e kopsitin mirë portofolin.

Së treti, Banka e Shqipërisë raporton se bankat i kanë pakësuar kreditë konsumatore, si rezultat i pasigurisë së kthimit të tyre nga konsumatorë që e kanë vendin e punës të pasigurt. Dhe kjo pasqyrohet drejtpërdrejt në rënien e xhiros së dyqaneve që shesin mallra të shtrenjtë me këste.

Së katërti, valvula e sigurisë financiare që ofronte për shumë familje shqiptare emigracioni në Greqi e Itali nuk po funksionon më. Kështu që jo pak familje po konsumojnë me nikoqirllëk dhjamin e akumuluar nga emigracioni.

Dhe historia botërore e vendeve ku qeveria përcaktohet nga zgjedhjet tregon se shfryrja e xhepave të votuesve përkthehet gjithnjë në rrjedhje të votave të partisë në fuqi. Por, lind pyetja, ç’ndodh kur partia në fuqi kontrollon KQZ-në, siç është rasti i PD-së?

PD-ja e kishte këtë kontroll edhe në 2009-ën, por koalicioni i saj nuk arriti të merrte as 47% të votës popullore. Dhe me daljen në skenë të partive të reja, që po synojnë elektoratin e saj, PD-ja do ta ketë të pamundur t’i afrohet kësaj shifre, tani që konsumatorët po sillen më me pesimizëm se 4 vjet më parë.

Kuptohet që PD-ja, duke e njohur këtë realitet, mund t’u kërkojë anëtarëve të saj në KQZ që ta ndihmojnë më shumë se në 2009-ën, si dhe të mundohet që, nëpërmjet pazareve të pista, ta rrisë koalicionin paraelektoral me parti që nuk i kishte në të në 2009-ën, si LSI, LZHK, PDK etj. Por kjo është një temë tjetër, që nuk adresohet dot as nga sondazhet e opinionit publik e as nga sondazhet e xhepave të publikut…

Në foto: Një dyqanxhi i dëshpëruar me origjinë nga Tropoja, që tregon kartën e tij të anëtarësisë në PD

1 komente në “Sondazhi më i saktë: Sondazhi i xhepave të shqiptarëve të thjeshtë”

  1. fl says:

    Jam dakort me kenveshtrimin realist te Z. Zaloshnja. Mos u beni eforik nga sondazhet se Saliu te nxjerr aleanca edhe min. e fundit.

    Nese mund te behej nje krahasim mes sondazheve dhe rezultateve elektrorale per 2009 – do ishte dicka pozitive, per te kuptuar teorikisht dhe shkallen maksimale te tjetersimit te votes qe mund te pretendohet ne fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje