Nuk i dëgjoi askush!

31 Korrik 2013, 19:08Blog TEMA

Nga Met Dervishi

 

Një ditë para se kryeministri i ri, z. Edi Rama, të bënte publike emrat e qeverisë së re, para bashkisë së Durrësit ka pasur një reagim domethënës të disa shoqatave. Disa të rinj, kanë improvizuar një miniplazh me disa çadra e shezlongje para lulishtes së bashkisë. Dhe, si plazhistë të vërtetë, që s’kanë ku të vënë një çadër në të gjithë bregdetin e pushtuar nga “privatët”,kanë bërë plazh para godinës së pushtetit vendor.

Në pamje të parë, duket sikur kjo ngjarje duket sikur nuk ka lidhje direkt me qeverinë e re. Natyrisht as me strukturën dhe as me emrat e saj. Në rastin më të mirë, ky lloj reagimi është tregues i pritshmërisë qytetare për një model të ri qeverisjeje.

Por, nuk është e nuk ka se si të jetë vetëm kaq. Unë hyj te ato njerëz që i besoj z. Edi Rama kur thotë që do të sjellë një ndryshim rrënjësor në raportet e qeverisjes me qytetarin që e ka votuar atë. Por, natyrisht, hyj dhe te ato njerëz që duan prova për këtë.

Ngjarja e djeshme para bashkisë së Durrësit ngre disa pikëpyetje. Së pari, ngaqë bashkia e Durrësit është socialiste, së dyti që këshilli bashkiak i këtij qyteti ka marrë një vendim që 40% e plazhit do të jetë e publikëve, 60% e privatëve, së treti që aktualisht i gjithë bregdeti i Durrësit/ Shqipërisë është zënë nga privatët, dhe, së katërti, shumica dërrmuese e këtyre privatëve janë informalë, pra klientë politikë, të tatimeve, taksave, pushtetarëve vendorë, etj.

Por ka dhe diçka tjetër. Asnjë pushtetar vendor dje nuk ka shkuar të takohet me këta plazhistë të çuditshëm, madje, megjithëse i kanë pasur para hyrjes e daljes së bashkisë, duket sikur s’i kanë parë, gjë ka që ka pak të ngjarë, kurse, në rastin më të keq, i kanë shpërfillur. Me fjalë të tjera kjo do të thotë që pushtetarët vendorë, kësaj proteste i kanë thënë: Ohuuu, bjerini legenit ju!

Dhe ajo që është më trishtuese ka të bëjë me mediat tona. Në Durrës janë përfaqësuar të gjithë mediet qendrore të cilat gjatë gjithë ditës e natës, njëzet e katër orë rresht, janë marrë me plagosjet te hyrja e Durrësit, dhe mirë kanë bërë. Por problem është se mediet tona këtyre protestuesve u kanë thënë pak a shumë të njëjtën gjë që u kanë thënë pushtetarët vendorë: Ohuu, bjerini legenit ju!

Ky refren, “Bjerini legenit ju!”, po bëhet njëzetvjeçar. Dhe, në fakt, është e duhet të jetë një kambanë alarmi për z. Edi Rama dhe qeverinë e tij. Se, historia jonë e këtyre njëzet vjetëve të fundit, nga ky këndvështrim, nuk është veçse historia e pushtimit të publikes nga pushteti, “informalët”, klientelat, biznesmenët doganierë, bodygardët…

Pushtimi i plazheve tona është vetëm një episod i trishtueshëm, i “pushtimeve” të tjera, të cilat pavarësisht se si i etiketojmë ose pse i etiketojmë, janë legalizuar nga një pushtet në tjetrin. Dhe, sa i përket plazheve, dhe sidomos, sa i përket plazhit të Durrësit, prej këtij/këtyre legalizimeve, s’është se tani nuk kemi një hapësirë publike për plazhistët, por, as më shumë, as më pak, duket që e kemi humbur dhe vetë plazhin e Durrësit si plazh. Dhe, nëse llogarisim që në këtë plazh janë investuar, ndoshta, më tepër se sa tre miliardë dollarë, këtu kuptohet që skema e zhvillimit tonë ka qenë shkatërrim nëpërmjet investimeve/ndërtimeve.

Dje, pesë gjashtë shtatë vetë që “bënë plazh” në lulishten para bashkisë së Durrësit e kanë pasur mesazhin për publiken në plazh. Por, në të vërtetë, pavarësisht se sa të vetëdijshëm kanë qenë ata të rinj, kambana e alarmit ka rënë për/kundër një modeli zhvillimi. Ndaj të cilit, në fakt, ka njëzet vjet që protestohet dhe po njëzet vjet që na përsëritet i njëjti refren:

-Bjerini legenit ju!…

Për të mos folur pastaj për 21 Janarin, që si përgjigje morëm plumbat. Se, në fakt, nëse katër vetë na janë vrarë, plumbat në trup i kemi të gjithë.

Pritshmëria publike për z. Edi Rama është e madhe. Por, një ditë para publikimit të emrave të qeverisë së tij, disa të rinj protestuan sipas mënyrës së tyre dhe nuk i dëgjoi askush.

5 komente në “Nuk i dëgjoi askush!”

  1. demokrat says:

    Nje te mire e pati ikja e Berishes , qe u hoqi tash e tutje deshtakeve socialiste ne drejtimnin e qyteteve kryesore te Shqiperise mundesine per tu shfaqesuar per paaftesine e tyre deri kriminale. Vlora qe duhet te ishte Monako eshte kthyer ne Cikagon e viteve 30 dhe leshqeni i bashkise ne vend qe te merret me pune merret me gazetaren, Gjirokastra si mos me keq nga qeverisja e nje halldupi me bark sinonim i paaftesise per tu kujdesur per vete e jo me per nje qytet, Fieri i vene nen thundern e krimit te organizuar dhe bandave lokale aq sa Palermo duket si engjell, Berati i keqadministruar dyfish, Korca ku shembet shqiptarizma dhe promovohet ne qeveri, Elbasani ku vdiset cdo dite nga pak jeta dhe shpresa, Durresi si te jete bindovil i Johanesburgut apo rrethine e Sao Paolos. Krim dhe paaftesi, ja cfare ofron qeverisja socialiste lokale. Shpresoj se liberali Rama, do te kete kurajon te shkaterroj banden mafioze lokaliste , ashtu si beri me banden mafioze te Fatos Nanos per te bere shtet, per hir te Shqiperise.

  2. hajde njehere ne shkoder o demokrat dhe shiko LORENC LUKEN
    pastaj llap sa te duash per PELESHIN

  3. moisiu says:

    Pamvaresisht se perkrahem dhe votuam Edi Ramen ,duhet te degjohet dhe mendimi tjeter opozitar ,ne rastin konkret ,”demokrat”aty ku ekziston problemi ,te cfaqet dhe te eleminohet, se eshte per te miren e te gjitheve.

  4. asi says:

    Bjeri legenit me kujtoj kohen kur sala bente fushate.

  5. kitara e thyer says:

    Kjo eshte gazetaria qe ju duhet shqipetareve.Te meret me problemet e perditeshme qe kemi.Komplimente.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje