Kohë të vështira për demokracinë

27 Shkurt 2014, 18:58Blog TEMA

The Economist

Ishte ideja më e suksesshme politike e shekullit 20. Përse ka ndeshur në telashe dhe çfarë mund të bëhet për ta rigjallëruar?

 

Protestuesit që kanë përmbysur politikën në Ukrainë kanë shumë aspirata për vendin e tyre. Me pankarta, ata bënin thirrje për marrëdhënie më të ngushtë me Bashkimin Europian, për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të Rusisë në politikën ukrainase dhe krijimin e një qeverie të pastër, për të zëvendësuar kleptokracinë e ish Presidentit, Viktor Janukoviç. Por, kërkesa e tyre themelore, është ajo që ka motivuar popujt për shumë dekada, kur janë ngritur kundër qeverive të korruptuara, abuzive dhe autokratike. Ata duan një demokraci të bazuar në rregulla.

Është e lehtë ta kuptosh përse-në. Demokracitë janë më të pasura se sa jo-demokracitë, kanë më pak gjasa të futen në luftëra dhe histori më të mirë të luftës kundër korrupsionit. Më themelorja, demokracia i lejon njerëzit të flasin atë që mendojnë, si dhe t’i japin vetë formë të ardhmes së tyre dhe asaj të fëmijëve të tyre. Fakti që kaq shumë popuj, në kaq shumë vende të botës janë të përgatitur të rrezikojnë për këtë ide, është një dëshmi e joshjes së përhershme prej saj.

Megjithatë, këto kohë, dehja e  shkaktuar prej ngjarjeve si ato në Kiev, është e përzierë me ankth, sepse, një model shqetësues është përsëritur kryeqytet pas kryeqyteti. Njerëzit mblidhen në sheshin kryesor. Banditë të lidhur me regjimin përpiqen të kundërsulmojnë, por humbasin qetësinë përballë papajtueshmërisë së popullit si dhe mbulimit global të mediave. Bota përshëndet rrëzimin e regjimit dhe ofrohet të ndihmojë për të ndërtuar një demokraci. Por rrëzimi i një autokrati rezulton më i lehtë se sa ndërtimi i një qeverie demokratike. Regjimi i ri ngec, ekonomia po kështu, dhe vendi e gjen veten në një situatë e cila është, të paktën po aq e keqe sa ka qenë dhe më parë. Kjo ndodhi në pjesën më të madhe të të ashtuquajturës pranverë arabe, dhe po kështu në Revolucionin Portokalli në Ukrainë një dekadë më parë.  Në vitin 2004, Janukoviçi u rrëzua prej protestave masive në rrugë, por u rizgjodh president në vitin 2010, pasi politikanët e opozitës që e zëvendësuan, rezultuan po aq të pashpresë.

Demokracia po kalon kohë të vështira. Atje ku autokratët janë rrëzuar, kundërshtarët e tyre nuk kanë arritur të krijojnë regjime të shëndoshë demokratikë. Edhe në demokracitë e konsoliduara, të metat e sistemit janë bërë të dukshme dhe zhgënjimi me politikën është i përhapur.

Në gjysmën e dytë të shekullit 20, demokracitë kishin hedhur rrënjë në rrethana nga më të vështirat – në Gjermani, e cila ishte traumatizuar prej nazizmit, në Indi, e cila kish numrin më të madh të të varfërve në botë, dhe në vitet 1990, në Afrikën e Jugut, e cila ishte shpërfytyruar prej aparteidit. Dekolonializimi krijoi një sërë demokracish të reja në Afrikë dhe në Azi, dhe regjimet autokratikë i lanë rrugë demokracisë në Greqi (1974), Spanjë (1975), Argjentinë (1983), Brazil (1985) dhe Kili (1989). Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik krijoi shumë demokraci të reja në Europën qendrore. Në vitin 2000, Freedom House, një think-tank amerikan, klasifikoi 120 shtete, ose 63% e totalit, si demokraci.

Atë vit, përfaqësues prej më shumë se 100 shteteve u mblodhën në Forumin Botëror për Demokraci në Varshavë, për të shpallur se “vullneti i popujve është themeli i autoritetit të qeverisë”. Në një raport të nxjerrë prej Departamentit Amerikan të Shtetit thuhej se pasi morën fund “eksperimentet e dështuar” me format autoritare dhe totalitare të qeverisjes, “duket se tani, më në fund, demokracia është triumfuese”.

Një vetëkënaqësi e tillë ishte e kuptueshme pas një serie të tillë suksesesh. Por pak më herët në kohë, triumfi i demokracisë të ngjan më pak i dukshëm. Pas rënies së Athinës, atje ku u zhvillua fillimisht, ky model politik kish mbetur i fjetur, deri 2000 vite më vonë, gjatë Iluminimit. Në shekullin 18, vetëm revolucioni amerikan prodhoi një demokraci të qëndrueshme. Gjatë shekullit 19, monarkistët luftuan gjatë dhe fort kundër forcave demokratike. Në gjysmën e parë të shekullit 20, demokracitë e sapolindura u shembën në Gjermani, Spanjë dhe Itali. Deri në 1941-shin, kishin mbetur vetëm 11 demokraci, dhe Franklin D. Roosevelt shprehu atëherë shqetësimin se mund të mos jetë e mundur të mbrohet “flaka e madhe e demokracisë, prej errësirës së barbarizmit”.

Economist.com /Përgatiti: E.Gjini/

 

4 komente në “Kohë të vështira për demokracinë”

  1. antiregjimi says:

    Armiqte me te eger te demokracise jane skizofrenet qe vdesin per pushtet te pakufizuar(sundim) dhe skizofrenet qe vdesin per para korruptive. Nganjehere jane te dyja ne nje, nganjehere veç e veç por si vellezer siameze.

  2. Sallakja says:

    Demokracia nuk ka ekzistuar, nuk ekziston e nuk do
    ekzistoje kurre. Eshte si feja ” l’oppio dei popoli ”
    E vetmja menyre per te qeverisur nje popull ( cfardo
    lloj populli qofte) eshte modeli Kinez.
    Nje parti dhe ekonomi private e te lire.
    Pra, nje parti dhe vetem nje.

  3. Sali serbi says:

    Me vjen keq zoti autor por je komplet stropjo qekuse e gjykon njeren pale popull dhe palen tjeter bandite.Ti i bie fyellit te demagogjise dhe i le shendene arsyetimit realist qe ne fakt eshte princip i demokracise.
    Ka shume si puna jote kjo bote, aq shume saqe njerzit jane katandisur te disorjentuar ne nje mjergull ku fshihet pamja e vertete e antidemokracise qe perbetohet per demokraci.

  4. Treviso says:

    Si teme eshte goditur tamam, por pyetja ngrihet tek shtetet e fuqishme me demokraci te qendrueshme: saa kan bere keto per te ndihmuar popujt qe kerkojne te formojne demokraci te qendrueshme? A kane perkrahur popujt apo drejtuesit e tyre? Marrim shembullin e Shqiperise. Qen shtetet e fuqishme qe e detyruan qeverine diktatorjale qe te ndryshoi kurs. Cfar ndodhi. Hiku nje diktator dhe erdhi nje diktator tjeter i dalur po nga e njejta Parti, por me i rrezikshem se i pari. Jo pak por 23 vjet ne pushtet. NUk qene fuqite e medha qe e mbajten ne pushtet deri me sot dhe pse vraume mijra njerez, dhe pse u largua nga vendi gjysma e popullsise, ai prap ne pushtet. Shtetet e fuqishme kerkojne ta tregojne vehten si nje trendafil me ere te mire por nuk eshte trendafil qe te kenaqen te gjithe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje