Jeta dhe pasuria e shqiptarëve është e rrezikuar çdo ditë e më shumë

31 Korrik 2013, 18:14Blog TEMA

Nga Dr. Skënder Demaliaj

 

Në Durrës terror kundër qytetarëve në mes të qytetit.

Krimi është shtruar këmbëkryq dhe shteti në ikje është gjunjëzuar dhe dorëzuar plotësisht… jo tani kur po përgatitet edhe tranzicioni i qeverisjes, por prej vitesh.

Është edhe kjo një nga arsyet që shqiptarët masivisht, më 23 qershor votuan kundër qeverisjes Berisha.

Vrasje çdo ditë për pronat. Vrasje të grave të pafajshme nga burrat për xhelozi dhe pse ato guxojnë të kërkojnë divorcin, se nuk i respektojnë burrit njerëzit e fisit….

Tre të vrarë të pafajshëm në punën e tyre, në hallin e tyre, për pushime në Vlorë.

Armët janë sheshit. Edhe kur kapet ndonjëri me armë, lirohet për dy-tre ditë ose merr një dënim minimal qesharak.

Plakat në Nartë përdhunohen, maskat terrorizojnë e grabisin udhëtarët në akset kryesore të rrugëve, në Veri e në Jug. Në qendër të Tiranës, në Rrugën e Durrësit adoleshentët grabisin. Të tjerë adoleshentë vjedhin shtëpi të e qytetarëve, therin e vrasin njëri-tjetrin.

Vjedhje, grabitje, vrasje në argjendari, në pikat e shkëmbimit të valutave, në qendrat e basteve sportive…

Vjedhje, grabitje, vrasje të qytetarëve shqiptarë e të huaj: për një varëse, për një shumë të vogël parash, për një unazë floriri, për një orë a celular…

Kudo krim, në çdo cep të Shqipërisë, çdo ditë…

Pasiguri, frikë…

Lajmet fillojnë gjithmonë me kronikën e zezë dhe shpesh herë ndërpriten po me kronikën e zezë të radhës (Lajmi i fundit)… Situatë e rënduar dhe e vështirë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, si më 1997-ën.

Kur do t’i jepet fund këtij ankthi të madh – pyesin qytetarët, të stresuar, të revoltuar?

Natyrshëm lind pyetja: Përse është rritur kriminaliteti?

Se shteti nuk vepron me forcën e hekurt të ligjit dhe është vetë i inkriminuar.

Fëmijët e familjeve ku ka dhunë vuajnë më shumë nga probleme të sjelljes dhe janë më pak të aftë për të vepruar në shoqëri, në krahasim me fëmijët që vijnë nga familje, ku nuk ka dhunë.

Një studim kanadez tregon se nëse fëmija është i pranishëm në konfliktet e prindërve, ku përdoret dhuna si mjet për zgjidhjen e tyre “ka shumë gjasa të parashikohet se edhe ai vetë do të bëjë krime kundër personit kur të rritet si sulme ndaj personit, përpjekje për përdhunim, përpjekje për vrasje, rrëmbime dhe vrasje”.

Origjina e krimit i ka rrënjët në strukturën shoqërore dhe në një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që lidhen me të.

Dhuna është shkak i një personaliteti agresiv. Faktorët që ndikojnë në rritjen e kriminalitetit janë shumëdimensional:

1. Faktorë ekonomikë: varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të territorit, papunësia, veçanërisht në moshat e reja. Shumë fëmijë e kanë braktisur shkollën për shkaqe ekonomike. Gjithashtu një pjesë e tyre nga komuniteti rom apo nga familjet që kanë ardhur në metropolin Tiranë- Durrës apo kanë zbritur nga zonat malore në qytete nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm social dhe ekonomik për të zhvilluar personalitetin e tyre, për shkak edhe të kushteve të rënda ekonomike.

2. Faktorë që lidhen me familjen: mungesa e kontrollit të përshtatshëm prindëror, prindër të ashpër me një orientim disiplinor jo të qartë, divorcet e prindërve, mungesa e vlerave familjare. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre.

Jeta në një shtëpi të dhunshme apo në një komunitet të dhunshëm mund të krijojë turbullime tek fëmija sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë.

Kështu fëmijët më të rritur kërkojnë të gjejnë “të fortët” dhe “ata me pushtët”, kryesisht në grupet e moshatarëve sesa në marrëdhëniet me prindërit. Pra, sjellja agresive dhe dhuna e shfaqur janë reagim ndaj situatave që ai i mendon se e kërcënojnë.

Aspiratat e prindërve për fëmijët dhe vlerat prindërore luajnë rol formues në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij sepse shkak i shfaqjes së dhunës tek fëmijët është keqpërshtatje midis prindërve dhe fëmijës (një fëmijë i shkathët dhe energjik dhe një prind i ngathët krijon lidhje emocionale të tendosur).

Prishja e marrëdhënieve familjare, konfliktet dhe mosmarrëveshjet prindër-fëmijë – janë shkaku i rritjes së frikës dhe të pasigurisë së fëmijëve, i largimeve të tyre nga shtëpia deri në braktisje të familjes, i futjes së tyre në banda kriminale.

3. Faktorë që lidhen me shkollën: frekuentim i dobët, klasa të mbipopulluara në zonat urbane, largime nga orët e mësimit, dobësim dhe prishje e disiplinës në shkollë, marrëdhënie jo të mira mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e mësuesve ndaj nxënësve, motivim i pakët i nxënësve për të mësuar, shkatërrim i bazës materiale në shkollë, kontroll i dobët dhe ndëshkime të buta për nxënësit që vijnë në shkollë me mjete të forta, thika apo edhe armë zjarri.

4. Faktorë politikë: lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjor, moszgjidhja e çështjes së pronave, mungesa e vullnetit për të luftuar kriminalitetin, veçanërisht krimin e organizuar, punë e dobët e organeve kompetente për të mbledhur armët (me ligjin e ri të miratuar para pak kohësh u rrit edhe sasia e personave që mbajnë armë me leje pa qenë e nevojshme, thjesht për qëllime politike të qeverisë në ikje). Dhuna e pandëshkuar është terren i mirë që njeriu të kalojë pa shumë hezitime në sjellje agresive.

5. Faktorë socialë: alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e gruas me burrin, programe me karakter joshoqëror që transmetohen nga mediat, ku një rol negativ dhe shumë të dëmshëm luajnë filmat me vrasje (me killera). Dhuna e filmave merret si model për reagimet e mëvonshme personale dhe njeriu modelohet për t’u sjellë në mënyrë agresive.

6. Faktorë psikologjikë: stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, faktorët individualë të personalitetit, si temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë.

Teoria e të mësuarit social e vlerëson agresivitetin si një formë të sjelljes së mësuar sociale. Agresiviteti mësohet nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjerë dhe ruhet nëpërmjet përforcimit pozitiv.

Rritja e kriminalitetit përveç rrezikshmërisë shoqërore, cenimit të të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut, çon edhe në rritjen e kostos ekonomike, rrit shpenzimet nëpërmjet shërbimeve që shoqëria duhet të kryejë për t’u ardhur në ndihmë viktimave, për trajtimin mjekësor, për policinë, gjykatat, shërbimet e sigurimeve shoqërore e tjerë.

Nuk mjafton të marrësh nisma për rritjen e dënimeve, për ndryshime në Kodin Penal, Civil e të Familjes, (këto janë thjesht vetëm arnime. E rëndësishme është zbatohen ligjet në fuqi dhe ligjet e reja që do të miratohen dhe të zbatohen politika arsimore, ekonomike, juridike, sociale që e ulin shkallën e kriminalitetit.

Parandalimi i krimit është një problem serioz dhe kryesor për shtetin e shoqërinë tonë, është e duhet të jetë pjesë integrale e politikave në të gjitha fushat. Thelbësore është punësimi i njerëzve, zhvillimi i ekonomisë dhe rritja e mirëqenies. Dhuna fillon në mendjet e njerëzve. Shoqëria jonë duhet të edukojë individë që ideojnë “mbrojtjen e paqes” në mendjet e tyre. Për ta realizuar me sukses këtë kërkohet:

-Të aftësohen qytetarët për zgjidhjen paqësore të konflikteve, për rritjen e përsosjen e aftësive komunikuese midis palëve, për demokratizimin e marrëdhënieve.

-Politikanët, gjyqtarët, prokurorët, organet e ngarkuara për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë, nëpunësit e shtetit të jenë model në zhvillimin e sjelljeve dhe të zakoneve jo të dhunshme.

-Rritja e shërbimeve këshillimore psikologjike, sociale e pedagogjike.

-Të organizohen konferenca me karakter edukativ mbi dhunën.

-Forcimi i disiplinës, zbatimi i rregullores. Ndëshkime të ashpra për kriminelët dhe për gjithë ata që e inkurajojnë dhe e mbrojnë krimin.

-Projekte të përbashkëta shkollë-familje-shoqëri me temë: “Edukimi dhe toleranca”, “Të njohim e të zbatojmë Konventat e të Drejtave të Fëmijëve”.

-Shteti dhe Shoqëria Civile t’u afrojnë prindërve programe konkrete e të specializuara, me nivel të lartë se si mund të rriten e edukohen fëmijë jo të dhunshëm. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet dhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet që këta fëmijë (të vegjël sot) edhe kur të rriten e të martohen do të imitojnë sjellje të dhunshme të prindërve me përjashtim të rasteve kur kanë kërkuar ndihmë të specializuar për të ndryshuar sjelljet e tyre. Fëmijët e mësojnë këtë ves (dhunën) në familje dhe e përdorin për të siguruar atë që dëshirojnë. Ndëshkimi i prindërve që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre.

-Programe për fëmijët e rrugës, veprimtari që u interesojnë fëmijëve, çlodhëse dhe argëtuese.

-Dhënia e hapësirës së domosdoshme çdo fëmije, çdo qytetari, për të zhvilluar personalitetin e tij, prirjet e tij, biznesin e tij, për të ndërtuar jetën e tij me punë e ndershmëri.

-Inkurajimi dhe stimulimi i grupeve të ndryshme të fëmijëve që nuk e përdorin dhunën.

Kod të ri Civil, Penal, Familjar, rregullore të reja për shkollën, për administratën e shtetit, ndryshime në ligjin për mediat, në pjesën që lidhet me filmat me dhunë e vrasje, që jepen në çdo kohë, duke vendosur sanksione të forta: gjoba, heqje të licencës e deri në ndjekje penale kur shkelet ligji.

7 komente në “Jeta dhe pasuria e shqiptarëve është e rrezikuar çdo ditë e më shumë”

  1. *************** says:

    E verteta e hidhur ?
    Nderkohe “Elita” ruhet me dhjetra badigarde dhe I ka siguruar pasurite jashte shtetit.
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/07/face-off.html

  2. ARUSHA says:

    vrasesit i ke nga tropoja jote me te shumtet

  3. Sasati says:

    Ky eshte nje shqetsim i madh.Doktor Skenderi eshte psikolog dhe i njeh mire keto pune.

  4. trasparenca says:

    GJASHTE FAKTE.

    1-Kaosi shqiptar filloi me enver bishen qe kur shfarosi familjet me te shquara shqiptare dhe lejohet sot ta mbrojne kodoshet e vjeter o te rinj,te cilet duhen arestuar.
    2-Ky kaos vazhdoi me tranzicionin nga qe komunistet,spiunet drejtojne Shqiperine 22 vite.
    3-Pandeshkushmeria e politikaneve mekatare ka bere sot nje shqiperi kasapane.
    4-nano-saliu pa dale ne gjyq per mekatet e tyre, kasapana shqiptare do thellohet.Vrasjet do shtohen.
    5-Para gjyqit te dalin gjithe politikanet me pasuri mbi rogen e tyre.
    6-Dr.S.Demaliaj ka te drejte me shkrmin e tij.

  5. salehu = kriminel per ne Hage says:

    Shkaku numer 1: kryekrimineli sali berisha

    Shkaku numer 2: modeli kallup I shtazeve te krijuar nga kryekrimineli sali berisha

    Zgjidhja: duhet hequr shkaku i kancerit qe ka zene Shqiperine, shkaku numer 1

  6. punetori says:

    Nje shoqeri rregullohet me zbatim ligji e jo me leshime.C’far mund te presesh kur ne parlament ku behen ligjet ndigjon fjalorin me rrugaceror
    qe do e kish zili c’do kriminel.C’far mund te ndiesh siguri kur deputet e
    pushte tar akuzojne njeri tjetrin per vjedhie milionash?Nuk edukojne nje shoqeri fjalet ,por veprat.Ne kemi shkateruar themelin e shoqeris FAMILJEN.

  7. Linda says:

    Ju lumte prof.Demalia.Si psikolog keni analizuar shkencerisht faktoret qe ushqejne kriminalitetin.Qeveria e re duhet te njohe keto shkaqe dhe te ofroj njerez si ju per te perballuar me sukses veshtiresite qe ka perpara vetes.Pa rend nuk ka qetesi per aktivitet bisnesi dhe jete normale,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje