Asnjë fëmijë i lënë mënjanë!

23 Shkurt 2013, 17:18Blog TEMA

Nga Ledi Shamku

Them ta nis këtë fjalën time me një arsyetim të Italo Calvinos. E thotë tek një nga shkrimet e tij të mbrame “Apologjia e ndershmërisë”, dhe lidhet pikërisht me shkollën, a më saktë me fuqinë e dijes.

Calvino thotë: “Në një vend ku shkolla shkatërrohet, shkaku i shkatërrimit nuk janë kurrë as kostot e larta dhe as mungesa e fondeve. Një vend ku shkolla shkatërrohet, është i qeverisur nga ata njerëz që humbasin po qe se dija shpërndahet gjithkund”.

Po, ky vend qeveriset nga të paditurit që mbjellin me dashje padije. Dhe po: kjo është përballja shqiptare sot: mes Errësirës dhe Dritës, mes Rrënimit dhe Rilindjes!

Ndaj edhe ju siguroj se Rilindja e Arsimit në këtë vend nuk është thjesht çështje buxheti, por pikësëpari është çështje vullneti. Vullneti ynë politik, vullneti i Rilindjes, beson fort se në këtë vend ringrihen vlerat morale, mëkëmbet ekonomia dhe mpaket fort varfëria, po qe se arsimi vendoset i gjithi aty ku duhet të jetë: guri i qoshit i ngrehinës së Rilindjes.

Kemi kurajën ta pranojmë se ky vend ka sot mbi 15 përqind analfabetizëm real, ndaj kemi edhe vullnetin ta nisim ditën tonë të parë të përgjegjësisë qeverisëse duke luftuar këtë plagë të rihapur të shoqërisë shqiptare. Motoja e përbotshme e sotmja: “No child left behind” është tani edhe motoja jonë. Asnjë fëmijë i lënë mënjanë!

S’mund të ketë dhe s’do të ketë asnjë fëmijë të lënë mënjanë, për shkak të varfërisë! Do jemi aty, me të, me librat dhe sendet e shkollës falas për të. Jo më arsim sipas xhepit! Është shumë e mbrapshtë kjo. Arsim sipas nevojës, meritës dhe talentit!

S’mund të ketë dhe s’do të ketë asnjë fëmijë të lënë mënjanë për faj të largësisë, se i duhet të kaptojë lumenj a thepa për të vajtë në shkollë. Kemi studiuar gjithë rrugët që lidhin zonat e banuara, edhe ato më të skajmet, me shkollat që janë apo që kemi planifikuar të ngremë. Dhe do jemi aty, me transportin e garantuar për çdo fëmijë që i takon të udhëtojë më shumë se 20 minuta.

As edhe një fëmijë të lënë mënjanë për shkak të plagës së rëndë të ngujimit. Shkollim të vijuar në distancë për ata, nën kujdesin e shtetit, falë ndërhyrjes së fortë të teknologjisë në arsim. E-learnig është sot një nga mbështetjet e fuqishme financiare që Banka Botërore ka vënë në shërbim të vendeve që duhet të rendin drejt zhvillimit. Ja pra që Calvino kish të drejtë: nuk mungojnë paratë! Ka munguar dashja e pushtetit.

Çdo vit, afro 30 përqind e nxënësve mbeten me arsim bazë, vetëm me arsim bazë, pra pa arsimin e mesëm. Afro 30 përqind! Është shumë! Dhe shumica e kësaj pjese që shtrëngohet të ikë nga shkolla janë vajza. Janë nënat e nesërme! Pse ikin? S’ka shkolla të mesme! Janë më pak se çereku i shkollave nëntëvjeçare. Dhe kanë mbetur vetëm ato nëpër qendra qytetesh a komunash. Periferitë dhe fshatrat nuk kanë. As shkolla të mesme e as transport për tek shkolla. Këtë hendek që nuk e kapërcejnë dot çdo vit mbi 18 mijë bij shqiptarësh ne do ta mbushim me atë çka vlen më shumë për ata vetë dhe për këtë vend: Arsim dhe formim profesional. Në Shqipëri sot ka mbi një milion të papunë jo vetëm sepse nuk ka punë, por edhe sepse mungon aftësimi real për punë konkurruese. Brenda mandatit të parë do ta shpiem në 40 përqind pjesëmarrjen në shkollat profesionale, atë pjesëmarrje që sot mezi mbahet ne 14 përqind. Kjo do të jetë edhe sfida jonë e madhe, sfida e Shqipërisë që po gatitet të rritet e të integrohet në familjen e vet, falë punës së ndershme të gjithsecilit.

Vijmë tek prindërit dhe mësuesit, tek dy krahët që do të lidhin drejt dhe mirë qeverisjen tonë me shkollën e rilindur. Ky është trekëndëshi që gjithë bota demokratike ka. Ky do të jetë edhe trekëndëshi ynë. Prindërit në programin tonë janë pjesë reale e vlerësimit dhe e gjithë vendimeve që do të merren në shkollën e çliruar nga diktati i injorancës politike. Decentralizimi në arsim do të jetë puna jonë e mirë, e bërë mirë dhe ndershëm.

Sa u takon mësuesve, ata kanë para së gjithash gjithë mirënjohjen tonë sot. Janë zemra e reformës sonë mësuesit dhe dinjiteti i tyre është edhe dinjiteti i shtetit që do ngremë! Sa i takon shpërblimit monetar për mundin që bëjnë përditë, dua të bëj më dije, se vetëm falë taksimit të ndershëm që do të vëmë në jetë, qysh ne vitin e parë të mandatit mësuesve ju çlirohet një pagë më shumë. Pa përmendur këtu shtesat për vështirësitë në detyrë të kujt shkon të shpërndajë dritën e arsyes edhe në skajet e strukura të vendit. Asnjë fëmijë i lënë mënjanë! – mos harroni, Rilindja Shqiptare është pjesë e kësaj besojmë të përbotshme.

Në fund dua ta them troç edhe thjesht: ky program u shkrua në një rrugëtim të gjatë gjashtëvjeçar, në dialog me mijëra mësues, me mijëra prindër e me po aq shumë ekspertë që duan Dritën. Unë sot isha thjesht zëri– fjalët qenë të tyret, Ashtu si edhe gjithë ndjesitë e pasionit që kam tash në shpirt, nuk janë të gjitha mijat. Është pasioni i gjitha atyre qindra mijave që kanë sytë tek Rilindja. Unë sot kisha fatin të isha Zëri! Edhe njëra nga qindra mija zemrat e Rilindjes!

5 komente në “Asnjë fëmijë i lënë mënjanë!”

  1. Besnik says:

    E ardhmja fillon nga edukimi ne menyren e duhur i brezit te ardhshem. Femijet duhet te edukohen dhe mbi te gjitha te marrin dijet baze. Per te t pasur sukses dhe qe e nesermja te mos jete si e sotmja duhet qe te fokusohemi tek brezi i sotem i femijeve. Programi qe parashtron partia socialiste eshte bindes.

    E verteta e madhe eshte se nuk na duhen shume gjera dhe por per kete na duhet vetem pak vullnet

  2. shqiponja says:

    Saliu e ka mbajtur popullin ne varferi dhe padije me qellim qe te kete pushtet te perjetshem. Njerez te shkolluar do te thote njerez qe MENDOJNE. Rregjimeve ju duhen njerez te verber qe shkojne prapa tyre dhe marrezive te tyre pa menduar per pasojat.
    Mekembja afatgjate Shqiperise do ti vije nga mekembja e arsimimit te shqiptareve prandaj te gjithe duhet te tregojne ndjeshmeri maksimale per shkollat, mesuesit dhe sidomos femijet qe nuk shkojne dot ne shkolle per shkak te infrastuktures.

  3. bobi says:

    Arsimimi i sakte i femijeve eshte asgjesimi i Berishizmit, mbeturines se fundit te sllavo-komunizmit ne Shqiperi.

  4. Verita says:

    …ju uroj FITORE!!!..gjithcka fillon dhe mbruhet me SHKOLLEN DHE EDUKATEN E MESIMIT.,si Themel i vete Nxenesve e Studenteve dhe gjithe Shoqerise!!..Shpresoj qe Shqiptsret te votojne DREJT DHE SAKTE PER TE ARDHMEN ME TE MIRE TE FEMIJEVE TE TYRE!!(dhe shpresojme qe vota e tyre nuk do te Manipulohet??!!)

  5. Roland says:

    Ne nje nga romanet me te vlersuara te J.P.Sartre:”Mizat” qe konsiderohet
    profeci ne lidhje me shperthimin e Luftes se Dyte Boterore ka nje dialog shume domothenes ne mes Jupiterit dhe Orestit:”Degjo Orest-i thote Jupiteri,sekreti me i madh dhe me i dhimbshem i zotave dhe i mbreterve eshte se (popujt) njerzit jane te lire.Mirepo nese une dhe ti kete e dime,ata jo”.Tani gjerat jane te thjeshta.Duhet te jete i lire njeriu te beje zgjedhjen qe deshiron dhe bashke me zgjedhjen te marre dhe pergjegjsine.Megjithese Liria thuhet se e ka cmimin shume te shternjte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje