Zoti kryeministër, taksën e pastrimit dua t’ia paguaj… ushtrisë!

1 Mars 2014, 21:18Blog TEMA

Nga Përparim Halili

 

Ushtria shqiptare, tashmë ushtri e NATO-s, ka mision sigurinë dhe vendosjen e paqes në vendet ku regjimet qeverisëse sillen si junta vrasëse, plaçkitëse e mafioze, dhe që me qëndrimet e tyre nxitin trazira, gjakderdhje, shkatërrime ekonomike e shtypin popujt. Por prej 3 javësh, çdo ditë të shtunë, ushtria shqiptare është angazhuar edhe në një tjetër “front lufte”. Po pastron mbeturinat në qytetet, rrugët, qendrat e komunave dhe mjediset publike të vendit.

Pra, ushtria e drejtuar tashmë jo nga Imami, ministri i financimit të reklamave, shitjes së pronave të ushtrisë dhe trafikut të armëve, por nga ministrja edhe e “pastrimit” të Shqipërisë Kodheli.

Është një nismë, një lëvizje që u mirëprit dhe që, gradualisht po mbështetet. Prej tre të shtunash, ushtria shqiptare po “lufton” kundër plehrave që kanë “pushtuar’ qytetet e vendit. Ministrja Kodheli, bëri thirrje publike për t’iu bashkuar aksionit. Duhet kjo mbështetje. I janë bashkuar thirrjes të rinj, fëmijë, të moshuar.

Të vetmit që nuk i janë bashkuar nismës së pastrimit, janë disa nga “agallarët” që drejtojnë disa nga bashkitë e komunat e “qelbura” prej plehrave, prej mos pastrimit të tyre prej indiferencës dhe korrupsionit të këtyre “agallarëve”.

Të shtunave, kur ushtria, kur vetë ministrja e ushtrisë, shkojnë e pastrojnë komunat dhe qytetet e tyre nga plehrat e tyre, këta “agallarë” bashkish e komunash shkojnë në uikend-e, në mëngjese, dreka, darka, piknike e argëtime miliarderësh, me fatura shpenzimesh që kushtojnë deri edhe në 500 euro në ditë! Natyrisht jo me lekët e pagës së tyre, por me lekët e korrupsionit edhe me tenderët e pastrimit, të heshtjes ndaj atyre që duhet të pastrojnë.

Madje, zyrtarët e komunave e bashkive të “qelbura” në plehra, nuk lëvizin prapanicat e trashura, as për të shkuar si vëzhgues në këto aksione, megjithëse po pastrohen mjediset që nuk i pastrojnë ata.

Sipas ministres Kodheli, ky aksion pastrimi tashmë ka nisur e nuk do ndalet.

Është lëvizje e madhe ekologjike, madje jetike, përballë mjedisesh të “kancerizuara” nga plehrat që hidhen e mbeten edhe brenda zonave të banuara.

Kemi lagje, rrugica, mjedise të cilët janë tejet të ndotur, të helmuar nga plehrat që hidhen edhe tek shkallët e bashkive, komunave, prefekturave, qendrave kulturore, pikave arkeologjike e zonave trustike, madje edhe brenda kalave, kopshteve, çerdheve, shkollave, spitaleve, furrave të bukës, stacioneve të udhëtarëve, tregjeve të ushqimit etj.

Hidhen e nuk pastrohen, megjithëse qytetarët dhe bizneset paguajnë taksën vjetore të pastrimit të qytetit, fshatit, tregut, rrugës, shëtitores. Bashkitë dhe komunat ua “rrjepin” me ligj këtë taksë qytetarëve e bizneseve. Madje, kur e vonojnë ose nuk e paguajnë, ua marrin edhe me dhunë, duke u ndërprerë shërbimet publike e duke vendosur gjoba.

Madje, për vitin 2014, taksa e pastrimit për bizneset në Tiranë është trefishuar. Në qytetet e tjera është rritur me 40%-70% vlerë financiare e kësaj takse. Por dhe “malet” e plehrave janë shtuar si numër e si volum.

Bashkitë dhe komunat, paguajnë kompani private për pastrimet. U miratojnë tenderët, u xhirojnë milionat. Por ato nuk pastrojnë. Bashkitë e komunat nuk veprojnë. Qendrat dhe periferitë e zonave të banuara, janë mbushur me plehrat që ka nisur t’i pastroj me aksion… gjithë ushtria!

Plehrat po vazhdon t’i pastroj ushtria, të cilës, qytetarët dhe bizneset nuk i paguajnë asnjë qindarkë taksë pastrimi! Nisur prej faktit, që paguajmë taksë pastrimi dhe nuk na pastrohet mjedisi, mendova t’i kërkoj kryeministrit Edi Rama, t’ia heq bashkive e komunave taksën e pastrimit, si të drejtë përfitimi financiar dhe ne t’ia paguajmë ushtrisë që na pastron, jo pushtetit lokal që po na qelb.

Gjersa mjedisin, lagjen, rrugën, hyrjen e pallatit, qendrën e qytetit po na i pastron ushtria, është logjike që taksën e pastrimit t’ia paguajmë ushtrisë. Ajo po na pastron. Ka një rregull logjik e praktik: ai që të shërben, ai paguhet. Bashkitë e komunat paguhen dhe nuk pastrojnë. Nuk u takon marrja e kësaj takse.

9 komente në “Zoti kryeministër, taksën e pastrimit dua t’ia paguaj… ushtrisë!”

  1. mero trapi says:

    perse sja thoni si e ka emrin e vertete kjo mrika,sic beni me te tjeret???

  2. raimondi Vlonjati says:

    Ushtria jone po ben nje lufte shume te fort kunder ……plehrave lol

  3. Çerri skizofren says:

    Une them qe diten e shtune ta shpallim E Shtuna e Mrikes dhe i gjithe popullite dale ne pastrim te shtunen.

  4. skopioni says:

    ne se kjo brigate pastrimi do te ishte me civile do te na kushtonte me pak ,sepse oficeret dhe ushtaret me rroge paguhen me shume se po te ishin civile

  5. goni says:

    Z.Perparim,perputhem deri diku me mendimin tuaj per aktivitetin qe po kryen sot ushtria shqiptare,por shqetesimi eshte sa eshte ne gjendje ushtria per te kryer misionin qe ke percaktuar ne fillim te ketij shkrimi?Shqiperine e kane mbuluar pleherat ,ne presidence,gjykate,institucione qeveritare ku jane drejtore politike e ku nuk eshte mafja me fazllicer me vrases ne protesta e ku e ku……
    Me respekt Goni

  6. Shqip says:

    Gjëja më e mirë që ka bërë ushtria në këto vitet e fundit. Urojë që edhe njerzit ti bashkohen e të ndërgjegjësohen duke mos i hedhur plehrat ku tja u kap dora. Janë mbushur plot mbeturinapyjet lumenjtë përrenjtë e çdo vend ku të shkel këmba në Shqipëri. Duke u ngjitur për në Shashicë plherat e lokaleve hedhur kudo dhe në këmbët e teleferikut të vjetër gropat e mbushura plot .

  7. OSKEOLA INDIAN says:

    O mimi…Boj zahmet e dhitja nje here atij Putinit, se ka fillu ca rremuja. Ti si zonje e forte je e vetmja qe mund t’ja mbledhesh. Mjafton te te shofi dhe do te iki me vrap. Do fshihet…

  8. Niko says:

    ne se kemi pasur tradit te qendrojme ne plera mir shruan ne artikullin taksen e plerave tja paguajme ushtris dhe jo pleraxhinjeve te bashkis

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje