Shënime nga Ditari i Doktorit: Mbi debatet në grupin parlamentar

24 Tetor 2013, 21:44Antena TEMA
Shënime nga Ditari i Doktorit: Mbi debatet në grupin parlamentar

Sot, para se të fillonte debati për buxhetin, bëmë mbledhjen e grupit parlamentar. Siç e dini, Luli është kujdesur që tavolina të jetë rrumbullake dhe të mos ketë kryetar. Kjo gjë në fakt është korrekte.

Pasi çeli mbledhjen, Luli filloi të na shpjegonte se çfarë duhet të bënim në parlament.

-Ata po shkatërrojnë ekonominë, tha, dhe ne duhet të refuzojmë të bëhemi pjesë e këtij shkatërrimi.

Dhe më pas vazhdoi me disa fjali pa shumë përmbajtje në fakt.

Në grup filloi të bëhej zhurmë.

Hodha një herë sytë majtas, pashë Rulin që i tregonte një mesazh Olldashit dhe qeshnin.

Hodha sytë djathtas, pashë Palokën që e kish hapur telefonin tek faqe e basteve.

Pashë përballë, Ridvani po qeshte me Jozefinën.

-Kështu nuk vazhdohet, thashë.

Ngrita zërin dhe i rashë tavolinës.

-Luli e tha shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë, por tani dëgjoni se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të çohemi të gjithë, të flasim nga 20 minuta, plus unë që e kam pa limit. Secili nga ne duhet të tregojë se e kemi lënë Shqipërinë vend të zhvilluar dhe këta po e fusin në gropë…

Dhe vazhdova ua shpjegova gjatë se ç’duhej të bënim. U shpjegova skenarin grek.

-Ne ishim Karamanlisi, u thashë. Këta do jenë Papandreu.

U dëgjua një e qeshur e lehtë.

Ktheva kokën dhe pashë Genc Rulin që i thoshte Olldashit:

-Kushedi kush do ketë fatin të jetë Samarasi.

-Jo zotëri, i thashë, nuk jemi Greqi ne. Tek Greqia ngjajmë vetëm tek Papandreu. Të gënjen mendja që do ketë Samaras në këtë vend.

Luli u vu në siklet dhe ndërhyri shpejt.

-Pa diskutim që nuk kam ndërmend të bëhem Samaras, jo unë, po askush tjetër. Shqiptarët e dinë mirë këtë.

Ndërhyri dhe Flamuri.

-Doktor, që të jemi të qartë, mua nuk më ndalon kush të akuzoj Edi Ramën që është si Papandreu?

-Në asnjë mënyrë Flamur, bëje, i thashë. Nuk të ndalon njeri.

-Do ta bëj, tha, por do them dhe ndonjë fjalë për ndonjërin që thonë se do përfundojnë si Samari. Kjo është fyerje e madhe se këta duan të thonë që partia është gomar dhe dikush, kryetari i ardhshëm, do jetë Samari.

Në sallë pati të qeshura në fakt. Flamuri i shkretë emrin Samaras e kishte marr si Samar, dhe mendonte se ishin duke u tallur me partinë duke nënkuptuar gomarin.

-Flamur, i thashë, mos u mërzit. Kur të vijë puna tek Samarasi, e rregulloj unë.

-Jo Doktor, tha, nuk do t’i bësh ti të gjithë punët. Se ka njerëz këtu që e kanë mendjen vetëm si të hipin në Samar.

Nuk e sqarova dot dhe m’u duk mundim i kotë. I thashë të ulej. Flamuri u ul gjithë nervozizëm duke parë nga Ruli dhe Olldashi.

Ruli vazhdonte t’i fliste më zë të ulët në vesh Olldashit, ndërsa Pollo po vizatonte një zog mbi letrën që kishte para.

-Ah, prit, u thashë. Duhet të bëjmë diversion. Të lavdërojmë Ben Blushin për shembull. T’i themi që ti je Oskari i Gunter Grasit.

-Këtë thuaje ti, tha Flamuri. Unë s’e them dot se më mbahet goja e ndaj në rrokje dhe qeshin të gjithë me mua pastaj.

5 komente në “Shënime nga Ditari i Doktorit: Mbi debatet në grupin parlamentar”

  1. Tironci says:

    Rrokjet e Mulit: O S Kari

  2. "BALASHI" says:

    More Z. Mero benu ç’ fejton te duash ata nuk shohin me, nuk degjojne me se truri qe i komandon shqisat e trupit u eshte mpire.
    Nen nje cope qiell u levrin tere bota e tyre. Ata e kane mendjen tani si te fshehin bemat e perbindshme.

  3. leo england says:

    Hahaha na kenaqe o Mero, Kemi nevoje edhe per komedite e tyre. Te lumte

  4. Dashamiri says:

    Shkrimi eshte subjekt per nje komedi. Nuk ka ku te veje me i goditur.

  5. selimi says:

    Do te ishte mrekulli te behej komedi.Ose edhe ndonje serial humoristik.Do e kenaqte popullin , mbase do te largoheshim nga humori bajat qe mbizoteron sot.Mero je i madh.Nuk di c ben doktori kur i lexon.I duron apo i bertet Lulit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje