Nga ing. Ahmet ÇOLLAKU
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi, do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe”.
Edward R. Morrow (1908-1965), gazetar
Para ca vjetësh komunikova me prof. Alfred Frashërin dhe midis të tjerave e pyeta si i vlerësonte këto procese koncesioniste me të huajit. “Në kushtet e globalizimit, – më thotë ai, – investimet e huaja janë normale, problemi është si bëhen kontratat. Nëse në ekipet do të punësohen specialistë me miqësi, siç bëhet, të huajt nuk kanë për të gjetur kurrë naftë apo minerale xeherore, sepse me ato një-dy vjet që rrinë, sado profesorë të zotë të jenë, ata kurrë nuk do të arrijnë të kuptojnë gjeologjinë e Shqipërisë. Njëzet vjetët e tranzicionit këtë e kanë vërtetuar katërçipërisht, konkretisht nuk është gjetur asnjë vendburim. Në ekipet e tyre nuk gjen asnjëherë specialistë shqiptarë që njohin zonën. Ka plot shembuj. Të huajt shfrytëzojnë si mos më keq ato vendburime që kemi zbuluar ne. Kjo është fatkeqësi për vendin, sepse vitet ikin, ata marrin copat më të pasura dhe më të lehta, konkretisht nuk zhvillohet industria për të punësuar shqiptarët. Këtë ua kam thënë të huajve që këtu e 20 vjet më parë në një kongres ndërkombëtar të EAGE-së në Firence të Italisë, si dhe disa kanadezëve që kërkonin bakër në Shqipëri. Kjo do të thotë të bësh një vrimë në ujë…” Dhe më pas vazhdon: “ Brezi ynë bëri një mal me punë, ne kemi detyrë ta dokumentojmë atë për brezat e ardhshëm. Unë kam zgjedhur shkrimin shkencor dhe atë popullor, ku i dihet, ndonjë ditë të bukur më mbushet mendja të shkruaj edhe një biografi për brezin tonë, sepse unë e konsideroj veten si pjesë të këtij brezi. Brezi ynë e gjeti naftën me dije, me punë, me sakrifica, me dashuri të madhe, kurse këta të huajt po e grabisin, sikur kjo Shqipëri të jetë një han pa zot. Kam shkruar dhe kam folur, po kush të dëgjon?!”
Prof. Alfred Frashëri ka qenë prof. im në kursin e gjeofizikës. Ishin vitet kur mori çarje kampi socialist dhe shumë studentë shqiptarë u kthyen në atdhe pa mbaruar studimet. Një prishje në strukturë dhe teksturë. Ky vetëpushtim shqiptar lindi shumë iniciativa, njëra nga këto iniciativa ishte edhe ajo, kolera “gjithçka me forcat e veta”. Produkt i kësaj që edhe ngritja e kursit special të gjeofizikës në Fakultetin Gjeologji-Miniera në Tiranë. Sado dëshirën e mirë dhe përkushtimin e madh të disa pedagogëve dhe specialistëve të prodhimit, kjo iniciativë la një hije të keqe jo vetëm në aftësimin cilësor të studentëve, por dhe në personalitetin e tyre për të qenë specialistë shqiptare të zotë dhe të depolitizuar. Disa pedagogë të këtij kursi special ishte në nivel të ulët, pa kualifikim të përshtatshme për ato lëndë specifike të pa njohura deri në atë kohë, pa traditë, pa bazë materiale, pa laboratorë, pa eksperiencë, të cilat, ndihen edhe sot, edhe pasi kanë kaluar shumë vite. Shkollat e larta të degëve speciale ngrihen në bazën e një tradite, kjo sidomos për shkencat konkrete, siç janë shkencat e gjeologjisë, të kërkim-zbulimit të naftës, të xeherorëve etj. Por duhet thënë se midis pedagogëve dhe specialistëve që spikati për mirë në këtë kurs më shumë nga të tjerët ishte prof. Alfred Frashëri. Prof. Alfredi është një përjashtim nga sindroma “me forcat e veta”, paçka se ai vetë është më shumë, një specialist i vetëkualifikuar, autodidakt, i vetëperfeksionuar duke kërcyer nga shkolla në prodhim dhe nga prodhimi në fakultet. Për shembull, prof. Alfredi ishte shumë më lartë se i ndjeri H.T., i cili kishte mbaruar në Rusi dhe ishte emëruar drejtor në një ndërmarrjen gjeofizike të Fierit. Atë e caktuan të na jepte lëndën e sizmike, shkencën kryesore të studimit të Tokës… Prof Alfredi ishte shumë më lartë.
Në pamje të parë profesor Alfredi dukej shumë serioz dhe i rëndë. Shkumësi i konsumohej shpejt teksa shkruante në dërrasë të zezë ato formula të gjata dhe të vështira. Puna e tij ka lënë hije në Fakultetin Gjeologji-Miniera, në atë godinë gati të rrumbullakët, mes atyre pemëve të gjelbëruara që thithen një pjesë të rinisë time. Tani pas shumë vjetësh ato pemët rrotull atij tempulli nuk janë më, me përjashtim të ndonjë të vetmuare, të plakur, që mundohet t’i rezistojë kohës dhe vandalizmit shqiptar. Të vjen gjynah që ato pemë janë çregjistruar nga memoriet e të gjithëve. Rreth kësaj godine të bukur, janë ndërtuar apartamente të larta të cilët e kanë burgosur sikur ajo të jetë një Vatikan për keq. I kanë vjedhur horizontin nga të gjithë anët. Tani këtu për të dhënë mësim, kanë ardhur specialistë me tituj të lartë shkencor, por ata nuk thonë asgjë për perspektivën e naftës shqiptare, nuk vizatojnë ndonjë objekti konkret.
Po le të vazhdojmë me prof Alfredin. Që nga ajo kohë ka rrjedhur shumë ujë. Të gjithë pa përjashtim janë plakur. Prof. Alfredi është rritur, por jo plakur. Punë dhe vetëm punë. Puna e madhe që ai bëri e instaloi aty në atë fakultet, kur dihet se në Shqipëri cinizmi dhe lufta për karrige bëjnë hatanë. Edhe tani pas shumë vitesh, po ta soditësh me vëmendje teksa ecën në rrugë, ai të ngjan si një statujë lëvizëse me atë çantë varur në dorë. Ajo çantë varur përjetësisht në dorën e tij rëndohet nga formulat sepse formulat janë nervat e tij. Kështu dora dhe çanta e tij nuk kanë tradhtuar kurrë njëra-tjetrën, as në dimër dhe në verë, as në kohë gripi apo fushate zgjedhjesh, as në kohën moniste apo në këtë kohë tranzicioni, që zgjatet e zgjatet si Seri Furie. Tirana sikur nuk mund të nënkuptohet pa prof. Alfredin, kurse Fakulteti i Gjeologji-Minierave e mban aty pranë si një statujë akoma të pa zbuluar.
Ai lë rrugët e rrugicat, pastaj bën majtas, djathtas, gjithmonë duke u menduar, vret mendjen për të saktësuar një studim. Sado që ka shumë zhurmë, hapësira e gjerë e inspiron. Djajtë kanë hipur në makina, i ngasin ato pa limit, si në ekstazë. Ai ecën dhe interferon me të gjithë, po deri më sot nuk ka bërë vaki të përplaset. Prof. Alfredi nuk lëviz nga e tija. Çfarë mendon? Një Zot e di përgjigjet proverbi gjerman. Ai kurrë nuk mendon të vjedh, siç bëjnë shumë elitarë ulur në bankat majtas apo djathtas. Duke ecur këmbehet me lloj-lloj njerëzish. Prof. Alfredi u bë zot i vetes, sepse ai i qëndroi korrekt mësimit latin që thotë, se në dituri shkohet nëpërmjet tri rrugëve, përmes të menduarit, edukimit dhe përvojës.
I përpiktë dhe autodidakt, ai nuk humbiste as një minutë rrugëve, ai ishte shumë i saktë në ato që thoshte dhe në ato që kërkonte, apo shkruante, insistonte që ne ti dinim të gjitha, edhe pozicionet e kondensatorëve apo të rezistencës në skemën elektrike të stacioneve të karrotazhit, i kërkonte ato sikur të ishin qenie biologjike. Hapte atë libër të madh në gjuhën rusisht e që andej shpaloste skemat elektrike e më pas ngulte gishtin në një nyjë e nuk e hiqte atë pa dëgjuar përgjigje.
Tek ai lirizmi dhe humori janë të fshehur, prandaj duhet ndonjë detonator që ato të shpërthejnë, po kur ai qesh, shëmbëllen me një fëmijë që mezi pret një rast për tu dëgjuar. Ai ka graduar me mijëra specialistë të thjeshtë dhe pasuniversitar, të gjithë ata të graduar kanë pagëzimin e tij.
Teksa shkruaj për prof. Alfredin, më kujtohen ata të elitës shqiptare, ing. Sherif Toptati, I thjeshtë, I ditur dhe me nje humor personal, Prof. Luan Peza, pedant dhe krenar, Prof. i matematikës Osman Kraja që mathematiken e kishte art te lindur, Fizikanti Sotir Kuneshka, I rrjedhshem si vaji qe na “hante” pesë minitshin, Gjeologu Tomi Kristo, shënjëtor, Prof. Ziver Meko, I urte dhe njerzor, të cilët për mua kanë një vlerë të madhe, sepse më zgjatën dorën, më hapën sytë dhe më prekën në zemër (Jilly Cooper).
Para ca kohësh i kërkova Prof. Alfredit atë pjesë të rezumesë së tij që bënë fjalë kryesisht për perspektivën e naftës Shqiptare. E dua i thash se do ta vendos në librin tim. Rezumeja e tij më la pa mend. Shumë aktivitete shkencore dhe aplikative në disa fusha të gjeofizikës, të gjeologjisë, të fizikës së tokës… Shumë artikuj dhe shkrime, libra, vite të tëra pedagog, studiues, kërkues në punimet fushore, drejtues i disa shoqatave dhe organizmave shkencore Shqiptare, anëtar në disa shoqata dhe forume ndërkombëtare, ballkanike, europiane, botërore. Prof. Alfredi është një lloj Magelani shqiptar, ai ka marrë pjesë në shumë takime, konferenca simpoziume, mbledhje. Jam i sigurt se planeti ynë për të është shumë i vogël. “Natyra na ka bërë të aftë të mësojmë”, – thotë Seneka. Kjo i shkon veçanërisht prof. Alfredit. U takova me prof. Alfredin në Glasgou të Skocisë në pranverën e vitit 1995. Erdhi pak me vonesë, ca i lodhur, po shumë energjik.
Alfred Frasheri, Tomi Kristo, Hamdi Bejtja
Prof. Alfred Frasheri, tek rrenjet e tij
Në disa raste prof. Alfredi hap një ombrellë të madhe, aty turren të zënë vend disa pseudoshkencëtarë, që bëjnë humor të shpifur duke qëndisur ndonjë rezume servile në fillim apo në fund të ndonjë libri që nuk ka asgjë personale. Profesor Alfredi ka zemër të madhe, shkenca në disa pika takohet me artin, pavarësisht se arti është punë individuale kurse shkenca dhe teknika, punë kolektive.
Prof. Alfredi është i ndjeshëm si një tel violine, ai dridhet, sepse shumë gjëra nuk shkojnë me ndërgjegjen dhe me shpirtin e tij. Ata që duhet ta dëgjojnë këtë personalitet të shkencave të Shqipërisë, fshihen dhe heshtin. Kujdes nga njerëzit që fshihen thotë Kafka. Profesori nuk ka vetëm vlera profesionale, së pari është ai një qytetar që ecën me turmën, shikon, reagon, do të shpërthejë por nuk mundet prandaj bën monolog. Ky monolog e vret.
Prof. Alfredin e trishton indiferentizmi i qeverisë, e cila vetëshkatërroi gjithë vlerat historike dhe ekonomike të Shqipërisë. Me indinjatë ai ka shkruar se shteti punon kundër Shqipërisë, kundër rilindësve tanë. Konkretisht, gjatë këtyre 22 vjetve të tranzicionit nuk ka shkelur në Frashër asnjë ministër. Çdo gjë shkon drejt rrënimit, po rrënohet muzeu i Frashëllinjve, pa dyshim kjo është edhe dëshira e qarqeve të caktuara keqdashëse greke, të cilët më 6 maj të vitit 1914 dogjën 318 shtëpi në Frashër. Ja shikoni edhe tani cinizmin e tyre te zi për të pushtuar Shqiperinë, thjeshtë me fe, me Këshillin e Europës, me NATO, me një Kale Troje te Ri.
Prof. Alfredi jeton mes popullit tonë, ai është shumë i ndjeshëm ndaj rrënimit të tejzgjatur. Unë dhe prof. Alfredi ndiejmë dhembje për shuarjen e gjithë atyre ndërmarrjeve dhe institucioneve të naftës dhe gjeologjisë, të cilat i jepnin gjak Shqipërisë. Ai çdo vit shkon në Frashër të Përmetit për nder të rilindësve Frashëri. Qeveria demokratike muzeun e Frashëllinjve e ka fshirë nga memoria e kombit. S’ka më rojë që të kujdeset për të. Ai mbytur në trishtim fundoset në sedilje, belbëzon vargjet e Naimit për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe fshehur e ngadalë i rrjedhin lot.
Profesor Alfredi për më shumë se 50 vjet ka zhvilluar pa ndërprerje një veprimtari të gjerë pedagogjike, kërkimore e shkencore. Tani së fundmi prof. Alfredi ka shkruar dhe botuar librin e mrekullueshëm “Gjeomonumentet”, ku shkenca plekset me natyrën, kurse meditimi pikon dhembje.
Më gëzon dhe më lë pa mend energjia e madhe e prof. Alfredit. Ka plotë njerëz të zgjuar ky vend i bërë me kujdes nga Zoti, po si është puna që qeveritë radhë-radhë bëjnë sikur nuk i shikojnë? Prof. Alfred Frashëri nuk ka nevojë për qeveritë, qeveritë kanë nevojë për të. Ky personalitet i shkencave të gjeologjisë shqiptare është i pazëvendësueshëm. Ai ka diçka nga Frashëllinjtë. Pasardhësit tanë me siguri do ndërtojnë atje në Frashër të Përmetit muzeun më të madh të Shqipërisë, më të lartë se minaret e Stambollit, më solemne se Akropoli i Greqisë. Shqipëria fillon atje në Frashër të Përmetit, me Frashëllinjtë
RESPEKTE te vecanta personale per profesorin e gjeofizikes Alfred Frasherin!
Kam qene femije e me pas adoleshent kur kam patur si fqinje ne pallatet e Shallvareve prof. Frasherin.Behet fjale per vitet 60-70-te e me vone. Gjithemone me ka ngjallur respekt te vecante statura e tij e heshtur. Njeri me kulture te vecante, me nje familje te mrekullueshme. Me kujtohet qe edhe vellai i tij, me i madh ne moshe me mua ishte qe ne moshe te re nje djale me te dhena te nje shkencetari. Tani, pedagog i nderuar ne Fakultetin e Shkencave te Natyres. I uroj jete te gjate e shendet te plote ketij Njeriu te vecante. SHqiperi ka nevoje per te tilla figura. Vetem Njerez te tille mund ta bejne Shqiperine. Falenderoj gazeten dhe autorin qe kujtohen te shkruajne per personalitete te tilla!
Ju falenderoj nga zemra per kete artikull kaq te bukur dhe domethenes.E kam njohur prof. Alfredin nepermjet prinderve te mij, pasi babai im ishte koleg i tij ( ing. Gjeolog) si dhe shume miq / shoke te mij qe sot jane profesore/inxhiniere Gjeofizike/minierash/gjeologji gjithmone me kene folur ne superlativa per kete njeri te thjeshte me kapacitet te jashtezakonshem.Ing. Adrian Rexhep Shehu
Babai im ka punuar me Z. Frasheri ne Katedren e Gjeofizikes. Shpesh kam qene me sherbime me ta. Gjithmone njeri qe fliste per punen por dhe shakaxhi. Gjithmone i sakte nga ku mesoje disiplinen dhe saktesine. Nuk e harroj sesi i pershkruante shkembinjte dhe me sa pasion fliste per formacionet gjeologjike. si te ishin piktura. Njeri i madh dhe qe ka patur nje ndikim te gjere tek i gjithe stafi i Fakultetit te Gjeologji Miniera dhe me gjere.
Kam patur fatin e madh qe kam qene student i profesor Alfredit!
Vite me vone kam patur kenaqesine dhe fatin te takohem perszeri me te ne disa conferenca ne europe dhe USA! Gjithmone kurreshtar, dhe i interesuar per shkencat por jo vetem. Kultura e nuk ka kufij!
Respekt profesor Alfredi dhe ju uroj jete te gjate!