Kunati, i mërzitur me ballon e Jarit

23 Dhjetor 2013, 21:34Antena TEMA
Kunati, i mërzitur me ballon e Jarit

Kunati pati një zhgënjim këtë fundjavë nga Jari. Ky i fundit kishte vendosur të bënte një ballo për Vit të Ri dhe kishte bërë dy gabime të rënda. E para, nuk ia kishte lënë Protokollit të Shtetit ta organizonte, dhe e dyta, nuk ia kishte besuar as agjencive të Kunatit. Kunati ka dy vjet që organizon çdo festë dhe panair në Tiranë, kurse Jari nuk paskësh besim për një ballo të presidentit.

I mërzitur me Jarin, filloi të hetojë ku ishte arsyeja.

Në fillim u interesua pak si zyrtarisht tek Protokolli i Shtetit dhe kërkoi të dinte kush ishte lista e të ftuarve në ballon e Presidentit.

Protokolli i Shtetit iu përgjigj se nuk di gjë, pasi nuk e organizon ai.

Atëherë kontaktoi një agjenci dasmash që organizonte ballon.

I pyeti kush janë të ftuarit.

-Po sipas listës që na ka dhënë Jari, janë Doktori, anëtarët e kryesisë së PD, drejtuesit e TV Klanit dhe kryesia e parlamentit.

-Po pse e organizon Jari këtë ballo, pyeti Kunati. Këtu ka qenë zakon që ballot i organizonte gruaja e kryetarit të PD-së, d.m.th i bie ta organizojë Luli me zonjën e tij, d.m.th unë…

-Nuk e di si të ta shpjegoj, i tha vajza e agjencisë së dasmave. Ata shpresojnë që do shesin piktura, dhe me lekët e pikturave do ndihmojnë demokratët në nevojë që do heqin nga puna.

-Qenka idiot ai, tha Kunati. Pse, ai ka menduar se blinte njeri pikturat tek mbrëmjet e teta Lilit? Ata paguanin gjobën. Tani e vetmja që mund të bëjë ballo është Zonja e Parë e Bashkisë, se ka të paktën lejet e ndërtimit në dorë.

-Nuk e di, po kështu shpresojnë këta, tha vajza.

Kunati, i zhgënjyer, shkoi në ballo. Në tavolinën kryesore ishte Doktori dhe Fullhani, si punëdhënës i Zonjës së Parë. Pastaj më tutje ishte Luli me disa të PD. TV Klani ishte në dy tavolina. Nja dy biznesmenë kishin kërkuar të shmangeshin nga kamera dhe nuk i dallonte dot.

-Po ku i paska gjetë këta, tha Kunati. Këta janë të gjithë ata që janë mësuar të marrin, jo të japin.

I mërzitur, u ul në tavolinë me Lulin dhe po luante me telefon.

Papritur filloi muzika dhe u njoftua dalja e Presidentit. Ktheu kokën nga Jari. Ai u shfaq në mes të sallës. Papritur dy roje morën podiumin në dorë, ia afruan, vendosën mikrofonin dhe u larguan.

Jari u qetësua dhe filloi fjalimin. Foli për bashkëpunimin politik dhe dialogun. Herë pas herë hidhte sytë nga Doktori, por ai nuk e ngrinte kokën. I vetmi që i buzëqeshte vazhdimisht, ishte Fullhani. Më në fund, fjalimi mbaroi. U shfaqën sërish dy rojet, hoqën podiumin dhe e çuan në fund të sallës. Katër të tjerë afruan tavolinën rrumbullake ku do rrinte Presidenti dhe e vendosën para tij. Jari buzëqeshi dhe u ul në karrigen më të afërt. Pastaj u kompletua gjithë tavolina.

Pastaj sipas traditës së ballos, Zonja e Parë duhet të çohej të vallëzonte, por e shmangu dhe në vend të saj dolën disa goca të baletit. Jari i shikonte i lumtur dhe buzëqeshte.

Pastaj erdhi momenti i ankandit. Zonja e Parë u mat të ekspozonte pikturën që duhej shitur. Hodhi sytë nga qoshja e sallës ku ishin biznesmenët, po ata nuk e ngrinin kokën. Sandri me ata të Klanit po ashtu. Ata që kishin blerë vitin e kaluar, nuk kishin ardhur fare…

Doktorit i erdhi zor dhe i tha teta Lilit “ta blejmë ne këtë pikturën më mirë se është turp, qenka dhe origjinale”.

-Jo Sali, kemi tre copë si kjo në shtëpi, i tha teta Lili. Se bënim nga çdo vit nga një për çdo ankand.

U tërhoq dhe Doktori. Zonja e Parë nuk bëri asnjë ofertë.

Fullhani, i cili po matej ta blinte, psherëtiu gjithë pakënaqësi dhe u kthye nga Doktori.

-E shiko si ta ka katandisë ekonominë Ed Rama Doktor, i tha. As lekë të blejnë një pikturë nuk kanë më njerëzit.

-E shikoj, tha Doktori. Dhe mendo që një vit më parë Lili shiti një pikturë 100 mijë euro, tani nuk blejnë dot as 1 mijë euro. Ky është rrënimi i vërtetë.

3 komente në “Kunati, i mërzitur me ballon e Jarit”

  1. kaldaisti says:

    Do te qe me e kompletuar me pjese nga fjlimi i .arit ku permend “qejt mbushur me aviona,rruget plote me kamiona e hambaret plote me grure e PD plote me Ugure!

  2. M.B. says:

    DOKTOR MAVRIA:
    “…-E shikoj, tha Doktori. Dhe mendo që një vit më parë Lili shiti një pikturë 100 mijë euro, tani nuk blejnë dot as 1 mijë euro. Ky është rrënimi i vërtetë.”
    http://goo.gl/MS4jp1

  3. Muzapopullore says:

    Po arkeologu i Odetkes nuk bleu gje ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje