Zombi i tranzicionit

3 Gusht 2013, 20:47Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Punë e mbarë!

E para gjë që duhet t’i thuhet qeverisjes së ardhme PS-LSI, veçanërisht prej kundërshtarit politik, është ‘puna e mbarë’. Sa për etikë politike, po aq dhe për respekt të votuesit pa dallim që meriton shansin e qeverisjes së mirë, pavarësisht logos partiake të fituesit. Pasi edhe në humbje mund të fitohet duke krijuar precedentë që shndërrohen në kapital politik më pas.

Rezerva, racionale apo parandjenja, mund të ketë plot ndaj qeverisë në ardhje PS-LSI. Qoftë për ekipin – syresh gjykojnë se u lanë në harresë apo u trajtuan për diferencë figura të spikatura dhe simbole të opozicionit 8 vjeçar, reminishenca ‘nepotizmi’, mbyllje e lojës në rreth të ngushtë, qeveritarë pa dimension parlamentar dhe me integritet të patestuar nisur nga spostimi që i bën meritokracisë ligji zgjedhor, inflacion postesh ministrore etj, ashtu dhe programin e PS-LSI por në respekt të etikës politike, rezervat dhe aq më tepër paragjykimet apo përgojimet, duhet t’i lënë vendin fillimisht shansit për t’u provuar.

 

Na thoni çfarë doni!

Qeverisje ideale nuk ka por nëse gabimet dhe abuzimet janë të pashmangshme, ajo që ka rëndësi për një qeveri që apeloi rilindjen, është reagimi krejt ndryshe nga më parë. Sepse sa abuzimi vetë, ajo që provokon më tepër irritim në elektorat do të ishte tentativa për ta fshehur apo bërë dalje atë. Në këtë sens, pritshmëria ndaj mazhorancës së re, sesa qeverisja e përkryer, është përgjegjshmëria ndaj gabimit në qeverisje duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë pavarësisht kostos që ngërthen – penalitet ligjor, largim nga qeveria, dorëheqje individuale,  deri rokadë lidershipi apo lançim zgjedhjesh të parakohshme.

Ndërkohë mbetet inkurajues fakti që qeveria e ‘rilindjes’ e ka filluar me vrull. Dhe nëse shtatorin nuk e sjell dot më pranë, ajo po i del para punëve për t’i dhënë vetes dhe shoqërisë shansin për të qeverisur që ditën e parë me kapacitet të plotë (full steam) – formatimi pa vonesë i ekipit qeveritar, kabinetet përkatëse, ftesa publike për sugjerime nga qytetarët etj. Një ritëm ky pozitiv, pavarësisht kostos dhe rrezikut të përgojimit të ‘parakohshëm’ prej opozitës të rënë nga ‘fiku’ dhe që dëshmon respekt për pritshmëritë dhe padurimin e shoqërisë për ndryshim, përballë absurdit kushtetues të dy muajve tranzit qeverisjeje(!). Një anomali kjo që duhet të jetë pjesë e rishikimit kushtetues, sikurse vetë ligji zgjedhor apo muaji i sezonit elektoral, sepse inercia dy mujore kushtetuese ‘secili për vete, Zoti për të gjithë’, në kushtet kur shërbimi civil është larg asaj ç’ka pritet, rëndon veçse artificialisht faturën e rotacionit dhe të përditshmen e qytetarit pa dallim.

 

‘Vaksina’ antitranzicion

Sesa rotacion, vota e qershorit ishte duf ndaj tranzicionit dhe simbolikave të tij. Një numërim mbrapsht ky që zë fill më 2005 me prishjen e balancës ‘koka-pil’ dhe largimin nga skena politike të liderit të PS fati ters i të cilit ishte se kishte përballë tersin e tranzicionit (kur nuk ke vullnet t’i kundërvihesh problemit, bëhesh pjesë e tij). I mbetur pa alibi dhe i izoluar si faktor, lidershipi i PD mori ç’ka pritej në qershor duke ringjallur shpresën e normalizimit të tregut politik dhe konsolidimit të konkurrencës së lirë dhe etike në të si kudo në perëndim duke lënë pas ‘parafabrikatet’ e së shkuarës dhe mbyllur çdo shteg ndikimit të gjeo-politikave antishqiptare në rajon. Ku qëllimi final është ‘arkivimi’ i tranzicionit si përmes një qeverisjeje të mirë dhe të përgjegjshme ashtu dhe opozite konstruktive dhe inspiruese. Që në respekt të shtetit ligjor, mbeten e vetmja garanci që ‘zombi’ i pakallur e tranzicionit të mos trazojë me shanset për normalitet demokratik.

Por ndërsa premisat e qeverisjes së shtatorit janë inkurajuese teksa ekipi dhe filozofia e shpalosur qeverisëse e kanë bazën në ‘divorcin’ e 2005 kur iu tha ‘Jo’ klisheve dhe inercisë që mbanin peng ecjen përpara, kjo nuk po ndodh në PD. Në të sot ‘fara’ e tranzicionit jo vetëm mbetet tabu por dhe po riciklohet me ‘kubik’ dhe platforma e ‘vazhdimësisë’ është platforma e suksesit dhe e karrierës së sigurt. Nëse vijohet kështu, publiku do të ndodhet i ‘zbuluar’ dhe pa alternativë progresive ndaj qeverisjes që nis rrugëtimin në shtator. Asnjë qeveri nuk është e përjetshme dhe koha nuk është aleat i saj por lajmi i keq nuk është dështimi i saj por mbetja pa alternativë progresive dhe vendimmarrja ‘për diferencë’ elektorale e sfumuar nga amnezia politike. Kjo, sa kohë PD përfaqëson ende atë që lamë pas këtë qershor duke provokuar sërish zgjidhje ‘nga shiu në breshër’ sikurse 2005 dëshmoi.

Me ngritjen e pritshme të ‘stekës’ së sjelljes demokratike prej qeverisë së re, vendi ka nevojë ekzistenciale për opozitë që inspiron realisht dhe garanton më tej ‘varrosjen’ e tranzicionit, ushtron trysni efektive dhe etike ndaj qeverisë së re si dhe ka moralin e duhur për të bërë këtë gjë. Rilindja e demokracisë nuk mund të jetë monopol i askujt por fusha e lojës ku palët konkurrojnë.

 

Ora e së djathtës

Në PD nuk u shfrytëzua momenti post elektoral për reflektim (më shumë peshon ‘fitorja’ e korrikut se sa humbja e qershorit) dhe me ‘hekurin’ politik në ftohje e sipër, riciklimi formal po zë vend. Ndërkohë, rinovimi real, në dukje mision i pamundur për shkak të ‘kalçifikimit’ të statukuosë, nepotizmit në lidership dhe tundimit me burimet njerëzore dhe ato financiare që vijimësia garanton, mbetet sfidë jetike jo vetëm për fatin e PD dhe së djathtës në tërësi por dhe të vetë demokracisë në çapitjen për daljen nga rrethi vicioz i tranzicionit pafund. Dhe nëse brenda PD ‘shkëndijat’ e rebelimit po fiken dhe ‘bukëshkalët’ po marxhinalizohen me ndikim në vetë fatin e së djathtës, në mos e thënë brënda PD, riformatimi i së djathtës dhe i profilit modern opozitar duhen ngjizur gjetiu.

E djathta ka humbur boll kohë dhe sot është detyrim historik për idealistët brenda PD, formacionet alternative djathtas (FRD, PLD etj) ashtu dhe individë të spikatur të së djathtës brenda dhe jashtë vendit (veçanërisht emigracioni i hershëm dhe ai rishtas në SHBA) për t’u ulur në një tryezë të rrumbullakët dhe lançuar projektin afatgjatë për një të djathtë moderne me inspirim dhe veprim perëndimor. Në këtë kuadër, FRD ka shansin dhe përgjegjësinë historike për të qenë promotore e së djathtës reale në vend duke sponsorizuar dhe hapur garën për lidership të frontit opozitar të djathtë përmes ftesës ndaj gjithë figurave të spikatura dhe me moral të së djathtës, brenda dhe jashtë vendit, duke inkurajuar kësisoj më tej shpirtin e së djathtës moderne të denatyruar kaq gjatë.

‘Vaksinimi’ ndaj tranzicionit, krahas qeverisjes së mirë, nënkupton edhe opozitë (në këtë rast të djathtë) moderne. 2013 nuk është humbja e së djathtës por e surogatos së saj. Me 2013 si vit të çlirimit të së djathtës reale, sfida mbetet përdorimi i lirisë në ngjizjen dhe jetësimin pa kthim të saj.

3 komente në “Zombi i tranzicionit”

  1. aras says:

    Po puna e mbare, keshtu duhet thene, dhe ndoshta kjo fjale ne vesh te Perendise, meqenese eshte dite Ramazani dhe Zotin e kemi prane me shume se kurre, dhe patjeter njeriu qe eshte zgjedhur duhet ti marre votat seriozisht sepse populli ka ne dore gjithcka .

  2. ILIRET says:

    Berisha e Basha po urojne, ne fakt mallkojne, qe qeveria e re te deshtoje ne realizimin, jo vetem te premtimeve te bera, por deshtim teresor te qeverisjes.
    Kush fiton ?Berisha dhe Basha. Kush humbet? Populli i gjore. Shqiperia qe mund te zvarritet vite e vite dhe Europa i mbetet vetem nje enderr.
    Per popullin, sepse Berisha ka mberritur ne Europe qe ne vitin 1976. Ndersa Basha eshte qytetar Holandez.
    Pra ne thelb urimi qe behet nga Berisha e Basha eshte. O popull, ishalla vdes nen qeverisjen e Rames, qe ne te vijme ne pushtet sa me shpejt.
    Cili duhet te ishte ne fakt urimi nga cdo njeri me dy gram tru. Pak a shume ai qe beri ambasada amerikane, apo qe po bejne edhe ambasadat e tjera, por une me shqip, do ta permblidhja.
    Urojme qe nen qeverisjen e re, populli shqiptar te zhvilloje ekonomine, punesimin , biznesin, jeten e tij, rendin e qetesine publike dhe te arrije nje mireqenie
    te admirueshme ne nivelet e shteteve te perparuara europiane.
    Nese keto arrihen, ne ( dmth PD), kurre mos ardhshim ne pushtet. Vetem populli te perparoje. Do te luftojme te vijme ne pushtet kur kjo qeveri do te shfaqe shenja lodhje dhe stanjacioni.
    Ja kjo duhet te ishte lutja e Berishes, Bashes. Dhe jo si po veprohet dhe po thuhet: kurre mos arrifte asnje rezultat ky popull nen kete qeveri, ndryshe ne ( dmth PD) nuk do mund te vijme ne pushtet. Gati sa nuk po thone:- I dalte kanceri mu ne gryke popullit qe nuk votoi PD-ne!
    Ja keshtu e ka kuptuar deri tani populli, opoziten e re. Mirepo keshtu kjo opozite do te vije nje dite qe do te jete shume e plakur…

  3. tekniku says:

    Shqiptare harroni Berishen,sa me shpejt me mire per ju.C’fare do te beje drejtesia me kete fare burri do ta shohim,por ky idiot i lindur dhe paranojak kurre nuk do te kuptoje se c’fare deme kolosale i ka bere atij vendi dhe gjithsecilit nga ne.Nuk kishim arsye te merrnim rruget e kurbetit qe mbetet kurbet,por kur vendi yt te perze do you have another choice.Go in hell Sali Berisha the monster.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje