Shteti që dështoi

11 Dhjetor 2013, 21:52Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko

 

Ndoshta ngaqë vjen nga Kroacia, apo mbase sepse deshi vetë të tingëllonte ashtu, raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikola Vuljaniç, ja morën “fjalë për fjalë” pohimin e tij këshillues, se për të dëshmuar se realisht po lufton korrupsionin, Shqipëria duhet të fillojë të arrestojë peshq të mëdhenj si ministra, kryeministra… Lidhjen e shkurtër e bënë se pari mediat e Prishtinës, si më të ftohta ndaj tensioneve të Tiranës: “Brukseli kërkon arrestimin e Berishës!” dhe nënkuptimi i Vuljaniçit qenkësh i qartë. Kroacia futi në burg për korrupsion ish kryeministrin Ivo Sanader, një ndër disa shembujt spektakolarë nga Zagrebi se ky vend e ka seriozisht përmirësimin e imazhit, dhe fitoi anëtarësinë e plotë në BE.

Nëse do ketë arrestime “të rënda”, këtë e dinë veç të zotët e punës (pra organet përkatëse), por në ajër endet vërtet një aromë premtuese për hetime e rihetime dosjesh pikante që kanë mbetur pa përgjigje. Thirrjet e ish funksionarëve qeveritarë për sqarime në prokurori, prishjet e disa ndërtimeve me leje që njëherësh janë haptaz në shkelje të ligjit e disa aksione të tjera “antikorrupsion” tentojnë të krijojnë një frymë optimizmi qoftë dhe të kujdesshëm tek njerëzit. Por janë ca dukuri të tjera, që e bukosin edhe këtë frymë. Kur shikojnë, fjala vjen, se gjyqtarin e Pukës Këshilli i Lartë i Drejtësisë e “shkarkon” nga posti inekzistent i kryetarit të gjykatës së rrethit, por ama e lë njësoj gjyqtar pas skandalit të denoncuar te Fiks Fare, nuk mundet që njerëzit e thjeshtë të mos nxjerrin konkluzionin se “karteli i gjyqtarëve mbrojnë njëri-tjetrin dhe marrin një masë false sa për të hedhur lumin”. Po ashtu është i përhapur perceptimi tashmë i artikuluar prej kohësh se “nuk ka sesi gjyqtarët të japin vendime të paanshme e të drejta, kur kanë paguar për postet e tyre dhe duhet të nxjerrin paratë”. Një skema që përsëritet njësoj për çdo sektor, arsim, shëndetësi, polici etj. Atëherë nga do të vijë ndryshimi? Kush do ta bëjë diferencën?

Pandeli Majko është politikan i pohimeve dramatike, por deklaratat e tij të fundit tek Zëri i Amerikës janë veç një pohim i sinqertë: Në Shqipëri ka dështuar shteti ligjor; nevojitet një grup profesionistësh të guximshëm në prokurori e gjyqësor për të goditur korrupsionin! Dramaticitetin e përcjell thjesht fakti që ky konstatim bëhet jo nga blogjet e forumet e internautëve anonimë, por nga një deputet e ish kryeministër. Pra, a jemi ne në udhëkryqin ku ndodhej Italia e fillimviteve 90-të, ku megjithëse u eliminuan gjykatës e prokurorë, një grusht idealistësh të drejtësisë përmbysën klasën e vjetër politike? Të mos harrojmë se në njërën mënyrë a tjetrën, kjo është pohuar edhe nëpër studio televizive nga analistë apo dhe veprimtarë në politikë si avokat Ngjela.

Unë besoj se jemi duke përjetuar një periudhë analoge, paçka se prokurori i përgjithshëm është i mendimit se “Shqipëria nuk ka krim të organizuar si vendet e tjera”. Mafie në kuptimin tradicional mbase nuk kemi, por për ta “kompensuar” kemi me bollëk një politikë të inkriminuar, një gjyqësor problematik, një shëndetësi të lodhur, arsim të kalbëzuar dhe mjedis në gjendje alarmante; kemi mbi të gjitha një shoqëri të traumatizuar dhe breza të rinj pa të ardhme, të ankthshëm e të pashpresë, që i gjejnë modelet për të çarë në jetë tek trafikantët, bastexhinjtë, vrasësit dhe fitimet e shpejta. Kemi, për ta thënë me gjuhën e raportit të kësaj jave të Transparency International, “sistem të ri të pastrimit të parave, financim i partive dhe fushatave elektorale nga biznese të paligjshme, kapje të shtetit nëpërmjet kontrollit të sistemeve të Prokurimeve dhe privatizimeve, akses shtetëror në trafiqet e lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzore, monopole ekonomike në sektorët strategjikë të ekonomisë, paprekshmëri të zyrtarëve të lartë ndaj ligjit dhe sistemit të drejtësisë, moszbatim i ligjit dhe mungesa e kulturës së ndëshkueshmërisë”. Dhe si qershi mbi tortë, kemi edhe pranimin e sinqertë para do kohësh nga kreu i Policisë së Shtetit, se Lazarati është çështje e ndjeshme dhe komplekse politike!

Duke patur parasysh konstatimet e mësipërme, atëherë nuk ka “sukses” në botë që mund ta fshehë këtë gjendje; qoftë ky anëtarësimi në NATO apo statusi i kandidatit. Dhe kjo gjendje ka dy rrugë: Ose vazhdojmë drejt rrugës pa kthim dhe humnerës, ose gjejmë kurajon, mjetet dhe mënyrat për të dalë. Dhe në mungesë të “revolucionit”, zgjidhja është evolucionare dhe mund të vijë vetëm nga brenda politikës. Vetëm prej pjesës së painkriminuar të saj mund të prodhohet, inkurajohet dhe mbrohet ajo forcë “e guximshme dhe idealiste gjyqtarësh e prokurorësh” që mëton Pandeli Majko, që mund të marrë përsipër të nisë ndryshimin dhe të rikthejë shpresën. Paçka se cinikët mund të thonë që vërtet prokurorët italianë rrëzuan politikën e vjetër, por sollën Berluskonin.

*Revista KLAN

3 komente në “Shteti që dështoi”

  1. VLTR says:

    Analize shume realiste. Korrupsioni ka depertuar thelle ne te gjithe indet e shoqerise, jane ngritur struktura mafioze qe arrijne deri ne krye te shtetit. Presidenti eshte dore e forte me emrimet dhe mbrojtjen qe u ben gjyqtareve te korruptuar. Pra, vetem ndryshime te forta ne Kushtetute, ku te behet levizja e presidentit dhe mandej ristrukturimi i sistemit te drejtesise, duke u perpjekur qe ne vende drejtuese te vendosen ata pak gjyqtare te ndershem, ne se ka mbetur ndonje.

    1. Kurbetliu says:

      @VLTR
      “Analize shume realiste…”
      Jo dhe aq…
      Numri 2 i korrupsionit ne historine e klases politike shqiptare (pas familjes Berisha qe eshte 1-shi) eshte Krye(hajduti)tari aktual i kuvendit META, qe me 18-19 qe ka ne dispozicion mund te bashkoje votat me Berishen, e me zagare te tjere si Idrizi e Ndoka, te rrezoje Ramen nga posti i kryeministrit ne darke dhe te rivendose vehten apo Berishen si kryeminister te nesermen ne mengjes.
      Eshte Meta qe “kontrollon” kete lufte kunder korrupsionit dhe “sorra sorres nuk ia nxjerr syte”.
      Psh. Meta ka deklaruar se do te marre pjese ne festimin e 23-vjetorit te themelimit te PD me rastin e te cilit Berisha beri thirrje per revolucion e permbysje te qeverise Ramma-Meta.
      Per momentin Shqiperia ndodhet ne nje qorrsokak dhe Rama eshte si ai qe therret: “Mbameni se e vrava”
      Per aq kohe sa ne shqiptaret do te vazhdojme te votojme per besnikeri ndaj partive e jo per nje force politike me te vertete te paster (qe sot nuk ka lindur akoma) ne do te vazhdojme te rrahim uje ne havan.

  2. pelivan says:

    “…Mbase mafje tradicjonale s’kemi!” O Alqi, Po Lazarati cfar eshte?! Kaq vjete ashiqare me qeverrit nano-berisha,pa u’a bere syri terr… e ne vazhdim?! Ky vend behet duke,( jo hequr, por shkulur), Drejtesia,Saliu,Band’ e lazaratit. Japo…

    Kembekryq,
    ne udhekryq,
    beni kryq
    dhe hani fjalekryq!….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje