Kunati, i alarmuar për arrestimin e Mzatit
20 dhjetor 2013
Lajmi për arrestimin e Mzatit i ra si bombë Kunatit. Ai ishte duke bërë një kontroll nga Rruga e Kunatit, ku kanë filluar të shiten qoftet e Vitit të Ri, kur i erdhi një sms: “Mua më arrestuan. Merrni masa për miting nesër”. E pa një herë numrin me çudi, ishte Mzati.
-Si ka mundësi, tha, ky më tha paradite du me taku Jarin se po i bin më qafë dyqanit t’gruas. Bëri nja dy telefonata dhe u sqarua. Mzati ishte arrestuar për një tender rruge. Ishte njeriu i tij më besnik. Në zgjedhjet e fundit mes Lulit dhe Olldashit, vetëm ai e kishte sjellë rezultatin 97 përqind. Asnjë nuk e bënte vezën e Mzatit.
I shqetësuar, u kthye në zyrë. Aty ishin mbledhur shumë njerëz të alarmuar. Pastaj erdhi dhe Luli.
-Pse e kanë arrestuar, pyeti menjëherë.
-Për një tender, i tha Kunati. Ia ka dhënë një kompanie që nuk ka dalë fituese, pasi fituesit nuk kanë pranu t’i japin lekë.
-Po ne kemi probleme të tilla, i tha Luli.
-Jo, jo, ne i kemi në rregull letrat, i tha Kunati.
-Me siguri e kanë arrestuar për të na prishur mitingun, tha Luli.
-Kështu thotë dhe ky në amanetin e fundit, tha Kunati. Amanet mitingun, thotë, se mua më arrestuan.
-Edvin Rama po bën gjenocid, tha Luli me zërin që i dridhej. Ka arrestuar një doktor shkencash, një shkencëtar me perspektivë, një njeri që kishte çfarë t’i jepte këtij kombi.
-Është pak problem kjo, tha Kunati, se mund të na thonë njerëzit ku e ka dosjen e doktoraturës dhe nuk e gjejmë dot.
-S’ka problem. Themi që ia kanë vjedhur policët gjatë bastisjes së shtëpisë. Bile kjo është shumë e bukur, tha Luli. Ata e akuzojnë Mzatin për hajdut, por në shtëpi i gjetën vetëm doktoraturën.
-I kanë gjetur dhe në dyqan të gruas ca flori të vjedhur nga një bandë grabitësish, tha Kunati.
-Broçkulla, tha Luli. Floriri i përdorur shitet në gjithë botën. Ç’faj ka dyqani se ku e ka gjetur ai që e shet?
-E di, tha Kunati, por kam frikë se mos akuzojnë Xhelalin që mes të tjerash pastronte dhe paratë e grabitësve të dyqaneve.
-Nuk kanë prova, tha Luli. Xhelalin do ta nxjerrim me procedurë nga burgu. Ti merr masat që mos të dështojë mitingu nesër. Kamza duhet t’i japë përgjigjen e duhur Edvin Ramës. Nesër dua që gjithë sheshi të buçasë: “Xhelal, Xhelal, ti je gjallë”, dhe një parullë e madhe ku të shkruhet “Lironi Xhelalin, përndryshe nuk ndalim”. Vetëm kështu mund të trembet Edvin Rama.
-Dakord, po i porosis qysh tani, tha Kunati. Dhe diçka, a t’i vëmë në parullë titullin “Doktor”?
-Jo, në asnjë mënyrë, tha Luli, se ata nga Kamza s’dinë të lexojnë mirë dhe mendojnë se kanë arrestu Doktorin dhe shkojnë djegin kryeministrinë.
Kunati i Lulit mbledh teoritë konspirative mbi vdekjen e Olldashit
22 nentor 2013
Kunati i Lulit e nisi punën me mbledhjen e teorive konspirative për aksidentin e Olldashit dhe efektet që do ketë mbi partinë. Ngriti një grup pune të merrnin gjithë versionet dhe ia paraqiti Lulit në një raport përfundimtar.
Në këtë raport përshkruheshin gjithë pistat e teorive konspirative që kanë shoqëruar aksidentin dhe efektet mbi shoqërinë. Po i përmbledhim si më poshtë:
1. Sokol Olldashi ka qenë me katër vetë në makinë. Dy femra dhe dy meshkuj. Ata kanë debatuar me zë të lartë pro dhe kundër Bashës. Tre personat e tjerë kanë qenë me Bashën, i kanë thënë ndalo makinën se do zbresim. Ai e ka ndaluar. Ata e kanë qëlluar pas qafe dhe e kanë drejtuar makinën në greminë (shënim: Këta duhet ti mbajmë afër).
2. Sokol Olldashi ka qenë me një femër në makinë. Ajo i ka thënë vrapo shpejt se më kërkon mami. Ai i ka thënë jo se do pi cigaren. Ajo ka këmbëngulur, ai është bërë nervoz dhe i ka dhënë gaz dhe ka rrëshqitur. Ai ka vdekur për tre minuta, kurse ajo femra nuk është gërvishtur fare, por ka dalë nga makina dhe ka shkuar në polici ku ka denoncuar Olldashin se udhëton pa rrip. Policia i paska thënë nuk ta pranojmë denoncimin dhe ndaj nuk i del emri.
3. Sokol Olldashi ka qenë vetëm në makinë dhe ka shkuar të shikojë tunelin e Elbasanit pasi një natë më parë se të përurohej, u zu me Berishën dhe nuk shkoi në përurim. Në vend të tij shkoi Berisha me Bashën. Sokoli i paska vënë një sasi dinamit të shpërthente kur ata ta bënin ceremoninë, por shpërthimi nuk ndodhi. Sokoli shkoi vetëm nëpër natë ta shikonte pse nuk kishte shpërthyer pas tre muajsh, por Zoti e ndëshkoi dhe u rrëzua në greminë.
4. Sokol Olldashi ka shkuar të organizojë degën e PD-së së re në Krrabë dhe ata e kanë pritur shumë keq. Ne nuk e tradhtojmë Lulzim Bashën, i kanë thënë. I kemi dhënë fjalën Kunatit, deri në vdekje me ty. Sokoli është dëshpëruar dhe është rrëzuar.
5. Sokoli nuk ka qenë fare në Krrabë, por në Tiranë. Zeni e ka marrë peng me ca banditë, e kanë hipur në makinë, e kanë çu në Krrabë, e kanë hedhë makinën në greminë dhe kanë njoftu policinë (shënim: Këtë mos ia thuj njeriu).
6. Sokoli nuk ishte fare ai që u varros. Ai është fshehur të bëhet legjendë, ta kërkojë populli dhe pastaj të rikthehet.
Pastaj Kunati mblodhi dhe disa teori mbi ndikimin që ka kjo ngjarje në shoqëri dhe PD.
-Ikja e Sokolit do ta forcojë PD-në, pasi është i vetmi grup armiqësor që nuk është luftuar nga Berisha dhe Basha, po nga Zoti. Kjo ka forcuar shumë shtimin e besimtarëve myslimanë në PD, të cilët besojnë tek një fuqi ndëshkuese kur del kundër të parit.
-Ikja e Sokolit, sipas një njoftimi në Facebook të Alfred Pezës, nuk ka ndikuar as në shitjen e librit të tij, i cili vazhdon të korrë suksese.
-Ikja e Sokolit ka shtuar shitjet e gazetave të Irfanit dhe mendohet se ai ka ndërmend të përfshijë dhe Gridën si personazh që mund të ketë qenë me Olldashin atë natë, që shitjet të thyejnë çdo rekord.
-Ikja e Olldashit ka qetësuar bankat pasi nuk do ketë më sulme ndaj kreditorëve të këqij nga opozita.
-Ikja e Olldashit ka shtuar frikën se Jozefina Topalli mund të bëhet e padobishme se s’ka kundër kujt të spiunojë në PD (duhet t’i japësh siguri se na duhet).
-Enno- me dy n- ka thënë që jam plotësisht i bindur se një njeri po vdiq, nuk ngjallet më. Kjo ka rritur entuziazmin në Bashki.
Shënime nga Ditari i Doktorit: Refleksione nga bulevardi për Horrin, Laviren dhe puçistët
16 nëntor 2013
Të dashur miq!
Po bëj dhe unë refleksionet e mia për atë që ndodhi këtë javë në bulevardin e Tiranës.
Shqiptarët panë me sytë e tyre dhe një herë fytyrën e Horrit të Bulevardit, Lavires së Bulevardit dhe puçistëve të 21 Janarit. Për gati një javë populli protestoi në bulevard dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk ndodhi zotërinj. Aty ishin të gjithë. Aty ishte mbesa ime, Kunati i Lulit, Fevzo, Sazani, etj, por nuk ndodhi gjë.
Përse nuk ndodhi, do thoni ju?
Ua them unë.
Nuk ndodhi gjë zonja dhe zotërinj se nuk ka më horr bulevardi. Po të kishte horr bulevardi, atëherë protestuesit do t’i turreshin policisë, do ta provokonin dhe ata natyrisht do të qëllonin. Vetëm një horr bulevardi mund ta çonte vendin në gjakderdhje.
Por nuk kishte as lavire bulevardi. Jo, nuk kishte. Se po të kishte, atëherë protestuesit do kishin marrë zemër dhe do bënin vepra penale. Por nuk kishte dhe ata nuk bënë.
Por nuk kishte as puçistë zotërinj. E pashë Fevzon në bulevard. Ju e dini që unë nuk kam pikën e respektit më për atë njeri, por puçist nuk i them dot. Kishte veshur një mushama antikimike që përdorin oficerët rusë. Pyeta veten përse ruse dhe jo amerikane vallë? Dhe e kuptova se Fevzo nuk donte të linte përshtypjen se ishte kundër amerikanëve në protestë, por kundër rusëve.
Pyeta Andi Bejten.
-A do dalësh ti në protestë, i thashë.
-Po dal Doktor, tha, po unë jam i paqartë për këto rreziqet nga lëndët kimike.
-Po pyet Fevzon, i thashë, se ai ka një arsye që ka dalë.
-Ai e ka shumë të hollë, më tha. Duhen ndaluar armët kimike, më tha, se kur të dalim jashtë në aeroporte do na thonë shpëlani këpucët në ujë me klor, dhe i ka firmato.
-Atëherë ta them unë, i thashë, që nuk ka rrezik, por nuk duhen lejuar se Edi Rama merr lekë dhe mbështetje amerikane.
-E mirë, tha, këto m’i thotë dhe Luba.
Po përveç kësaj, të dashur miq, ka dhe një dimension tjetër kjo protestë. Është policia. Saimir Tahiri mor zotërinj ka provokuar rëndë shqiptarët, por ata nuk e kanë hëngër provokimin. Ai zhduku policinë nga qarkullimi. Ne jemi dëshmitarë se për një javë rresht nuk kishte askund asnjë polic, asnjë skafandër, asnjë forcë speciale. Ku ishin, ku i fshehën? I fshehën vetëm e vetëm që shqiptarët të besonin se shteti nuk ekziston dhe t’i turreshin kryeministrisë. Por populli nuk e hëngri. Ai zotëria ka hequr dhe gardhin e kryeministrisë për t’i joshur protestuesit brenda. Por populli përsëri qëndroi korrekt.
Një tjetër aspekt i provokimeve janë vetë shkollat dhe universitetet. Në kohën që ne qeverisnim, askush nuk mund të linte mësimin pa arsye dhe të dilte në protesta. Edvin Rama qëllimisht porosiste pedagogët, mësuesit, drejtorët e shkollave që të mos pengonin nxënësit të linin mësimin dhe të dilnin në protesta. Po çfarë është kjo mo? Ku është parë kjo kështu? Këtë e bën vetëm një qeveri provokative që kërkon doemos rrëmuja dhe trazira, që kërkon destabilizim. Por populli nuk ra në kurthin e Edvin Ramës. Falë mendjemprehtësisë sonë, ne sot ia dolëm të mos provokohemi nga mungesa e Horrit të Bulevardit të Lavires së Bulevardit, të puçistëve dhe gjithë rrjetit agjenturor të Edvin Ramës në shkolla, fabrika, universitete dhe kudo.
Mbesa ime, që ishte në protestë me një maskë gazi, priste që kur Edvin Rama t’u thoshte “PO” armëve kimike, të vinte maskën dhe të udhëhiqte shokët dhe shoqet e saj. Ata kishin bërë gati parullën “Thuaj PO Sarës, JO sarinës”.
Por Edvin Rama ia doli të sabotonte protestën e lirë dhe të provonte se ai ka qenë filli i trazirave të 21 Janarit dhe vrasjes së katër qytetarëve nga policia, pasi tani që është vetë kryeministër, nuk ndodhën gjëra të tilla. Kjo tregon se i vetmi autor i tyre tashmë është brenda në kryeministri.
Shënime nga Ditari i Doktorit: Pallati i Vlorës po merr më qafë opozitën
28 tetor 2013
Të dashur miq.
Të gjithë e pamë se ç’ndodhi në Vlorë. Një pallat 7- katësh fluturoi në erë ndërsa kryetarit të Bashkisë i treguan prangat.
Kjo që po ndodh është një gjë shumë e rëndë.
Dyshimet e mia kryesore drejtohen mbi Edvin Ramën, i cili kërkon të inkriminojë kryetarin e opozitës, d.m.th atë që unë e quaj shpesh jo pa shaka kryetar i PD-së.
Çfarë po ndodh?
Pa dijeninë e Lulit, vjehrri dhe Kunati i tij kanë shkuar në Vlorë, i kanë kërkuar leje Shpëtim Gjikës, duke i premtuar se do të lironin votimin e buxhetit të Bashkisë nga PD- LSI. D.m.th kanë shitur pushtetin tim pa e pasur. Kjo është shumë shqetësuese dhe është një gjë që e kam marrë vesh vonë. Pas kësaj, Shpëtim Gjika u ka dhënë një leje me thënë të drejtën në një vend problematik. Ma ka konfirmuar dhe Zeni që është vend problematik.
Tani çfarë ndodh mo zotërinj?
Ky kryetari im ma ka futur opozitën në pallat. Ka dy javë që rri si pule e lagur, as flet, as sulmon, as artikulon se e ka mendjen tek pallati.
Edvin Rama, me gjithë ligësinë që e karakterizon, po e terrorizon duke mos thënë as po, as jo.
Shkon e prish një pallat fakiri aty afër, që ka qenë me leje që nga koha e Zogut si hotel, dhe nuk shprehet për pallatin e kryetarit tim. Kryetari im ka kyçur gojën dhe nuk thotë asnjë fjalë.
Pastaj vjen problemi i Gjikës. I pret fletë-arresti Gjikës, për t’u dukur se nuk bën kompromis me të vetët, dhe ky imi trembet në Tiranë. Asnjë fjalë, asnjë reagim.
E gjithë kjo më bën të dyshoj se Edvin Rama po tremb opozitën me pallatin e Lulit në Vlorë. Ky derdimeni im e ka mbyllur opozitën në pallat dhe është ngujuar aty. Nuk i ndihet zëri.
Çfarë duhet të bëjmë, thoni ju.
Ua them unë ç’duhet të bëjmë. Ne duhet të prishim vetë pallatin e Lul Bashës. Po, po, ta prishim vetë. Nesër do thërras në zyrë demokratët e vendosur të Vlorës, t’i armatos siç duhen, t’i frymëzoj dhe të shkojnë të hedhin në erë pallatin. Natën, aty nuk banon njeri, kështu që është orë e përshtatshme të hidhet në erë. Përgjegjësinë pastaj ta mbajë Edvin Rama. Ne do ta cilësojmë akt terrorist dhe do të sulmojnë qeverinë, por së paku do shpëtojmë nga pallati o zotëri. Unë nuk e kuptoj si mund të bëhet opozitë me pallatin e Kunatit mbi det. Sa herë të ngremë zërin ne, Edvin Rama afron fadromat dhe xhenierët tek pallati dhe ky imi mbyll gojën.
Të dashur miq.
Kështu nuk bëhet opozitë. Opozita duhet të vrasë frikën dhe të mos ngelet peng i një pallati. Edvin Rama po përpiqet të na fyejë dhe poshtërojë duke na e vënë çmimin sa një pallat. Por ne nuk duhet të dorëzohemi. Ne jemi nga ata që e hedhim vetë në erë pallatin dhe nuk dorëzohemi. Përpara!
Shënime nga Ditari i Doktorit. Dita e parë në zyrën e re
23 shtator 2013
Sot erdha tek zyra e re tek kulla. Nuk e kisha provuar ndonjë herë këtë gjë. Kur zbrita nga makina në oborr, nuk më priti asnjë roje. Kur hyra tek kati i parë, rojës i vinte zor të më kërkonte baxhën dhe më tha se ‘po të shoqëroj unë deri tek zyra’.
-Në çfarë kati e ke zyrën, më tha.
Në fakt nuk e dija në çfarë kati e kisha. Thirra Bashkimin në telefon dhe ma tregoi. Më çoi roja deri në vend.
Kur hyra, nuk kishte sekretare në paradhomë. Zyra brenda ishte e rregulluar, por vetëm kompjuter dhe TV kishte. Asnjë shkresë për të firmosur, asnjë memo, asnjë porosi… Gjë më pa kuptim nuk kam parë.
U ula dhe i rashë telefonit që kisha në tavolinë dhe m’u përgjigj roja në kat të parë.
-Përse keni nevojë Doktor, më tha.
-Po më kërkoi njeri, ma sill lart, i thashë.
-Patjetër, më tha.
Ja mbaroi dhe kjo punë, thashë me vete.
U ula dhe hapa televizorin. TVSH ishte ruajtur e para në memorie… Ishin lajmet e paradites dhe përsëriste kronika të vjetra nga darka. Çfarë të shikoja… Tre kronika për Mimi Kodhelin, dy për Saimir Tahirin, një për gardhin e Kryeministrisë… E fika fare. Piktori në këtë pikë ka pasur të drejtë. Ky televizion nuk bën. Duhet mbyllur. Këta janë ca sharlatanë servilë. Si mund të japë njeriu tre kronika për Mimin, ndërkohë unë zbrita para TVSH me makinë, hyra në zyrë dhe ata nuk kanë bërë kronikë fare. Plehra d.m.th. Servilë. Ka të drejtë Piktori.
E kalova nga Klani. Ata nuk kishin lajme fare. Seç kishin ca emisione me të rinj, pa lidhje. Me titra njoftonin se Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani ishin bashkë në SHBA, të ftuar nga Klintoni… broçkulla. Si mund të quhet lajm ky një herë. Klintoni nuk është asgjë, është ish- President, si puna ime. Bile unë jam edhe ish- President, edhe ish Kryeministër. Shtet jo serioz. Çon dy të parët e vendit tek një ish- president pensionist…
E ndërrova kanalin. Tek Ora News po jepej një reportazh për ditën e parë të shkollës. E ndërrova menjëherë. Si ka mundësi që askush nuk ka bërë një lajm që kam ardhur në zyrë të re, mendova me vete.
E fika fare TV. Ngrita receptorin e telefonit dhe më doli prapë roja poshtë në kat të parë.
-A më ka kërkuar njeri, e pyeta.
-Jo Doktor, asnjë njeri, tha. Mos ki merak.
E mbylla prapë.
U ngrita dhe po sillesha vërdallë në zyrë. Nga dritarja dukej pjesa e pasme e Kryeministrisë dhe përballë Presidenca. Të shëmtuara të dyja. Nuk shihen me sy. Kulla ime është serioze dhe e hijshme.
E mbylla dritaren. Hapa një derë të vogël dhe m’u shfaq banja. Ishte e bollshme me vaskë dhe e mobiluar mirë. Ndenja pak duke e parë dhe e mbylla derën.
Zhurma e lehtë e kondicionerëve po bëhej monotone si një zë gjinkalle i hollë që të picërronte veshët. U ula në tavolinë. Hapa kompjuterin. Ishte i ri. Nuk kishte asnjë dokument brenda. E hapa tek lojërat. E vetmja që di të luaj prej tyre është Tetris. E provova pak. Arrita tek niveli i tretë. Pastaj e lashë.
Ngrita prapë telefonin dhe pyeta recepsionin a më ka kërkuar njeri.
-Është njëri, më tha roja, e quajnë Gëzim dhe më pyeti: “Doktori ishte ai që hyri brenda?”. I thashë “Jo”.
-Ke bë gabim, i thashë, pse i the jo? Ndoshta është ndonjë fans, kërkon të vijë të më takojë.
-Po jo mo Doktor, e njohim ne, është një budalla i lagjes që rri rrugëve gjithë ditën dhe u flet njerëzve të njohur. Ndaj i thashë nuk ishe ti.
-Ashtu? E mirë. Sidoqoftë po erdhi njeri, ma ngjit lart.
-Patjetër Doktor, më tha roja dhe mbylli telefonin.
Pashë orën. Kisha kaluar gjysmë ore dhe s’dija ç’të bëja. Nuk kisha kë thërrisja në telefon. Nishani ishte në SHBA, Luli në këtë orë s’ka ardhur akoma nga Hollanda… Dhe ky Flamuri s’më ka marrë më në telefon. M’u kujtua papritur ky detaj. Nuk po më rrihej më. Thirra shoferin.
-Eja më ço urgjent tek PD-ja, i thashë. Ashtu kemi një punë.
-Po vij, po nuk ka këmbë njeriu Doktor, më tha. Është vetëm ky që bën qofte në oborr.
-S’ka rëndësi, do mblidhen, i thashë.
Shënime nga ditari i Doktorit: Po përpiqem të kuptoj pse humba vallë?
10 gusht 2013
Sot është e shtunë dhe mendimet e mia m’i trazon ideja që nuk kam ndonjë punë. Kujtova të shtunën e një viti më parë, të dy vjetëve më parë e kështu me radhë dhe më rezulton që nuk kisha nge as të merrja frymë. Sot nuk kam thuajse asnjë punë. Zeni ka dalë se e thirri një Mihal, Mihal në telefon se kish sherr me ca romë për një tokë. Gitën e thirrën me urgjencë këta të Bashkisë si të bëjnë letrat e SHQUP-it për PD-në. Unë kam mbetur vetëm dhe po përpiqem të bëj një bilanc.
Bilanci i parë natyrisht është pozitiv. Unë mbetem politikani më i pëlqyer në Facbook. Kam mbi 600 mijë njerëz që më adhurojnë, nga të cilët vetëm 400 mijë më kanë votuar. Po mendoj cili është shkaku dhe kam arritur disa përfundime.
I zura me radhë ato që quhen skandale të mëdha.
E fillova me Gërdecin. Im bir u përpoq të ndihmonte aty dy shokë të tij biznesmenë, Rafin dhe Mihalin, që do punësonin rreth 200 njerëz. I ndihmoi dhe u vuri gjithçka në dispozicion. U dha me vete dhe baxhanakun tim. Ndodhi ajo që ndodhi. Ne ju përgjigjëm situatës. Kemi kryer varrimin në mënyrën më shembullore dhe më të shpejtë. Afërsisht për 24 orë të gjithë kanë qenë të varrosur, përveç njërit që vdiq me vonesë. U ndamë lekë për çdo të vdekur. Kemi toleru korrupsionin, pasi kishte njerëz që kishin katër të vdekur në shtëpi, morën lek për katër ceremoni mortore dhe e bënë të përbashkët. Ne e toleruam, nuk e quajtëm korrupsion dhe i paguam si për katër ceremoni.
Kemi pagu kokë më kokë një dëmshpërblim të majmë. Kemi pastru zonën dhe kemi leju të ndërtojnë të gjithë pa leje. Për të forcu miqësinë e komunitetit me ministrin Mediu, kemi bë dhe krushqi të Mediut aty. Nuk besoj se i ka ngelë hatri dikujt aty nga qeveria. Të gjithë duhet të jenë të kënaqur.
Erdhi çështja e Fazlliçit. Ajo na ka dhënë shumë pikë si qeveri. Përfytyroni një biznesmen të huaj, që vjen të investojë në Shqipëri, nuk ka asnjë lek në vitin 2005, por ka guxim dhe besim tek qeveria ime. Regjistron menjëherë pesë kompani, ia nis punës, bën disa transaksione dhe bëhet milioner. Pastaj blen tokë në bregdet, lidhet me rusë, blen energji nga kompani serbe dhe na e shet ne, ndihmon qeverinë në tregun e armëve… pra bëhet një yll i biznesit shqiptar. E kam pasë kënaqësi të veçantë ta pres çdo herë që vinte në Tiranë në shtëpinë time. Ishte një model suksesi i qeverisjes sime. E sulmuan ca ziliqarë, por në sytë e popullit ai u lartësua. Ai ishte një njeri që kishte besim të plotë tek shqiptarët. I dha time bije, d.m.th studios se saj, prokurë për çdo gjë. Të shiste, të blinte pronat e tij, t’i transferonte tek të tretë, t’i menaxhonte llogaritë bankare në Qipro dhe këtu, pra çdo gjë, sikur t’i kishte biznese të sajat. Më gjeni të dashur miq një biznesmen që mund t’i besojë dikujt kaq shumë. Jo dhe jo. Vetëm nën qeverinë time njerëzit i besojnë Familjes sime, se është një familje e njohur për besë. Fazlliçi na e lartësoi emrin, na bëri të ndihemi krenar. Ndaj dhe shqiptarët e panë atë si histori suksesi të qeverisë sime se si një biznesmen e nis nga zero dhe arrin në maja vetëm duke i besuar gjithçka Sali Berishës. Bile dhe numrat e llogarive bankare. Pra, as nga kjo çështje s’kemi humbur vota. Vetëm na janë shtuar.
Po mendoja ç’ndodhi me rrugën Durrës- Kukës. Ishte një mrekulli që Kukësi nuk na e harron edhe sot. Ndryshe nga Elbasani që u tregua mosmirënjohës, kuksianët akoma besojnë tek unë dhe Partia Demokratike. Ne kemi thy rekord. Ne kemi ndërtu një rrugë 56 km me 1 miliard euro. Po, po. Kemi thy një rekord botëror. Shqipërisë i ka dalë zëri në çdo vend të globit për këtë investim rekord. Më thoshte kryeministri grek se ka ndërtu rrugën Egnatia, shumë e vështirë, 250 km për 570 milion euro. Shifra qesharake. Njerëz diletantë. Kur i tregova që unë kam ndërtue 56 km me 1 miliard euro, u mahnit. Unë mendoja se ne grekët ishim të parët për marifete, më tha, por kjo juaja na e fut të gjithëve.
Pra, ajo shifër na dha emër në botë. Deshën të akuzojnë Lulin për hajdut. Një skandal i vërtetë. Po kush e linte Lulin të merrte një cent. I lashë të merrej vetëm me nënkontraktorët dhe të kapte ndonjë lek aty. Me çdo gjë tjetër jam marr vetë. I thashë mos u tremb, shko në gjyq dhe pastrohu. Por është pak frikacak. Nuk shkoj, tha, kam emocione dhe qaj në sallë të gjyqit. E mirë, thashë, si të duash, dhe ia mbylla gjyqin.
As nga kjo nuk besoj se kemi humbë pikë. Njësoj si ky, dhe Mediu më qante në zyrë, thoshte nuk duroj dot gjyqe. Ia mbylla dhe atij me procedurë. S’kam lënë njeri pa ndihmuar në gjykata. Besoj se kjo më ka dhënë pikë.
Pastaj po mendoja për pronat. Im bir m’u bë haram në shtëpi. Merret tetë vite natë e ditë me pronat e bregdetit nga Velipoja në Stillo, se kërkon të ndihmojë njerëzit. Kushdo që i ka kërkuar tokë, i ka dhënë. Ndonjërit dhe më shumë se sa ka kërkuar, por njerëzit janë tregu korrekt, tepricën ia kanë falë. Vajza po ashtu nuk ka lënë njeri pa ndihmuar. Kush ka dashtë koncesione, hidrocentrale, prona publike, u është gjend pranë. Njerëzit i janë shumë mirënjohës dhe secili i ka falë nga tre përqind të pasurisë e lart. Gruaja po ashtu ka punu natë e ditë me fondacionin e saj. Ka mbledhë lek ku ka mundë. Nuk ka lënë njeri pa kontaktuar dhe pa i kërkuar para. Ka hapë dhe vetë qendra vizitash dhe konsulencash ku njerëzit falin vetë 600 euro për një muaj këshilla. Besoj se na ka shtuar vota dhe ajo.
Po vras mendje pse të kemi humbur. Po vras mendjen vetëm se ishte humbje e thellë, se humbje si ajo e Lul Bashës rregullohen. Po vras mendjen e s’po e gjej. Fansat e mi në Facebook po ashtu më kanë tradhëtu, nuk ma kanë dhënë të gjithë votën. Nuk di cili është shkaku. Sali Lusha më ka çu fjalë dhe thotë ke pasë tradhti nga brenda, nga çifti Olldashi- Patozi. Po e mendoj dhe më duket ky është shkaku. Duhet të spastrojmë me fshesë të hekurt mbeturinat e kësaj veprimtarie armiqësore. Përpara!
Shënime nga ditari i Doktorit: Edi Rama, hap kutitë ose largohu!
19 korrik 2013
Sot kisha një ditë tejet të ngarkuar. E fillova mëngjesin me Lefterinë. E thirra në telefon t’i shpjegoja se kutitë e Lezhës ishin të manipuluara.
-E di Doktor, më tha, po ja e hoqëm një deputet për 200 vota, më shumë nuk nxjerrim dot.
-E ke gabim, i thashë. Kam folur me kushëririn tim që ruan kutitë dhe ai më thotë janë të gjitha të manipuluara. I ka pa një për një të gjitha për kuriozitet dhe janë të manipuluara. Kërko hapjen urgjent.
-Ua, po mos thonë pse janë ndërru kodet…?
-Jo, s’ka problem, kanë kodin dubël ata, i ke në rregull nga kodet. Po brenda të siguroj i ke skëterrë. I ka pa një për një.
-Dakord Doktor, po i hap, po a i ka numëru mirë ai?
-I ka numëru shumë mirë, mos ki merak, i thashë.
Sa mbaroi kjo punë, u lehtësova shumë. Më në fund e gjeta arsyen pse humbëm. Na kanë manipulu kutitë. I thashë kushëririt tem që është roje tek kutitë t’i zërë gjithë qarqet me radhë, Shkodrën, Durrësin, Tiranën, krejt. Nuk mund ta kalojnë kaq lehtë me mue!
Më raportuan se KQZ filloi punë me kutitë, ndërsa kushëriri tek depo ka nisë punën me qarqet e tjera. M’u mblodh diçka në stomak nga gëzimi, pata një marrje mëndësh dhe u shtriva në kolltuk. Isha përhumbë krejt dhe duhet të kisha rënë në kllapi të thellë. Pak nga pak m’u bë një vegim, ku mijëra njerëz janë mbledhur para KQZ ku bërtasin “Edi, hap kutitë ose largohu!” Në krye të tyre është Lul Basha. Ngjan si një petrit i vërtetë. I gjatë dhe i pashëm si Koçi Bako në demonstratën e Korçës. E pashë të ngrihej lart nga turma. U dëgjuan disa të shtëna. Luli ulërinte “mos shkel rregulloren e bulevardit, rregulloren e bulevardit, këtu nuk jemi në bulevard, këtu nuk na vrisni dot”. Të shtënat vazhdonin. Populli mblidhej rreth Lulit dhe ai bërtiste, “Edi Rama, hap kutitë ose largohu”. Njerëzit e shtynin para, ai ngrihej sipër tyre si një flamur në valëvitje. Ishte një skenë që më përloti. Pas xhamit të blinduar të KQZ shikoja Edi Ramën që mbante fort kutitë dhe nuk i hapte. “Nuk i hap kurrë kutitë, thoshte, se destabilizohet Shqipëria”. Populli jashtë buçiste nga thirrjet “Hap kutitë ose largohu”.
U dëgjuan sërish të shtëna. Dikush po jepte urdhër të qëllohej mbi turmën. Luli tundte rregulloren e bulevardit në dorë dhe thoshte ‘nuk qëlloni dot’. Dëgjova Ndreun që thoshte kujdes serverin e Gardës se mos na regjistrojnë. Por të shtënat vazhdonin. Pashë dikë që ra i këputur në tokë. Pastaj dhe një tjetër. Po na vrisnin. U çudita. Kush është ministër i Brendshëm, thashë, që po qëllon, do ta paguajë me jetë. Është Sokol Olldashi, më tha njëri tek veshi. Po çfarë ka ndodhur, e pyeta.
Ka manipuluar zgjedhjet, është shpallur fitues dhe Luli po bën protestë para KQZ-së.
Kush është ai që është vrarë, pyeta. I pari ra Gaz Dibra, më thanë, i dyti Ben Ibroja, është plagosur Seit Dollapi dhe ka marrë një plumb qorr Gent Strazimiri.
Të shpallen dëshmorë, u thashë. Janë katër heronj. Ata që qëllojnë si burracakë mbi turmat do ta paguajnë…
Turma vazhdonte të buçiste dhe Lul Basha ngrihej si një hero legjendar mbi shpatullat e tyre…
Më doli kllapia. U përmenda. Kishte ardhur Shkëlzeni, më kish sjell haloperidolin që përdor për raste të tilla. E kish njoftuar sekretarja. Ma kishin hedhur nga hundët dhe u përmenda.
-Çfarë po ndodh, i thashë sa u përmenda.
-Kutitë i prishëm, tha. Punuam gjithë natën, janë në rregull, i kemi prishur.
-Si ka mundësi që fitoi ky Olldashi, e pyeta.
-Jo babi, janë më 22 zgjedhjet. E kam fjalën për kutitë e votimit…
-Aha, i thashë. Se pashë një ëndërr të keqe shumë. Nuk e di sa kam fjetur…
-Jo, ke tre orë pa ndjenja babi, por mezi të bëri derman haloperidoli. Tani eja fli pak në shtëpi se je lodhur.
U nisa në shtëpi. Isha akoma i paqartë nëse e kisha parë ëndërr apo kish ndodhur ajo me kutitë. Pashë Bogdanin duke folur dhe u qetësova. Nuk paskësh ndodhur gjë me Lulin.
Dialogu i Baba Mondit me Jarin në presidencë gjatë ndarjes
26 qershor 2013
Baba Mondi u nda sot me Bujarin në presidencë. Bujari ishte njoftuar në kohë dhe kish porositur menynë e zakonshme të Baba Mondit, qoftë, birra Korçe, kërnacka Korçe dhe pak mjaltë Përmeti në fund.
Baba Mondi arriti në kohë dhe i bëri shenjë Bujarit të mos lëvizte nga vendi. U ul pranë tij, shtrënguan duart dhe ngritën nga një gotë birrë.
-Si të duken zgjedhjet, i tha Bujari.
-Nuk ishin siç i prisnim, tha Baba Mondi, nuk di si u bë puna dhe u bënë të rregullta.
-Po pra, tha Bujari, u çuditëm të gjithë. Këtë tha dhe Doktori dje. Ishin ta pashembullta. S’kishim parë kurrë kështu.
-Ç’të ketë ndodhur vallë, tha Baba Mondi.
-Ndoshta ngaqë nuk kishte KQZ, tha Bujari. Zakonisht KQZ-ja ndihmon të bëhet ashtu si i duam ne. Kjo ishte KQZ e paaftë. Unë kisha rezerva për Lefterinë që kur e caktoi Jozefina, por ajo më tha se kam marrë ca tendera librash dhe shtypshkrimesh me të dhe më duhet. Ja ç’na bëri. Komplet e paaftë.
-E drejtë, tha Baba Mondi, që nuk e kishte shumë mendjen se i kish ngulur një pirun kërnackës dhe po e ngjyente me salcë.
-A do t’i dënojë OSBE-ja zgjedhjet, tha Bujari.
-Po nuk kemi shumë argumente, tha Baba Mondi, është e vështirë. Por do përpiqemi të themi ndonjë fjalë.
-Po tani me se do merresh, i tha Bujari.
-Nuk e di, problem e kam, tha Baba Mondi. Do t’u kërkoj mos më çojnë në Kosovë, të paktën të jem afër të dal për uikend në Tiranë. Do më mungojë shumë Tirana. Po ti ç’do bësh? Akoma do vazhdosh këtu?
-Po ku di unë. Ishte dje Doktori këtu po s’ia hapa dot muhabetin. Dhe ai donte të më thoshte diçka, por nuk tha gjë. S’e di si do më vejë halli.
-Të flas unë njëherë me këtë Ilir Metën, tha Baba Mondi. Më duket burrë i arsyeshëm ai. I them Yllit të më lërë një takim, dhe t’i kërkoj që të të mbajnë në punë.
-Po mirë, nder do më bësh. Unë e kam thënë që nuk kthej pas asnjë shkresë nga qeveria. Çfarëdo që të më bien, do ta firmos. U thuaj vetëm më jepni shansin të më provoni dhe nuk do t’i zhgënjej.
-Në rregull, po ja them, i tha Baba Mondi dhe mori një qofte tjetër. Po nëse bëjnë ndryshime kushtetuese?
-Nuk e di, por shiko mos ke ndonjë mik në OSBE që të mos i lejojë t’i bëjnë. Më prish shumë tani të iki se kemi porositur dhe mobilet e reja tek vila qeveritare, këto që kisha tek shtëpia do t’ia fal njërit që më kish bërë një nder, dhe po qe se më heqin, në fakt më duhet shumë punë të bëj një ashensor këtu tek shtëpia dhe një shkallë tjetër për mua. Plus është dhe lagje e keqe. Do ta dija shumë për nder.
-Do përpiqem, i tha Baba Mondi.
-Po ma bëre këtë, eja kur të duash çdo uikend tek mua, se aty tek Pallati i Brigadave mund të bëjmë zgarë jashtë dhe kënaqemi. Nuk na shikon njeri.
-A, shumë mirë, tha Baba Mondi. Do përpiqem. Hëngri dhe qoften e fundit, futi një lugë mjaltë dhe u çua.
-Shef, çfarë të them në komunikatë shtypi, tha zëdhënësja ndërkohë që Baba Mondi po fshinte buzët.
-Folëm për zgjedhjet, i tha Bujari. Thuaj që ishin shumë të mira.
Imami keqkuptohet me një elbasanlli rreth fjalës b…
6 qershor 2013
Një incident i ri i ndodhi sot Ben Imamit në Elbasan. Ai ishte duke pirë kafe si zakonisht me Fahri Balliun, kur aty afër kalon një qytetar dhe i fut një të sharë,.
-Duan dhe vota këta bythq… e mutit, tha dhe iku.
Beni u vu në siklet, kurse Fariu thirri kamarierin të paguante dhe të identifikonte atë që shau.
-Mos ja vini re, tha kamarieri, nuk e ka për atë që mendoni ju, e ka për fushatë që ju gënjeni, d.m.th nuk mbani fjalën.
-Më vjen keq, tha Beni, po ai na tha bythq… dhe jam i sigurt që e thotë nga inati i debatit që unë kam me Shoqatën e Dylberëve.
-Dëgjo, unë e njoh mirë, tha kamarieri, nuk e ka fare për atë gjë. Këtu bythq… u thonë atyre që nuk mbajnë fjalën, të siguroj unë për këtë…
Duke bërë debat rreth kësaj çështje, Beni i nxehur ndalon një elbasanlli, që ju duk tip interesant, babaxhan.
Ju prezantua se është kandidati për deputet i zonës dhe donte të bisedonte me të.
-Ça më do mu ti me jahu, i tha elbasanlliu i bezdisur.
-Kam një sherr me këtë Shoqatën e Dylberëve, i tha Beni, dhe dua ta di nga ty si qytetar se ç’kupton me fjalën bythq… kur të shan dikush në rrugë?
-Si me ta shpjegu lala ty, i tha elbasanlliu. Kam qenë në burg për shembull.
-Po, i tha Beni.
-Ene në qeli isha me Hasonin.
-Po, i tha Beni.
-Ene ramë dakord si burrat me bë atë punën me dëshirën tonë.
-Po, i tha Beni.
-Në fillim e kishte radhën Hasoni me ma bë mua të hënë, të martë, të mërkurë…
-Po, i tha Beni.
-Ashtu dh e bëni ai punën e vet.
-Po, i tha Beni.
-Pastaj e kisha unë radhën me ja bo atij të enjte, të premte, të shtunë…
-Po, i tha Beni.
-Ai nuk më la t’ia bëja, i tha elbasanlliu. Ja ai është bythq… të keqen xhaxhai. Nuk e mbajti fjalën. Këta njerëz i kena inat fort në Elbasan, tha xhaja.
Beni u hutua një moment, pastaj e kapi thelbin.
-Më shpëtove xhaje, rrofsh, tha, se më thoshin vetëm mua tek PD bythq… Tani i bie nga i pari tek i fundit.
Disa pyetje të Komisionit të Veshit nga Ba Ka Dill
8 maj 2013
Komisioni i Veshit u mblodh dhe dy të ftuarit e parë, me gjasë të vetmit që do ta marrin seriozisht komisionin, kishin ardhur. Ishte Egini dhe Fatja.
Kryetari i komisionit, Ba Ka Dill, vendosi të nisë seancën duke filluar me pyetjet rreth Eginit, i cili konsiderohej dhe viktima e skandalit të veshit në Vjenë.
Ka Dill kishte përgatitur dhjetë pyetje, nga përgjigja e të cilave varet dhe fati i Edi Ramës.
1. A është e vërtetë që ju shkoi vetë në mendje të shkonit në takim apo ju nxiti dikush tjetër?
-Absolutisht vetë. Dëgjova që kishte ardhur Ed Rama dhe meqë e kemi pas mik familje, thashë të shkoj ta shikoj.
2. A shkuat me makinë të punës apo me metro në takim?
-Me metro se makina e punës nuk punon.
3. A kishe përgatitur pyetje për Ramën kur hyre apo ia le spontanitetit?
-Jo, më kishin ardhë ca pyetje me sms nga Doktori.
4. Pse nuk i bëtë pyetjet brenda në sallë?
-Nuk mund ta pyesje. Ai të shikonte me inat.
5. A keni prova konkrete?
-Patjetër që kam. Gjatë fjalës së tij, ai i kishte ngulur sytë një gruaje në fund të sallës dhe ajo e turpëruar uli sytë.
6. Kur e pyetët ju Ramën?
-E pyeta kur dolëm nga salla, por ai ecte shpejt dhe mezi e arrita.
7. Si reagoi ai?
-Më tha si s’i ke lënë gjë babit dhe më shkuli veshin.
8. A e dinte ai që ai vesh ishte pasardhës i njerëzve të mëdhenj, si Migjeni, Petro Nini Luarasi, Skënder Luarasi, Hasan Ceka etj.
-E ka ditur shumë mirë se e kemi pasë mik shtëpie dhe thoshte gjithmonë e kam idhull veshin tuaj.
9. A ja bëtë të qartë se duke të shkulur veshin po shkulte historinë nga rrënjët dhe ky është një krim kombëtar?
-Ja bëra të qartë duke i thënë ‘ti je një pis’.
10. A ju pa kush çfarë ndodhi dhe a u turpërua Shqipëria nga ky gjest?
-Pati disa njerëz që e panë skenën. Një austriak që po kalonte aty dhe pa veshin tim të skuqur, tha se kjo gjë ju turpëron si komb, pasi ti dukesh sikur je kinez tani dhe jo shqiptar. Kjo ishte fyerje e madhe për mua, duke pasur parasysh dhe origjinën time.
-Mjafton me kaq, tha Ba Ka Dill. Nga hetimet tona në vitin 1991 Edi Rama ka mbajtur një fjalim ku ka thënë se komunizmi na zverdhi si rusë, na skuqi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë. Qëllimi i tij paska qenë të të skuqte si kinez dhe të të nxinte si shqiptar. Akuza juaj pranohet.
Egini i largua i kënaqur. Pas tij erdhi për të dëshmuar Fate Velaj, i cili kishte qenë dëshmitar në skenën e veshit.
Ky i fundit para se të fillonte, nxori një pako mbi tavolinë, filloi ta çmbështillte me kujdes deri sa më në fund u pa që ishte një skulpture veshi.
-Më falni zotëri, çfarë është ajo, pyeti Ba Ka Dill.
-Është një dhuratë e imja si artist për komisionin, tha Fatja. Merreni ta keni se mund të jetë i vetmi rezultat pozitiv i komisionit.
Ba Ka Dill i kishte ngulur sytë dhe për një moment iu duk si organ gjenital femre dhe u tmerrua.
-Merreni mbrapsht zotëri, tha, nuk jemi në bordello këtu, jemi në parlament.
-Nuk e kisha me të keq, tha Fatja, një pjesë trupi nga Egini jam munduar të bëj skulpturë.
-Rrugaç, i tha Ba Ka Dill. Egini nuk del lakuriq plazheve që ia paske parë ti.
Flamuri merr urimet e para për debatin televiziv
13 prill 2013
Dhjetëra e-maile kanë mbërritur në redaksinë e gazetës TemA pas debatit të djeshëm të Flamurit në TV Klan. Shumë nga e-mailet dhe komentet e lexuesve tanë janë shumë të kënaqur që Muli, siç i flisnin në debat, ishte besnik i Mulit të Antenës, duke mos i zhgënjyer lexuesit. Po botojmë një prej letrave të shumta të ardhura në redaksi për këtë fitore të Mulit në opinion TV.
“-E nderuara redaksi e Antenës!
Jam shumë e kënaqur që pas pesë vitesh kontakte të përditshme virtuale me Flamurin, ne patëm mundësinë ta shijojmë me zë dhe figurë në Opinionin e TV Klanit. Përshtypja e parë që mu krijua ishte se edhe sikur të mos ia shkruante dikush emrin me titra poshtë dhe postin që mbante, të gjithë lexuesit e Antenës e merrnin me mend që ai që fliste ishte Muli. Gjestet e tij, fjalori i pasur dhe batutat brilante që lëshonte, të kujtonin Mulin e përditshëm që ne takojmë tek Antena.
I vetmi defekt që nuk kemi pasur mundësi ta verifikojmë ishte se atij i ngelej qejfi kur i thërrisnin shkurt Muli.
Kjo më bëri shumë përshtypje dhe sot gjithë ditën kam pyetur miq dhe shok të mi kuksianë, por dhe të tjerë që përse Flamuri ynë e ka problem të quhet Muli. Shpjegimi ishte shumë befasues. Shkurtesa Muli u përdorka zakonisht për fëmijën e vogël të gomarit, dhe Muli si djalë fshati që është e di mirë këtë dhe ndjehet shumë i acaruar. Saimir Tahiri mesa duket është injorant në këtë fushë dhe nuk e kuptonte rëndësinë e fyerjes për Mulin.
Pas këtij sqarimi mirëkuptuam dhe acarimin e Flamurit për shkurtesën Muli, që përdorte Tahiri. Pjesa tjetër ishte brilante. Ai fliste si tek Antena, bënte gjestet siç e përshkruan Antena, fliste po ato marrëzi që flet tek Antena, dhe mbi të gjitha ishte shumë simpatik në budallallëkun e vet, si tek Antena. Për këtë arsye desha ta ndaj me ju këtë gëzim që ndjeva kur pashë se si një nga personazhet tanë më të dashur, i meriton gjithë lavdërimet që ka marrë këto 5 vite”.
Redaktori ynë po mblidhte reagimet rreth Mulit dhe po sistemonte në një dosje që të shërbejnë dhe më tej për të vizatuar portretin e tij kur mbërrin e-maili i fundit.
-“Në Konventën e Partisë Demokratike për fshatin, po flasin vetëm djem nga qyteti, Topalli, Patozi, Olldashi etj. Po Muli pse nuk flet? Ai është fshatari më i shquar i PD-së!”
Redaktori ynë, i bezdisur nga komentet e vazhdueshme për Mulin, i ktheu këtë përgjigje.
Fjalimi i Jozit për Berishën me rastin e 8 Marsit
8 mars 2013
Jozi kishte një merak për 8 Marsin. Në takimin që do mbahej në Pallat të Kongreseve, donte t’i jepte dërrmën përfundimtare Lulit si mbështetës i Doktorit. Për një muaj rresht punoi me lista me gjithë gratë e administratës të ishin prezente në sallë. Kur kjo u sigurua me lista dhe u rikonfirmua disa herë, Jozi i hyri punës për fjalimin. Thirri sekretaren dhe i kërkoi fjalimet më të zjarrta të mbajtura nga viti 1945 deri më 1990 në kongreset e grave. Pas shumë kërkimeve, sekretarja në mënyrë të habitshme i vuri në
tavolinë një fjalim të mbajtur në kongresin e gruas më 1949, nga Kryetari i Gruas së Përmetit për Enver Hoxhën. Sekretarja kishte nënvizuar disa pjesë të forta të fjalimit.
“Ti je dielli që na ndriçon rrugën, ti je shpresa me të cilën zgjohemi nga shtrati, ti je mendja që na vë në lëvizje trupin, ti je gjeniu që bën të jemi heronj, ti je engjëlli që na mbron nga armiqtë, ti je roja i demonëve që zgjohen brenda nesh, ti je heroi ynë…”
-Çfarë paska kenë kjo grua nga Përmeti kaq e mençme, tha Jozi. Kurrë s’kam pa fjalim kaq të mirë. Po e kopjoj krejt. Nuk besoj e ka lexu njeri fjalimin e kësaj gruje më 1949.
-Lexoje pa frikë, i tha sekretarja. Një kopje gjendet vetëm në arkiv të shtetit. Vetëm po e mbajti mend Vito Kapo se ajo e ka të fiksuar.
-Përnjimend e ka të fiksuar, tha Jozi. Fjalim kaq të bukur s’ka pasë shanse me mbajtë as Vitoja. Ku, ku për këtë grue. Ça kanë ba më pas, e kanë vra a e kanë rritë në detyrë?
-Kjo nuk ka qenë grua, ka qenë burrë, i tha sekretarja. Në Përmet Kryetari i Grave në atë kohë qenkësh një burrë. Quhej Qako Dango. Kështu e kishte dhe në arkiv. Meqë në Përmet nuk kish gra me shkollë, kishin caktu kryetar të grave një burrë.
-Po kjo keka fantastike, tha Jozi. Unë jo vetëm që po e kopjoj, por po e bëj sllogan. Ai, pra Brisha, është heroi jonë. Po e shkruj në sfond.
You are my hero… Bukur shumë. Keka fantastike. Shif mar çfarë talenti paska pas ky Çako.
-Qako, me Q, i tha sekretarja.
-Hajt mar se s’ka problem, i tha Jozi. Veç fjalimin po i kopjojmë, jo emnin.
Pas kësaj Jozi mori fjalimin e Qakos dhe bëra disa prova recitimi.
Gjithçka ecte për bukuri.
E thirri sekretaren ta dëgjonte duke folur.
-Shumë bukur, i tha sekretarja.
-A bën me ditë tha Jozi si e ka pritë Enveri këtë fjalim?
-Nga arkiva del se e ka pritë mirë, i tha sekretarja. Sa kishte shpëtuar nga grupi armiqësor i Koçi Xoxes dhe jugosllavëve dhe donte patjetër
të kish dhe mbështetjen e grave.
-Tamam keka, tha Jozi. Dhe ky yni sa ka shpëtu nga grupi armiqësor i Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut. Spiuna janë dhe ata.
Po këtë Qakon çfarë e bënë më pas, pyeti Jozi.
-Qako pati probleme, tha sekretarja. Më vonë në një plenum, shoku Enver u ngrit dhe pyeti Qakon. Pa na thuaj ti Qako ç’e kishe gjithë atë zell për të më mburrur mua në kongres të grave. Çfarë i fsheh partisë ti?
Doje të na hidhje hi syve ne?
Qako kishte ngelur, nuk fliste dot. Fol Qako, mos u fshih pas fustanit të grave, i tha shoku Enver.
-A përnjimend a? A thu ky Lul plehna të ma bëjë mu kështu, t’i mbushë mendjen Doktorit se na kena dashtë me i marrë partinë nga krahët?
-Nuk e di, i tha sekretarja. Ata të Bashkisë kishin dërguar një shkresë në kryeministri që gratë e PD po thyejnë gjithë mimozat në Tiranë nga inati i Lulit.
-Ne po ja thyjmë atij, tha Jozi. Ku ku për atë të marrë. As na shkon menja me ja thy atij. Heroi jonë është Brisha, ai nuk është kurrkund.
-Salla është mbushur, tha sekretarja, për pak do fillojmë. Je gati për fjalimin.
-Po moj, gati jam, veç ma thuj dhe një herë ky Çako me Q, a u dënu?
-Po, po, u dënu, i tha sekretarja. Por ti vetëm citatin i ke marrë Qakos. S’ke lidhje me të. Ti je grua si burrë, ai ishte burrë si grua, si Luli d.m.th. Ai do ta hajë.
Aventurat e Sandrit për të bërë Jamarbërin disident për djathin
26 shkurt 2013
Doktori e ka marrë seriozisht punën e të pasurit një antikomunist në familje. Meqë vetë ishte komunist dhe nuk pati mundësi të ishte disident, më në fund ka gjetur të shpallë dhëndrin antikomunist, i cili ka qenë adoleshent në vitet e fundit të komunizmit.
E diskutoi gjatë idenë me Sandrin se si mund të shpallej një adoleshent antikomunist.
-Nuk di ç’të të them, i tha Sandri, se dhe unë atëherë kam qenë komunist. Por me sa kam dëgjuar. këta që ishin antikomunistë kishin pakënaqësi për ushqimin, veshjet…
-Shumë mirë e ke mendu, tha Doktori. Ka shprehë pakënaqësi për ushqimin. Shiko, Jamarbëri e don shumë djathin. Vazhdon ta dojë shumë. Ja porosisim djathin në baxho akoma. Shiko, do ta bëjmë që ai ka kërku djathë, nuk ka pasur djathë, dhe e kanë persekutuar.
-Mirë, tha Sandri. Ja t’i them Fevzos të përgatisë një rrëfim, dhe pastaj e përdorim për Jamarbërin.
-Shiko Sandër, jo Fevzos. Thuj dikujt tjetër…
-Po hë o Doktor, ç’ke me Fevzon? E bën ai…
-Shiko, jo Fevzon. Se ai pastaj e fikson në memorie dhe thotë që i ka ndodhur dhe atij. Nuk dua të ketë njeri tjetër histori të ngjashme si Jamarbëri.
-E mirë se i them Pandit, se ai ka dëgjuar shumë histori të tilla, tha Sandri.
Të nesërmen Sandri u kthye me një histori të gatshme të shkruar në emër të Jamarbërit.
-“Një ditë po dilja nga gjimnazi dhe po kaloja para bulmetores së lagjes. Sapo pashë tabelën “Bulmetore”, më lëshoi lëng goja. Ëndrra më e madhe e jetës sime ishte djathi. E adhuroja atë. Sa herë që babi ikte me shërbim në rrethe nga Muzeu, na sillte djathë me vete dhe ne nuk ngopeshim duke e parë se si gjyshja e priste feta- feta, e fuste në hirrë, pastaj i vinte kapakun. Nuk na lejonte të merrnim vetë se e mbaronim shpejt. Sa herë që hapte kapakun, na jepte pak djathë dhe pak shëllirë të ngjyenim bukën. Ishin ditët më të lumtura të jetës sime. Me këto mendime në kokë, duke kaluar para dyqanit të djathit, vendosa të hyj brenda. Hodha sytë nga shitësja dhe vështrimi im pyetës e bëri atë të hutohej…
-Çuni i Luanit je ti mor, më pyeti.
-Po, i thashë.
-Qyqja sa qeke rrit me çun, të maj mend të vogël fare. Ça kërkon?
-Pak djathë, i thashë…
-Nuk ka ardhë furnizimi akoma, më tha.
Unë u bëra keq në fytyrë dhe thashë me vete “si nuk ka as djathë xhanëm”.
-Qyqja, ça thu mor çun, je dhe djali i Luanit tha. Partia ka respekt për tët atë. I ka dhënë shkollë, punë, e ka bërë me pozitë.
-Jo, nuk thashë gjë, i thashë unë, thjesht më vjen inat që nuk ka djathë.
-Qyqja mo çun, kush të tha ty mor që s’ka djathë, djathë ka plot, po s’ka ardhë furnizimi të thashë.
Unë u zura ngushtë, nxitova hapat, dola në rrugë dhe ia dhashë vrapit.
Shitësja doli tek dera dhe po më ndiqte. Ajo ec, unë ec, ajo ec, unë ec, kalova kthesën e pallatit, ajo më ndiqte akoma. Hyra me vrap brenda në shtëpi.
Pas pak trokiti dera.
Gjyshja u ngrit ta hapte.
-Mos e hap gjyshe, i thashë, se duan të më arrestojnë.
-Qyqja, ça ke bo mo çun që do të arrestojnë, tha. Ne jena me partinë, babën me partinë, ne me partinë, nga ke ngja ti?
-Më shpëtoi goja, i thashë, në dyqan dhe thashë që nuk ka djathë. Po më gjurmo shitësja nga pas…
-Qyqja çuno, ça na paske bo, na ke turpëru me partinë, tha gjyshja dhe hapi derën.
Shitësja ishte pas derës me fytyrë të kuqe flakë.
U përshëndet me gjyshen dhe filloi të flasë me të. Unë u fsheha tek banja në korridor dyllë i verdhë nga frika.
-E keni këtë çun shumë arrakat, tha shitësja.
-E kena, ça të bojmë, e kena djalë të vetëm, tha gjyshja.
-E ndoqa nga pas e nuk e arrita dot. Harroi çantën në dyqan, s’di pse iku me vrap. Na, jepja se ne shokun Luan e respektojmë si njeri të partisë.
-Falemnders, i tha gjyshja. Sa të kemi këtë parti, gjithë të mirat do kemi.
Pastaj unë dola nga banja dhe pashë gjyshen në sy.
-Hajt mor çun se s’ka digju kush gjë. Mos na tremb kot.
-Po, po, ashtu të duket ty, i thashë gjyshes, por mua më vret ndërgjegja se e thashë…”.
-Mirë Sandër, e dëgjova, tha Doktori. E ka bërë pak të gjatë ai. Duhet ta konsultojmë dhe me ndonjë oficer Sigurimi që ka qenë në atë kohë që njeh rrethanat.
-Ja japim Agim Shehut, tha Sandri, ai ka qenë oficer i lartë Sigurimi.
-Mirë, dakord, ta shikojë dhe një herë Gimi, ta korrektojmë dhe t’ia japim Jamarbërit ta botojë si intervistë.
-Le se merrem unë me këtë punë, tha Sandri dhe doli nga zyra i gëzuar që më në fund po i jepej rasti t’i zbuste marrëdhëniet me Doktorin, edhe pse Fevzon nuk e pranoi si ndërmjetës përsëri.
E rëndësishme ishte që kjo skena e djathit të dilte sa më e besueshme për publikun dhe Jamarbëri të dukej vërtet jo vetëm një hamës djathi, por dhe disident.
Fevzo jep mesazhe të forta pajtimi me Doktorin
7 shkurt 2013
Pas hezitimit të gjatë të Doktorit për t’ia falur Fevzos “Darkën e gabuar” dhe disa detaje të tjera nga emisionet e veta, sot u vendos një lloj paqeje. Gjyqi i 21 janarit i shpalli të pafajshëm gardistët që vranë dhe SHBA reagoi shumë egër. Më pas BE lë të kuptojë që një vendim i tillë mund të çojë në trazira ndaj duhej pritur Apeli.
Doktori ishte në siklet të madh. Dy emisionet politike të mbrëmjes ishin të rrezikuara të merreshin me të. Tek Topi nuk ndërhynte dot, ndaj vendosi t’i bëjë presion Fevzos.
Mori Sandrin për ta pyetur se çfarë debati ka Fevzo në mbrëmje.
-Të enjteve ka debat politik, dihet, tha Sandri. Mbledh analistët dhe flasin për ngjarjen e javës.
-Ashtu…, mirë, dakord. Nejse, nga ne nuk vjen njeri një herë, i tha Doktori. Le të marrë kë të dojë nga Rama.
Sandri u ftillua shpejt dhe i preu fjalën.
-Prit, prit, mos u nxeh, tha, se do flas me Fevzon.
Pas pak u lidh me Fevzon dhe e pyeti çfarë do bënte në darkë.
-Po çfarë të bëj o burrë, këto temat janë bëre bozë. Ky 21 janari është kot, nuk ta shikon njeri. Ky gjyqi i 21 janarit është kot, dihej që ata nuk kishin faj. Kjo deklaratë e SHBA është kot, kush i pyet ata. Kjo e BE pak më e mirë ishte, por dhe ata kot janë. Duhet me bo ndonjë gjë historike o burrë. Kam një emision interesant se kush e vrau Mit’hat Frashërin. E kam të regjistruar, do fus atë.
-A, shumë mirë, tha Sandri. Ça ka qenë ky Mit’hat Frashëri, i pasur?
-Jo mo burrë, është djali i Abdyl Frashërit, ka qenë njeri i madh, ka pasë bibliotekë…
-Aha, vari k…, si Aurel Plasari, nga këta që lexojnë libra. Mirë, mirë, fute këtë.
I gëzuar, mori Doktorin.
-Fevzo e ndryshoi emisionin, i tha. Kishte debat polik, po ia mbusha mendjen unë që ky 21 Janari është kot, këto reagimet ndërkombëtare janë kot dhe do bëjë një emision për vrasjen e Mit’hat Frashrit. E paskan helmu komunistët në Amerikë në hotel. Dhe kanë sy e faqe dhe ankohen për vrasjet e 21 janarit. Është i madh Fevzo.
-Ashtu…, mirë ka bë. Shiko Sandër, ajo vrasje ka shumë rëndësi. Unë jam vetë doktor zemre. Ai e ka në ekspertizë që ka vdekë nga zemra. Por e vërteta nuk mund të jetë kurrë ashtu. Vetëm ashtu nuk mund të jetë. Ajo është një vrasje. Ka qenë njeri i madh Sandër…
-E mo, më tha pak Fevzo, nga këta që lexojnë libra.
-Nejse, dakord, mirë. Shiko, dakord, do ta shikoj se me thënë të drejtën kisha vendosur mos ta shikoja Opinionin sot.
-Shikoje, shikoje, se do jetë i fortë, tha Sandri. Do çmendet Rama fare.
Mbylli telefonin me Doktorin dhe u lidh me Fevzon.
-Nesër për drekë me Doktorin, tha. Më duket se u zbut situata. Me këtë që ke bë sot, ia ke thyer zemrën. Nesër flasim.
-Po jo o burrë se nuk e bëra për atë, po nuk ke çfarë bën. Janë ezauruar gjithë temat. Ti e pe dje që u mora me thertoret. Kam dhe një emision të regjistruar për lulet dhe si duhet t’i ujisim ato, por po e lë kur të jetë gjyqi i Apelit. Nuk durojnë dot njerëzit politikë, o burrë.
Bujari analizon me stafin tekstin e kartolinës
3 janar 2013
Doktori u trondit shumë nga kartolina e Nishanit. Sapo dëgjoi urimin në TV Klan, ndërroi kanal. Për dreq dhe ABC kishte të njëjtin lajm. E fiku fare.
-Kush ia shkruan këtij debili këto, tha duke shfryrë me vete në zyrë.
E mori në telefon ta pyeste.
-Bujari ju dëgjon, tha Presidenti nga ana tjetër e telefonit.
-Dëgjo, shiko, tani,… mirë, dakord, po shiko, ai urim nuk ishte në rregull. Jo, nuk ishte në rregull. Tani o zotëri ti një njeri që të t’i shkruajë dy gjëra duhet të mbash. Mos më shiko mua që i bëj të gjitha vetë se nuk jemi njësoj. Unë jam njeri me këmbë e duar, ti duhet të kesh një njeri për fjalime.
-Po pse, nuk të pëlqeu Doktor? Mua vajza më tha s’kam dëgjuar urim më të bukur…
-Mirë, dakord, po shiko. Nuk janë gjithë shqiptarët në moshë të vajzës tënde. Të thashë hiqi ato mustaqe, më the nuk do vajza, tani të them nuk shkruhet ashtu urimi, më thua ma pëlqen vajza. Tani vajza kemi të gjithë zotëri po nuk u hapim rrugë për gjithçka.
-Po jo Doktor se vajza ime këto kërkesa ka, i ka të thjeshta.
-Atë mos e thuaj ti zotëri ç’kërkesa ka se dhe ajo imja ashtu i kishte në atë moshë. Prandaj mos ia hap syrin. Atë duhet ta bëje serioz. Jo, kam reagime, unë e shikoj.
-Në fakt ke të drejtë Doktor. Duhej më festiv. Pjesën e parë e kisha ca më serioze. Duhej më festive… E pe atë pjesën e fundit sa hare kishte.
-Nejse, dakord, po merr një njeri të saktë të t’i shkruajë këto fjalime.
-Kam marrë një Doktor, po ky më pyet gjithë ditën kur do prishet Piramida se do të bëjë pallatin që i ka premtu Lul Basha.
-Tani zotëri mos më ngatërro me këto punë, po duhet të jesh më serioz kur bën urime. Dakord, këtë kisha.
-Kuptova qartë, tha Bujari dhe mbylli telefonin.
Pas kësaj mblodhi stafin dhe u tregoi shqetësimin e Doktorit dhe bisedën e tij.
Filluan ta diskutojnë se ku çalonte puna.
E para foli këshilltarja për shtypin.
-Unë kisha disa rezerva, por nuk t’i thashë atë ditë, foli ajo. Tre vargjet e fundit nuk kishin rimë dhe poezia jote kalonte nga me rimë të rregullt në varg të lirë. Në fakt duhet të ishte ose me rimë, o varg i lirë. Ka të drejtë Doktori.
-Unë mendoj se duhet të kishte një urim special për arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Doktorit, tha Sekretari i Përgjithshëm.
-Unë mendoj se duhet të ishe më i ashpër me opozitën që ka bllokuar statusin, tha këshilltari juridik. Ajo s’ka votu tre ligje. Ashtë marre mos me e përmendë në urim.
Nishani po mbante shënim dhe më në fund u kthye nga këshilltari për kulturën që i kishte bërë fjalimin.
-Hë, si të duket debati, i tha. Çfarë i mungonte fjalimit tënd?
-E kuptova shef, i tha. Gjeta vjershën origjinale. Mungon strofa e fundit: “Kartolinën ua dërgova, mos kujtoni se harrova”.
Nishanit i qesh fytyra.
-Ja, kjo duhej, tha. Mbaje shënim ta kemi për vitin tjetër se sivjet iku kjo.
HA HA HA
NUK DI KE TE ZGJEDHESH:
http://goo.gl/Qli8rk
Mero , pleaseee boto nje liber me te gjitha antenat….do jete best seller per 2014
Mero Baze, te flm nga zemra, per te gjitha editorialet e tua dhe per humorin e kendshem qe na dhuron, mes tragjedive dhe masakrrave ne te gjitha drejtimet qe ka shkatuar qeveria e meparshme … ti gjithmone ke gjetur kohen per te bere humor me personazhet e antenes tende, sepse me te vertete jane
Mero Baze, te flm nga zemra per te gjitha editorialet e tua dhe per humorin e kendshem qe na dhuron, mes tragjedive dhe masakrrave ne te gjitha drejtimet, qe ka shkaktuar qeveria e meparshme, ti gjithmone ke gjetur kohen per te bere humor me personazhet e antenes tende, sepse me te vertete jane qesharak dhe pse per fat shume te keq , kane pasur dhe dikush ende ka akoma poste te rendesishme qe nuk i meritojne aspak!
Gezuar 2014 Mero Baze , Gezuar stafit te Gazetes tuaj prestigjioze, qofte nje vite i mbare dhe sa me shume suksese te keni , jeni te Mrekullueshem!
Gezuar vitin e ri 2014.Tu befte pena stilolaps nga ato te Sali efendiut o Mero djali.