EULEX-i edhe ashtu në këta pesë vjet e gjysmë të mandatit në Kosovë ka dëshmuar se prioritet i konsideron vetëm rastet e krimeve të luftës, ndërsa në Kosovë por edhe në vetë BE ka zhgënjim të madh me performancën e këtij misioni në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. EULEX-i është bërë dëshmi e mirë se për luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet vullnet politik e ky vullnet, pos në retorikë, duket se nuk ekziston as në Prishtinë, as në Bruksel
Kur e cilat kompetenca do t’i dorëzojë, apo kur do të largohet eventualisht EULEX-i nga Kosova, nuk do të vendosë Qeveria e Kosovës. E nëse ky vendim nuk do të mund të merret nga Qeveria e Kosovës, kush është Kuvendi që të vendosë për një gjë të tillë. Kuvendi i Kosovës është bërë institucioni më joserioz në Kosovë. Është bërë institucion i cili shërben si një makineri votimi, sipas dëshirës së Qeverisë, dhe deputetët e këtij Kuvendi kanë pranuar rolin e statistëve të zhvillimeve politike në regji të dikujt tjetër. Kuvendi është i tillë, sepse të tillë në këtë moment e duan Qeveria e Kosovës dhe Brukseli, e besa edhe Washingtoni. Parlamenti kështu bekon gjithçka që duan regjisorët dhe i lejohet që kohë pas kohe të bëjë ndonjë debat apo edhe të miratojë ndonjë rezolutë, e cila nuk mund të bëjë asnjë dëm.
I tillë ishte edhe debati dhe rezultati i debatit lidhur me mandatin e EULEX-it. Në një anë, ky debat dhe rezultati kanë për qëllim që të qetësojnë disa qarqe në Qeverinë e Kosovës dhe në PDK, të cilët janë të shqetësuar pse EULEX-i po ngre akuza kundër njerëzve shumë të rëndësishëm të pushtetit. Në anën tjetër, njerëzit nga pushteti u thonë miqve ndërkombëtarë se duhet të kenë mirëkuptim se ata e respektojnë EULEX-in, por duhet ta mbajnë edhe mbështetjen e bazës për të zbatuar politikat të cilat po i koordinojnë me BE-në dhe Serbinë.
Misioni i EULEX-it në Kosovë është në një situatë permanente të paqartë. Vizioni për angazhimin e tij ishte përgatitur që në vitin 2006 dhe u përfshi në propozimin e Ahtisaarit. Problemi i parë doli kur BE-ja nuk qe në gjendje të mbështesë këtë pako e as të ketë qëndrim unik rreth statusit të Kosovës. Kështu misioni u dërgua në Kosovë me tri lloj bazash. E para ishte “veprimi i përbashkët“ i BE-së, e dyta Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e treta ftesa nga “autoritetet e Kosovës”. Po ashtu EULEX-i asnjëherë nuk e kishte sqaruar se çfarë nënkuptohet me “ligjet në fuqi“ (applicable law), kështu që vetes ia la mundësinë që të mund të bazohet, në bazë të nevojës, edhe në ligjet e Kosovës, edhe ato të Serbisë, edhe në ato të UNMIK-ut. Kështu edhe EULEX-i është shndërruar edhe në një veprim të BE-së ku filozofia e veprimit, e edhe formula e suksesit, është “paqartësia konstruktive”, formulë me të cilën tash e sa kohë janë arritur edhe disa marrëveshje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke lënë qëllimisht mundësi për interpretime të ndryshme.
Paqartësitë janë gjëja e fundit që i duhet një misioni, i cili dëshiron të ketë sukses në luftimin e krimeve serioze dhe korrupsionit në një vend si Kosova, të cilin vetë organet e BE-së dhe shteteve anëtare e konsiderojnë si oazë të krimit.
Tash kur Kuvendi i Kosovës kërkon “rishqyrtim” të mandatit të EULEX-it ka reaguar Beogradi. Kjo është paradoksale, sepse deri tash serbët e Kosovës kishin problem me EULEX-in dhe ende nuk ia kanë lejuar mundësinë e lëvizjes së lirë në veri të Kosovës. Ende në YouTube mund të gjenden xhirimet e Policisë së Serbisë se si e ndjekin një veturë të EULEX-it nëpër veri derisa ajo veturë të mos largohet.
Veriu i Kosovës, lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe ajo kundër krimit të organizuar janë dështime të EULEX-it. Ajo pjesë ku EULEX-i mund të thotë se ka pasur sukses janë krimet e luftës. Shumë raste janë zgjidhur, shumica duke u hedhur poshtë, ndërkohë që nuk ka hezituar të ngrejë aktakuza ndaj njerëzve kryesorë në hierarkinë politike të Kosovës për krime lufte. Madje, përmes një ekipi të posaçëm „special task force“ të formuar nën mandatin e EULEX-it e të udhëhequr nga një prokuror amerikan, po bëhen hetime edhe për akuzat e përmendura në raportin famëkeq dhe qëllimkeq të Dick Marttit ku përmendet edhe vetë kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. Rastet e krimeve të luftës duket të jenë pjesë ku politikanët e Kosovës nuk kanë arritur të kenë ndikim në punën e EULEX-it.
Rastet e krimeve të luftës janë çështje shumë të ndjeshme edhe në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë. Në secilin shtet nuk do të kishte problem të ndiqen rastet ku kryerësit janë pjesëtarë të kombeve të tjera ndërsa viktimat janë „nga ana jonë“. Por problem është të gjesh prokurorë dhe gjykatës vendës të cilët do të ngrinin aktakuza dhe të dënonin luftëtarë nga radhët e tyre, e sidomos nëse ata janë ose të kyçur në politikë, ose shumë të afërt me partitë politike. Këtë edhe në të ardhmen do ta shfrytëzojë EULEX-i për të kërkuar që, së paku, në rastet e krimeve të luftës, të mbajë kompetencat edhe në të ardhmen dhe madje për disa vjet. Do të përmendin se “në Kosovë nuk mund të mbrohen dëshmitarët”, se “Kosovës i duhet ende kohë për t’u bërë gati për të marrë këto përgjegjësi”, e edhe vetë Kosova do ta ketë më të lehtë sikur këtë punë t’ia lërë dikujt tjetër, në këtë rast EULEX-it, dhe këtë do të arsyetojë edhe me „perspektiven tonë evropiane“ për çka „EULEX-i na ndihmon“.
EULEX-i edhe ashtu në këta pesë vjet e gjysmë të mandatit në Kosovë ka dëshmuar se prioritet i konsideron vetëm rastet e krimeve të luftës ndërsa në Kosovë, por edhe në vetë BE, ka zhgënjim të madh me performancën e këtij misioni në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. EULEX-i është bërë dëshmi e mirë se për luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet vullnet politik e ky vullnet, pos në retorikë, duket se nuk ekziston as në Prishtinë e as në Bruksel.
Edhe ashtu vitin që vjen duhet të “rishqyrtohet mandati i EULEX-it“, sepse ideja ka qenë që ai madje në vitin 2014 të përfundojë. Por kjo nuk do të ndodhë, siç nuk do të ndodhë që Kosovë në vitin 2014 të bëhet anëtare formale e NATO-s siç, po ashtu, kishin premtuar disa nga zyrtarët e tashëm të Qeverisë. BE-ja do të bindë pa problem Qeverinë e Kosovës që të “ftojë EULEX-in që të rrijë në Kosovë“, serbëve do të vazhdojë t’u thotë se mandati është sipas „Rezolutës 1244 të OKB-së“ dhe se „EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës“.
Qartësi të plotë nuk ka ende e as nuk do të ketë. BE-ja ka mbështetur Ligjin për amnisti në Kosovë, por ende nuk ka dhënë përgjigje të prerë se a e pranon EULEX-i atë ligj dhe cilat raste të EULEX-it do të kenë pasoja nga ky ligj.
Por një gjë është e qartë: EULEX-i do të mbetet në Kosovë. Letrat për „ftesë“ edhe ashtu nuk i shkruan Prishtina, por i ftuari. Po ashtu është e qartë se Kosovës do t’i duhet EULEX-i, sepse pa EULEX-in edhe ajo shpresë e vogël për rezultate të dukshme në luftë kundër korrupsionit do të humbet krejt. Në situatën kur, siç thonë privatisht disa diplomatë në Bruksel kur flasin për luftë kundër korrupsionit në Ballkan, “për autoritetet e vendeve të Ballkanit lufta kundër korrupsionit shpesh është luftë kundër vetvetes”, largimi i EULEX-it nga Kosova, pa dhënë rezultate konkrete do të shihej si dështim përfundimtar dhe do të zhgënjente edhe më shumë një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Ajo që shpesh harrohet kur flitet për pakënaqësitë me EULEX-in është se ka disa lloje dhe arsye të pakënaqësisë. Një pjesë është kundër EULEX-it për shkak se ai po i akuzon ish-pjesëtarët e UÇK-së, por një pjesë tjetër e zhgënjimit është joefikasiteti për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë politik. Edhe nëse është e vërtetë ajo që thonë zyrtarisht në BE se „EULEX-i është tërësisht jopolitik dhe nuk ka asnjë ndërhyrje politike në punën e tij“, në Kosovë ka gjithnjë e më shumë dyshime se EULEX-i, për shkak të stabilitetit afatshkurtër politik nuk dëshiron të “prekë peshqit e mëdhenj të korrupsionit”.
Në BE po ashtu nuk janë tërësisht të kënaqur me EULEX-in, por për arsye që nuk janë të njëjta me ato pakënaqësi që u dëgjuan në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, kritikat ndaj EULEX-it nga shtetet e BE-së nuk janë publike, sepse edhe ato mbajnë fajin për mosgatishmëri për të kontribuuar në këtë mision.