Fitorja e kandidatëve dhe partive të caktuara në zgjedhjet lokale nuk ishin aksidentale. Ashtu siç nuk është aksidental as fakti se Asociacioni i Komunave Serbe po del të mos jetë OJQ.
Nga Imer Mushkolaj
Ata që pretendojnë se zgjedhja e Shpend Ahmetit në krye të Komunës së Prishtinës mund të ketë qenë aksidentale, ose nuk kanë jetuar në këtë vend dekadën e fundit, ose kurrsesi nuk po mund të pajtohen me humbjen legjendare të Isa Mustafës.
Pas 13 vjetëve në pushtet, aksidentale do të ishte që kryeqytetin ta fitonte edhe njëherë LDK’ja. Jo për gjë tjetër, por për arsyen e thjeshtë se gjatë gjithë kësaj kohe, Prishtina është kthyer në gjithçka tjetër, përveç në metropol të shumëproklamuar. Qytetarët e deshën ndryshimin dhe ia dolën.
Por, çfarë Prishtine merr Shpend Ahmeti nga Isa Mustafa?
Një qytet të ngulfatur nga ndërtime vend e pa vend, një qytet të ngulfatur nga trafiku kaotik, një qytet që nuk ka arritur ende t’u ofrojë kushte elementare për jetë qytetarëve të vet. Një komunë që nuk është aspak e lehtë të qeveriset dhe që kërkon energji e përkushtim. Që nuk duron më keqqeverisje, arrogancë, injorim e kapadaillëk.
Shpend Ahmeti e ka shansin të tregojë se si qeveriset, po që se vërtet e ka ndërmend të çlirohet nga simbolikat e panevojshme dhe të fokusohet në thelbin e problemeve. Të tregohet praktik e pragmatik. Të krijojë modelin e tij të qeverisjes, e jo të vazhdojë atë të Isa Mustafës. Dhe, më e rëndësishmja, të sillet si kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës, e jo si nënkryetar i një subjekti politik.
Ndëshkimi me votë i qeverisjes së LDK’së nuk ishte aksident dhe Ahmeti duhet të dëshmojë se zgjedhja e tij, po ashtu, nuk ishte e tillë. Ashtu siç duhet të dëshmojnë edhe Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë, Gazmend Muhaxheri në Pejë, Muharrem Sfarqa në Ferizaj e ndonjë tjetër.
Aksident nuk ishte as fitorja në nëntë komuna e Listës Serbe, një iniciative qytetare të krijuar dhe përkrahur nga Beogradi. Të dyshuarit për prishje të rendit, sulme ndaj organeve të sigurisë, kontrabandë, krim të organizuar, mosrespektimin e shtetit të Kosovës e çka jo tjetër, brenda natës u kthyen në kryetarë legjitimë komunash. Por, ata do të vazhdojnë betejën kundër shtetit të Kosovës, vetëm se tash me mjete të tjera dhe me para të buxhetit të Kosovës.
Në këtë mënyrë, duke synuar integrimin e serbëve të Veriut në sistemin juridik të Kosovës, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe do të bëjë që brenda vendit të krijohet një entitet i veçantë. Kështu, serbët jo që nuk do të integrohen, por do të jenë edhe më rezistues ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me shtetin e Kosovës.
Përderisa para disa muajsh eksponentë të PDK’së veç sa nuk i shpallnin tradhtarë të gjithë ata që shpreheshin kundër Asociacionit…, tash po del se nuk është thjeshtë një OJQ (apo “en gji o”, siç ka dëshirë t’i referohet kryeministri). Madje, diplomatë të huaj po bëjnë thirrje që të kihet kujdes me krijimin e Asociacionit…, respektivisht të kihet kujdes që ky veprim të mos çojë drejt krijimit të një “Republike Serbe”, si në Bosnjë.
Nuk mund të konsiderohet aksidental edhe fakti se Lista Serbe ka fituar një të katërtën e numrit të komunave të Kosovës, ndërkohë që partia lojale ndaj institucioneve kosovare, SLS, ka arritur ta marrë vetëm një të tillë.
Pas Listës Serbe ka qëndruar një shtet i tërë, ndërkaq Bajrush Ymeri është lënë i braktisur në Novobërdë, përballë Beogradit, duke bërë që edhe kjo komunë t’i shtohet listës së Listës…
Tash, në këtë realitet të ri, çfarë duhet t’iu thuhet serbëve të cilët tash sa vjet kanë pranuar institucionet e Kosovës dhe kanë qenë të përfaqësuar në to? A kanë qenë ata “serbë të ndershëm” dhe këta tjerët që kanë votuar Listën… janë “serbë të vërtetë”? Kush duhet të jep përgjigje në këto pyetje?
Ka paralajmërime se kryetarët e zgjedhur serbë do të betohen para flamurit të Serbisë. Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje vijnë sinjale se edhe Shpend Ahmeti mund ta jep betimin si kryetar para flamurit zyrtar të Shqipërisë.
Këto komuna, që do të qeverisen nga këta kryetarë, gjenden në Kosovë dhe funksionojnë sipas legjislacionit kosovar, andaj do të duhej që të gjithë të betoheshin para flamurit të Kosovës. Ashtu siç e thotë ligji.
Tekefundit, nëse qëllimi është që të punosh për qytetarët që do t’i qeverisësh e që jetojnë në Kosovë, e jo në Serbi a Shqipëri, atëherë duhet shmangur simbolikat që vetëm pengojnë, e nuk ndihmojnë.
Askush nuk bëhet kryetar më i mirë apo më i keq po qe se betohet para flamujve, për të cilët qytetarët për arsye të njohura mund të ndiejnë më shumë emocione. Puna e secilit kryetar do të vlerësohet sipas performancës së treguar. Mbeturinat, kanalizimi, rrugët e uji nuk kanë flamur. As patri. As etni. Dhe asnjëri nga këta kryetarë nuk mund të jetë i suksesshëm aksidentalisht. Sepse, zgjedhja e tyre nuk ishte aksident.