8 Marsi shqiptar tashmë është një monotoni e lodhur. Femra shqiptare, si një pjesë sasiore e popullatës, ka vite e vite që përpëlitet për t’i hapur vend vetes, por më e madhe ka qenë lufta se fitoret e saj.
Në gjoksin e femrave shqiptare ka veç dekorata kallp, të varuara nga burra që lëshojnë aq pushtet sa t’ju shërbejë atyre për medaljet e tyre të arit konvertuar në pushtet real.
Gratë shqiptare, pavarësisht pallavrave dhe lulkave që iu thuren në çdo 8 Mars, tashmë monoton, janë pjesa më e mençur, më punëtore, më e duruar, e ndershme dhe e nëpërkëmbur e shoqërisë shqiptare.
Në një shoqëri tejet maskiliste, agresive, djallëzore, të komprometuar në vlerat e saj bazike, të mbijetuarit e një femre shqiptare, duke ruajtur krenarinë dhe dinjitetin e saj, shpesh është një mision i pamundur.
Përshtatja, heshtja, gëlltitja e të pathënës janë gati një domosdoshmëri për të mbijetuar. Pavarësisht makijazhit, trishtimin e vështrimit të gruas shqiptare nuk ka rimel e pudër që e fsheh, është trishtimi i një qenie të përgjegjshme, që i dhemb dhe e tremb e ardhmja e krijesave të veta në këtë tokë plot anarki dhe hipokrizi.
Jam e bindur që po të bëhet një sondazh femëror, 90% e grave shqiptare nuk do dëshironin që fëmijët e tyre të jetonin në këtë vend, ku vdekja vjen nga toka dhe jo nga qielli pa paralajmërim. Në këtë vend ku drejtësia është thjesht një term librash historik, ku shëndetësia ka sytë e një kasapi duargjak e xhepplot, në këtë vënd ku nuk ka sporte, parqe, ajër, dritë, muzikë, biblioteka, galeri arti dhe sidomos PUNE dhe REND, të qënit nënë është një sfidë kurajoze ndaj realitetit shqiptar.
Në këtë vend, ku edhe të besuarit në Zot shpeshherë është hipokrizi, pasi ndryshe sillen e grabisin shoqi- shoq në jetën reale, në këtë vënd që karrierës dhe strukturës së vlerave së fundmi iu dha dhe goditja finale, është abstrakte të jesh nënë e mirë dhe t’i mësosh fëmijës që po të mësosh, po të jesh modest, mendjehapur, i ndershëm dhe dinjitoz, do ecësh në jetë, jo këto një nënë shqiptare nuk mund t’ia thotë më fëmijës së saj, pasi presupozohet që po t’i mësojë këto vlera universale, njerëzore dhe fetare, atëherë ajo po rrit një hyzmeqar të së keqes, që tashmë është prej vitesh e vitesh në pushtet.
Në Shqipëri duhet të jesh i heshtur, i nënshtruar, mundësisht i qeshur, ndërkohë që nënshtrohesh, dhe mundësisht i tufëzuar në një parti politike që të hash një çapë bukë, ndryshe në rast se nuk je i tillë, vlerat e tua lërua në testament pasardhësve të tu barkbosh.
Mburren burrat shqiptarë të politikës aktuale se gjasme pjesëmarrja e grave në qeverisje është më e larta në Evropë, bile edhe Gjermaninë e kemi lënë mbrapa këtë herë, eh perëndi ç’hipokrizi, gratë janë aty si zgjedhje personale e burrit të radhës në krye të vendit, ato janë jastëqe zbukurimi, pa të drejtë fjale dhe vendimmarrje, ato janë atje se duhet të jenë, dhe jo se kanë merituar të jenë, janë atje falë bindjes dhe heshtjes ndaj humorit dhe luhatjeve të humorit të burrit të radhës në pushtet, pasi është tjetër të jesh për emër në krye të një pushteti dhe është totalisht tjetër të kesh pushtet.
Të kesh pushtet është t’i çosh zërin burrit të rradhës të pushtetit dhe t’i thuash të vërtetat e tua dhe të grave shqiptare, dhe në rast se nuk të dëgjon t’i përplasësh dhe grushtin dhe derën e dinjitetit surratit, e pra këto gra nuk janë dhe nuk kanë qenë në pushtet, pasi pushteti në Shqipëri është produkt makiavelist, imoraliteti të burrave pa burrëri, por gratë nuk dinë të luajnë pisët, ato prekin lindjen dhe vdekjen shumë herë në jetë, ndaj nuk u duhet të trillojnë, pasi sot, si dikur 100 vjet e kusur më parë, ato duhet të bëjnë 100 gjëra për të mbijetuar…
0 moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë; (Çajupi)
Tek mbyll këto rreshta, mendoj gratë reale shqiptare, ato që takoj tek tregu duke u menduar, ato që takoj tek spitalet plot myk të zi mureve, ato të merakosurat që takoj në shkollat e fëmijëve, të tremburat plot tmerr nga ndërrimet e pushteteve që bien si sëpatë mbi papunësinë e tyre, të ngujuarat që kurrë nuk i takova dot, por sytë ua imagjinoj, të shpenguarat në parukeri, janë shumë gratë shqiptare, cilësisht shumë, oh perëndi sa emra të bukur që kanë, sa të mira që janë, deri në përulësi është madhështia e tyre.
shume bukur, shume e vertete,shume e hidhur. ikja juaj zonj nga skena politike ishte spetakolare,dhe e rralle. gra si ju duhej te kish ne krye
Nje shkrim brilant me te vertete. I ke thene te gjitha moj ZONJE e nderueme dhe mjaft e kulturueme. Ky shkrim te godet ne zemer e te ben te shkulesh qimet e kokes. E ke qare kete shkrim mbi gjendjen e NENAVE tona kokeulura. Respekte te pafundme per shkrimin e shkelqyer.Ju falenderoj qe po cjerr fasadat hipokrite te ketij vendi te perdhosur prej hipokrizise.
Jam plotesisht dakort me mendimin tuaj. Femra plotesisht te nenshtruara jane ne vendin tone.
Per mendimin tim kjo date nuk duhet qe te festohet por te protestohet. sepse edhe ata qe jane ne pozite tanime jane thjesht kukulla zbukurimi formale asgje me shume
cfare titulli!
sa shkrim i dobet!
Pjellë e kujt janë anëtarët e një shoqërie “tejet maskiliste, agresive, djallëzore, të kompromentuar në vlerat e saj bazike…”?
Nga shkrimi del meshkujt shqiptar paskan rënë nga qielli!
–me pelqen gjikondi ne kete cikel shkrimesh -anti RAMA – me duket sikur kemi kaluar nje periudhe historike , ku grat respektoheshin njesoj si burrat , ku brigadjerja behej ministre dhe stalljerja udheheqese , — e kur udheheqesi u semur ishte nje grua qe drejtoi vendin —
—qe ta mbyll , faji eshte i grave qe neneshtrohen shpejt dhe vete ato mendojne se detyra e tyre eshte shtrati
E dashur autore, jam shume dakord me ju. Ne fakt, kete pamje paskesh patur femra shqiptare edhe me perpara (ne kohen e Cajupit). E pra, fajin e kane ato gra qe erdhen ne pushtet dhe nuk u sollen si gra por si burra hiper-maskiliste. Sa keq…keshtu do te vazhdoka situata edhe me tutje..