Ka një zell të frikshëm, gati nekrofil nga ana e mediave shqiptare, për raportimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me kronikën e zezë.
Fillimisht e raportojnë ngjarjen (vrasje, përdhunim, inçest apo çfarëdolloj krimi) dhe shpesh këtë e bëjnë me gabime të shumta. Ngatërrojnë emrat, moshën dhe motivet e krimit. Do të duhet të paktën një ditë që të marrësh vesh të dhënat e sakta. S’po fus këtu lidhjet direkte të televizioneve kur ndodh një krim, pasi ato janë skandaloze.
Dhe, nuk mjaftohen vetëm me raportimin e krimit. Të nesërmen do sjellin dëshmi të familjarëve apo të personave të pranishëm në ngjarje. Një ditë më pas do të gjejnë diçka tjetër, një dëshmi të re apo të dhëna nga prokuroria, që tregojnë në detaje krimin. Dhe, me një ftohtësi kirurgjikale, këto detaje i radhisin nëpër faqet e gazetave.
Mjafton të kujtojmë këtu rastin e Nazime Vishës, historia e së cilës u pasqyrua në detaje për më shumë se një muaj nga gazetat.
Ndërsa më i freskët është rasti i nënës shqiptare që vrau tre vajzat e veta në Itali.
Duke shkelur çdo normë të gazetarisë, për dy ditë më radhë, fytyrat e tre vajzave të mitura, kanë shëtitur nëpër çdo faqe të mediave online apo print. Dhe, si për të tejkaluar çdo cinizëm të kësaj medie kanibale, sipër fotove të gjetura në rrjetet sociale apo mediat italiane, vendosin logot e tyre.
Është e kotë të kujtosh ligjet në këtë vend, por publikimi i fytyrave të fëmijëve të mitur dhe identiteti i tyre është i ndaluar ashpërsisht në çdo vend të botës. Në Shqipëri ky rregull nuk ekziston. Për mediet tona, e rëndësishme është që ngjarja të lexohet. Dhe për këtë, ajo duhet të pasqyrohet me fotot e viktimave, pavarësisht se janë të mitur, dhe me shumë dëshmi.
“Komunistët na kanë lënë trashëgim, mes të tjerash, një medie nekrofile. Nuk ngopen duke dhënë detaje për këtë nënën që ka vrarë vajzat. Aty s’ka asnjë mister: instiktin e nënës ajo e ka pasur më të dobët se ajo që e shtyu në këtë krim. Kaq. Tani liberalet bëjnë mirë që gjejnë dhe një burrë e ta shtyjnë të vrasë dhe ai tre fëmijë, që të realizohet barazia gjinore, se po krijohet një hendek”, shprehet me një ironi therëse një miku im.
Ndërsa një mikeshë më thoshte se ka vendosur që të mos i lexojë me gazetat shqiptare, pasi në to gjen detaje të tmerrshme mbi vrasjet apo përdhunimet, sa që e ke të pamundur të mos tronditesh.
Publikimi i dëshmisë së Ardian Prrenjasit se si e kishte përdhunuar 11-vjeçarin Julian Çela nga ana e një gazete, është rasti më i rëndë i kësaj gazetarie nekrofile.
Është i kuptueshëm presioni nëpër redaksi për të shitur gazetat dhe për të pasur sa më shumë informacione dhe detaje nga një ngjarje kriminale. Por, kjo nuk bëhet duke shkelur mbi dhimbjen e të tjerëve, normat dhe etikën. Nuk mund të shkohet ne ekstrem.
Duket sikur ka një garë të ethshme mes mediave se kush paraqet ngjarje sa më brutale, të tmershme, mizore, të përgjakshme e të përdhunshme. Aq sa të duket se i gjithë realiteti në këtë vend është i tillë.
Ecin me parimin se lajm nuk përbën një ngjarje pozitive, por diçka e rëndë, e dhunshme, diçka përtej logjikës njerëzore.
Një profesor i imi në gazetari kishte dëshirë ta theksonte shpesh faktin se lajm nuk përbën një ditë e mirë me diell, por një ditë e nxirë dhe me anomali. Një logjikë që ndiqet me verbëri nga mediat tona.
Në fakt, mediat tona kanë shumë nevojë edhe për “diell”. Nuk mund të mbizotërojë vetëm gjaku.
– shembulli eshte mediaseti i berluskonit — te turullos mendjet e njerezve ,