Ergys Kaçe po kthehet në “mollë sherri” mes dy ish-ikonave të Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare dhe ish-mesfushorin Edvin Murati.
Sipas asaj që raporton një nga mediat më prestigjioze në Greqi (stentragoal.gr), këta të dy kanë ndërhyrë së fundmi për të përfituar nga problematika që ka pasur Kaçe te PAOK-u, duke i ofruar largimin drejt Italisë ose Francës.
“Kaçe duket se e ka të sigurt largimin nga Greqia në merkaton e janarit, ndaj në Shqipëri po investohen gjithnjë e më shumë për ta bërë të tyrin. Oferta nga Italia dhe Franca, por nuk mungojnë edhe ato nga Gjermania. Igli Tare po shfrytëzon edhe kapitenin e Shqipërisë Lorik Cana për të lobuar te Kaçe dhe nuk është çudi që në ditët në vazhdim të kemi edhe një ofertë nga Lacio.
Sa i përket Francës, pranë Kaçes është instaluar një njohje e vjetër e futbollit selanikas, Edvin Murati (ka luajtur për Iraklisin e Selanikut), i cili po tenton t’i ofrojë lojtarit një skuadër të nivelit të lartë në Ligën e Parë franceze, raporton “Panorama Sport”. Nga ana tjetër, PAOK-u është në pritje, me duart e shtrira, duke kërkuar të përfitojë nga rasti dhe ta shesë lojtarin në një klub që ofron më shumë për kartonin e tij”, thuhet ndër të tjera në artikullin e së përditshmes greke.
Sakaq, nuk lihet mënjanë edhe oferta e gjermanëve të Hamburgut. Madje thuhet se drejtuesit e këtij klubi po ndërmarrin hapa konkretë karshi lojtarit, pavarësisht se në zyrat e PAOK-ut nuk ka mbërritur ende një ofertë zyrtare. Vëzhguesi i klubit gjerman e ndoqi nga afër Kaçen në ndeshjen e fundit të U-21 të Shqipërisë ndaj Spanjës në “Ruzhdi Bizhuta”, duke u larguar nga Shqipëria me përshtypje pozitive.
Ndërkohë, kujtojmë se përveç klubit gjerman, të hënën në Elbasan kanë qenë edhe dy vëzhgues të Udinezes dhe Veronës në Serinë A.
Kartoni i Ergys Kaçes është vlerësuar nga klubi grek pesë milionë euro, por pretendimet e presidentit Savides mund të bien edhe deri në 2 milionë euro, kjo nisur edhe nga problematika që ka hasur lojtari pas javës së parë të shtatorit. Për shkak të një fanelle me logon e UÇK-së, Kaçe u pezullua nga klubi (nën presionin e pakuptimtë dhe racist të tifozëve të PAOK-ut) dhe deri tani ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje me skuadrën e tij.
Ndërkaq, kujtojmë se jo më larg se para një muaji, Kaçe ishte edhe në orbitën e Çelsit të Hoze Murinjos. Aktualisht Kaçe ka në kontratën e tij me PAOK-un një klauzolë, sipas së cilës mund të largohet nga klubi vetëm nëse një klub paguan shumën e 5 milionë eurove. Por, nisur nga problematika e shfaqur në dy muajt e fundit dhe fakti se lojtari ka dalë thuajse totalisht nga planet e trajnerit Hub Stivens, drejtuesit pritet t’i ulin pretendimet e tyre.