Adhamudhët

25 Gusht 2013, 14:15Blog TEMA

Nga Robert Kodra

Tashmë është e njohur praktika tinzare, kur për të tjetërsuar një objekt apo institucion, lihet qëllimisht drejt degradimit. Ka raste të ndryshme, jo vetëm të degradimit të disa ndërtesave, por për më ters, edhe të disa institucioneve. Të shkatërrosh një institucion, vetëm se ndërtesa e tij është e lakmueshme, apo ndodhet në një vend të lakmueshëm, ky është krim.

Këto praktika të kujtojnë pak a shumë Adhamudhin, për të cilin nëse të dhimbte një sy duhet ta krreje, që të shpëtonte tjetri. Personazheve të letrave, kombëtare dhe botërore, shpesh u bihet gabimisht në qafë, duke i bërë më të këqij e të shëmtuar se sa autorët i kanë krijuar në të vërtetë. Adhamudhi i Çajupit nuk planifikonte sëmundjen e syrit, që më pas ta krrente atë. Tinzarët mund të planifikojnë qëllimisht dëmtime, që më pas të bëjnë të mundur argumentimin e tjetërsimit. Më e bukura është se këto plane i bëjnë aq ngutshëm, sa shpeshherë ia futin vetes. Është si të duash t’i heqësh gozhdën e patkoit kalit të tjetrit dhe ndërkohë ke ngordhur kalin tënd.

Një nga këto raste mund të jetë edhe ajo, që me apo pa dashje në media quhet me emrin e vjetër SHQUP dhe në fakt, me letra zyrtare, është Qendra Kulturore e Forcave të Armatosura (QKFA).

Nëse u referohemi dy procesverbaleve, (me datë 22.11.2011 dhe 04.12.2012) të mbledhjeve të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, vihet re se interesi i Ministrisë së Mbrojtjes për kulturën dhe institucionin e QKFA-së ka qenë mëse i konsiderueshëm, aq sa është kritikuar edhe nga opozita.

Për këtë institucion (referuar diskutimeve të mbledhjeve) shërben një personel numeroz dhe janë shpenzuar shuma të mëdha lekësh, me qëllim prodhimin e marrëdhënieve me publikun, çështjes së fëmijëve të ushtarakëve etj.
E vërteta është se në këtë ndërtesë janë organizuar një sërë aktivitetesh. Para anëtarësimit të vendit tonë në NATO, në një sallë të kompletuar mirë të saj, organizoheshin gati çdo muaj takime me ambasadorët e vendeve të NATO-s, ku u bëhej me dije ecuria e reformave të Forcave tona të Armatosura. Në vijimësi në këtë mjediset komode të kësaj ndërtese janë zhvilluar aktivitete të shumta, jo vetëm me personelin shqiptar, por edhe në bashkëpunim me partnerët. Disa ambasada shpesh kanë organizuar aktivitete të tyre në mjediset e QKFA-së, duke e parapëlqyer atë edhe më tepër se hotelet më të përshtatshme të Tiranës.

Normalisht është shfrytëzuar edhe për ceremoni mortore, mbështetur në ceremonialin shtetëror, nga ku janë nderuar personalitete të ndjerë, që u ka takuar sipas protokollit. E njëjta praktikë bëhet edhe nga shumë institucione të tjera dhe kjo është shumë normale e njerëzore.

Nëse ky institucion mund të ketë devijuar nga misioni i tij, si për dasma a të tjera si kjo, ahere e mira është të bëhen përpjekje për ta kthyer mbarë dhe jo për ta tjetërsuar.

Përveç investimeve të mëdha që ky objekt ka marrë nga buxheti i shtetit, të cilat lexohen qartë te procesverbalet e komisionit të sigurisë, në të janë shpenzuar, mëse një herë, edhe shuma të tjera të konsiderueshme, falë bashkëpunimit me partnerët dhe në këtë rast me palën italiane. Nuk ka as edhe një muaj që mbylli aktivitetin 16 vjeçar në vendin tonë Delegacioni Italian i Ekspertëve, i cili ka investuar dukshëm në këtë ndërtesë.

Vështirë si mund të vijohet të diskutohet me palën italiane, dhe jo vetëm, kur dikur u është kërkuar bashkëpunim dhe janë agrumentuar nevoja për investime në institucione të tilla dhe tashti tjetërsohet ndërtesa e hidhen nëpër kamionë pajisje të kushtueshme, duke filluar nga zeroja.

Ka shumë kontribute të partnerëve tanë në garnizone ushtarake, të cilat kanë shkuar për dhjamë qeni, në mënyrën më mosmirënjohëse të mundshme. (Mund të përmend garnizonin ku ka qenë Departamenti Ajror te Pusi i Mezinit në Vlorë dhe garnizonin ku ka qenë Shkolla e Detarisë në të dalë të Vlorës.) Kjo tregon jo vetëm se ne nuk dimë ende si të planifikojmë (së paku afatmesëm) dhe të mbrojnë pasuritë tona, por edhe se nuk dimë të jemi seriozë me partnerët tanë.
Me planifikim kam parasysh së pari planifikuesin. Jo vetëm rasti i QKFA-së, por edhe shumë raste të tjera kthehen në skandale sepse ideohen dhe planëzohen nga njëshi. Njëshi, i rrethuar me dy-tre servilë interesaxhinj, vështirë se ka nge të pyesë si janë ligjet dhe dokumentat, përfitimet apo dëmet, anët pozitive apo negative, pasojat apo reagimet ndaj një vendimi. Të tjerët pas tyre, të mësuar me këtë metodë, vështirë se mund të kenë kurajon t’i hapin vetes andrralla dhe të bëjnë këshilla të panevojshme e të keqkuptuara.

Në vështirësitë e jetesës, mund të mirëkuptohen hallexhinjtë dhe nevojtarët kur përkulen më tepër se normalisht, për hir të bukës së gojës. Por nuk mund të kuptohet sjellja e atyre, të cilët kanë mundësi të fitojnë jetesën falë aftësive dhe talentit që kanë, dhe që përsëri vetëpërkulen edhe më poshtë se barku, para atyre që për pak kohë i kanë bosa.
Prirja e kohës është që njerëzit të bëhen gjithnjë e më të lirë dhe më të vërtetë. Për rrjedhojë edhe ata që duan të gënjejnë duhet të bëhen gjithnjë e më tepër mjeshtra në mashtrim. Gjithmonë do ketë mashtrime dhe manipulime, por së paku të përpiqen të mashtrojnë pak më këndshëm dhe jo trashë.

2 komente në “Adhamudhët”

  1. Gjaton Toroveci says:

    Lidhur me brendine e shkrimit nuk kam asnje verrejtje,ndersa ne te kundert titulli i shkrimit e menyra per ta transplatuar e misheruar ate te ngjizur me temen perkatese lene shume per te deshiruar.Autori i shkrimit duhet te dije se i ashtuquajturi Adhamudh nuk eshte nje produkt i fantazise te poetit e atdhetarit tone te madh A.Z.Çajupi, por nje personazh real e per me teper edhe atdhetar po aq i madh sa Çajupi. Miqesia ndermjet te dyve u prish per shkaqe banale per faj te Çajupit e Adhamidh Frasheri alias Adhamudhi se bashku me Mit’hat Frasherin alias Lumo Skendon u bene objekt i fyerjeve te renda e te pamerituara te pamfletit te njohur.Mund te shkruhen per Lumo Skendon fjalet: paske qene gomar o beu yne! Apo te cilesohet si sharlatan Adhamidh Frasheri qe ka qene mjek i atashuar ne dy ambasadat me te rendesishme te Kajros se asaj kohe, ne ate franceze e gjermane!!!At Zef Valentini ka shkruar per A.Frasherin se ka qene shume i pasur e mjaft aktiv ne çwshtjen kombetare shqiptare. Ne qeverine e Turhan Pashes ka qene minister i financave.
    Sa per dijeni edhe sot ne se njeri sy semuret rende perpjekjet e mjekeve behen per te shpetuar tjetrin.Edhe ne kete drejtim cinizmi i autorit ka qene i pashembullt.Gruaja e A.Frasherit pas nje operacioni te rende kishte mbetur me nje sy. Kete zonje, Çajupi deshironte ta bente kunate e te shoqin e saj Adhamidhin, baxhanak. Mbasi u refuzua si dhender nga njera prej familjeve me te pasura e atdhetare te Korçes,Çajupi e derdhi te gjithe terbimin e tij ndaj Adhamidhit duke e quajtur pa te drejte si shkaktarin kryesor te ketij refuzimi.Prej autorit te shkrimit pres mirekuptim e te gjitha keto deshiroj t’i besoj si mosnjohje te fakteve e te personazheve ne fjale e mbi te gjitha si te pa qellimta lidhur me lendimin qe u ka shkaktuar padashur te afermve te A.Frasherit e bashkeqytetareve te tij.Me nderime Gjaton Toroveci.

  2. Nesti says:

    Gjaton, ketu nuk lendohet adhamudhi i cajupit dhe aq me pak nuk lendohet Adhamidh Frasherin. Adhamudhi eshte nje personazh letrar qe populli e njeh dhe qe ska lidhje me A. Frasherin. Artikulli flet te lesh dicka te prishet qellimisht.Keshtu e lexova une

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje