Udhëtimin prej 5500 fotosh dhe 5 ditësh me tim vëlla e nisëm në Elbasan, ku arritëm të mërkurën në mbrëmje. Ishte hera e parë që do të rrinim si turistë, më dukej çudi “turist në Elbasan” dhe jo nga ata të Ditës së Verës. Qëllim ishte Metalurgjiku, për të cilin kishim planifikuar rreth 2 orë të ditës së nesërme para se të niseshim për në Berat. Do ta fotografonim. Atë mbrëmje dolëm nëpër qytet. Ishte data 24 dhjetor, që e bënte qytetin të kishte lëvizje.
Mes disa fotove në pedonalen afër kalasë, historisë së treguar nga një kamerier për një hotel pa emër ku kalonin natën politikanet me dashnoret, kërcënimi me jetë nga një pronar pijetoreje pse fotografuam lagjen dhe një darke të mirë tek Atika, Elbasani i mori 5 yje.
Në mëngjes dolëm rreth orës 9. Arritëm tek Metalurgjiku.
Parkuam diku afër dhe vendosëm të ecnim. Nga hiçi doli një zotëri që duke ndezur cigaren na foli si të njiheshim prej vitesh: “Na mbytën turqit. Por duhet të vini rreth orës 4-5 në mëngjes kur ndezin furrat. Se tani i kanë fik e nuk shikoni gjë”.
Kishte menduar se ishim gazetarë. Shkëmbyem dy- tre fjalë, u përshëndetëm dhe vazhduam.
“Duket si një gjigand që po e hanë milingonat,” m’u drejtua im vëlla. E kishte për njerëzit që merrnin skrapin, tullat dhe mineralet e mbetur nën dhe ku metalurgjiku është po aq i madh sa dhe sipër.
Kudo që kalonim, njerëzit ndërprisnin punën, drejtoheshin, dhe pa folur, na ndiqnin me sy kërcënues e të frikësuar deri sa largoheshim.
Një i ri guxoi të na kërcënonte, duke na vendosur kufi se deri ku lejohej të kalonim.
Po flas për pjesën publike dhe jo Kurumin ku ndalohej hyrja.
“Ç’po bëni këtu”, tha ai.
“Foto po bëjmë, pa merak,” iu përgjigjem.
“S’ka gjë për foto këtu”, vazhdoi.
“Tullat…”, i thamë me shaka për ta qetësuar.
Kjo shprehje e përkeqësoi situatën. Ndërhyri një burrë rreth të 50-ve ku me një shenjë e qetësoi të riun. Folëm për rreth 30-40 minuta me të. Biseda rridhte.
Mësova se si atë gjigand e kishin ndërtuar 12 mijë punëtorë, po 12 mijë kishin punuar aty deri në mbyllje. Sot vetëm një oxhak ka rreth 50 mijë euro tulla, pa llogaritur hekurin dhe për 20 vitet e fundit çdo fshat i Elbasanit ushqehet me rrënojat e shtrenjta të tij. E quajtëm burrin “Padrino i rrënojave të Metalurgjikut”.
Kuptuam që “Foto tullave” nuk ishte argument i mirë, me ato ushqehen.
Kur vlen kaq shumë i “vdekur”, imagjino për sa vlente i gjalli, mendova.
Në 20 vjet Metalurgjiku ushqen çdo fshat të Elbasanit. Çdo i ri apo i vjetër punon në këtë vend.
Për 20 vjet prioritet i banorëve të këtyre zonave kanë qenë këto rrënoja duke ndikuar në anashkalimin e një zhvillimi normal.
Ky komunitet ka investuar 20 vjet në një aktivitet pa të ardhme duke u “specializuar” në mbledhje skrapi?!
Pyetja është si mund të përdoret kjo dije kur gjithçka të ketë përfunduar dhe të mos ketë me metalurgjik? S’mund.
Dëmi shkaktuar këtyre fshatrave është i pariparueshëm, duke marrë parasysh që për shumë kohë këta njerëz janë shfrytëzuar duke punuar në kushte çnjerëzore, me zero siguri teknike dhe me shumë gjasa duke ndihmuar në pasurimin e shumë pak njerëzve.
Këta njerëz nuk janë arsimuar, nuk kanë një profesion, nuk janë të integruar, nuk kanë sigurime shoqërore, nuk do të marrin një pension, por mbi të gjitha kanë humbur shumë vite jetë në atë ambient, ku smogu i Tiranës do dukej bekim.
Ne sytë e mi, Metalurgjiku i Elbasanit është i ngjashëm me rastin e Lazaratit për dëmin që shkakton mosmenaxhimi i tij. Lazarati është një tjetër deformim ku në mungesë të shtetit, është krijuar një model ekonomik jashtë çdo logjike.
Por në kushtet e këtij tregu anormal, Lazarati dhe Metalurgjiku janë 2 forma të suksesshme biznesi, ku jam i sigurt që në qoftë se do i hynim statistikave kanë hapur më tepër vende pune se çdo korporatë.
Problemi qëndron pikërisht këtu. Kjo formë suksesi e bën atraktive për një pjesë të shoqërisë të cilët zgjedhin të detyruar nga kushtet ekonomike të investojnë jetët e tyre duke punuar në këto “industri”.
Në qoftë se në ekstremin tjetër shumë të rinj duan të punësohen në kompani serioze, po aq të rinj aspirojnë jetën e asaj çfarë ofron Lazarati, ndërkohë në Elbasan është një zgjedhje e detyruar duke mos pasur mundësi të dytë.
Njerëzit që zgjedhin secilën prej këtyre rrugëve, nuk kanë diferencë në mirësi, ligësi apo inteligjence por ajo çfarë zgjedhin përcaktohet nga rrethanat, informacioni, liria që ofron mungesa e shtetit dhe mungesa e mundësive.
Ministri Tahiri e cilësoi Lazaratin si një rast kompleks ku nuk mund të ndërhyhet pa një plan gjithëpërfshirës, ku gjithëpërfshirës përkufizon edhe ndihmën sociale për papunësinë që shkakton mungesa e aktivitetit të jashtëligjshëm në Lazarat: punëtorët e tokës, të mbjelljes, të mbledhjes, të vaditjes, të ruajtjes dhe së fundmi ata të përfitimit.
Si në rastin e Elbasanit, këta të fundit janë që marrin “paratë e vërteta” dhe në afatshkurtër shikohen si Robin Hood-er nga komuniteti.
Kjo ndodh sepse ata përfaqësojnë “Ëndrrën Lazaratase”, analogji e “Ëndrrës Amerikane”, ku këta “Çuna” ia kanë dalë të jenë të pasur dhe ndihmojnë të varfrit me punësim.
Jam shumë dakord me argumentin që është rast kompleks, por zoti ministër dua të shtoj që problemi nuk do të zgjidhet vetë, dhe as do të bëhet më i thjeshtë.
Sa më shumë pret, aq më te fort ata bëhen, aq më të vështire do e kesh ndërhyrjen. Filloje me Metalurgjikun dhe kalo tek Lazarati, por bëj diçka.
Ndoshta duhet të thuash “më fal që s’kam ndërhyrë deri tani”, ndoshta nuk është faji juaj personal sepse ju sa e morët ofiqin, por thuaj më fal në emër të shtetit që përfaqëson.
Mendo të vësh në punë njerëzit e tu dhe herës tjetër që do dalësh në “Opinion” hajde me një plan, jo vetëm me idenë qe duhet një plan.
Duhet një plan e them unë që s’kam gjë në dorë, ti ke shtetin në dorë.
shume shkrim i goditur. vertet duhet filluar me metalurgjikun qe e ka bere cyryk ate qytet historik buze shkumbinit.
E vertete eshte…nese mendon edhe mashtrimin e kurumit qe filtrat e pastrimit te ajrit per shkak shpenzimi ekstra nuk i ven asnjhere ne pune! Jam e bindur se zona e metalugjikut do ofronte me shume te ardhura si destinacion turistik, deshmi e gjalle e trashegimnise industriale komuniste sesa si fabrike perpunuese!
Kam rastisur te shoqeroj disa here te huaj ne Elbasan dhe vec pikave arkeologjine e historike ne qyetet metalurgjiku si monument u eshte dukur tejet interesant! Do te ish mire qe kommuniteti i Elbasanit te vjele te ardhurat e metalurgjikut si monument i trashegmnise historike e jo si fabrike e vdekjes!!!
Vazhdoni udhetimin. kudo ka dinosaure te shkrehur,njerez qe perfitojne nga skeletet e behen pasunare,te tjere qe punesohen nga kjo shpure rrumpallpasunaresh dhe duhet t’ua dine per nder buken e perditshme.