MINUTAT E KREMLINIT (II) / Mbledhja e fshehtë e Politbyrosë dhe rrëzimi i Murit te Berlinit

11 Mars 2014, 19:07Blog TEMA
MINUTAT E KREMLINIT (II) / Mbledhja e fshehtë e Politbyrosë dhe

Koha po ecte – në fakt shumë më shpejt nga sa imagjinonin rusët brenda murit të tyre të Kremlinit. Ekspertët mbi çështjet gjermane i kishin hedhur me kohë sytë nga Muri i Berlinit. Por a mundej ta eleminonte qetësia dhe vetëpërmbajtja e Egon Krenzit, pasardhës i Honekerit, nevojën për të rrëzuar Murin? Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kremlin, në 1 nëntor, Krenz i tha Gorbaçovit: “Po ndërmarrim hapa kundër një largimi masiv në Murin e Berlinit. Atje do të ketë forca policore. Nëse do të ketë përpjekje për t’u arratisur në drejtim të Berlinit Perëndimor, do të kemi një situatë shumë të vështirë, dhe do të detyrohemi të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Megjthatë, unë nuk besoj se do të arrijmë në atë pikë”.

Por rusët nuk ishin edhe aq të sigurtë dhe ata nuk mund të vareshin nga Krenzi. Gjatë një takimi të Politbyrosë në 3 nëntor, Gorbaçovi e pyeti liderin e KGB, Vladimir Kriushkov, se edhe sa do të qëndrojë Krenzi, duke parë demonstratat e vazhdueshme në Berlin. Kriushkovi nuk kishte përgjigje. Në atë moment, Ministri i Jashtëm, Eduard Shevarnadze, njeriu që kish “sensin e të resë” bëri një sugjerim: “Ne duhet ta shkatërrojmë vetë Murin”, tha Ministri.

Por ideja ishte shumë e pazakontë për kolegët e tij. Sidoqoftë, Gorbacovi e bëri të qartë se Gjermania Lindore nuk mund të vazhdonte të ekzistonte pa ndihmën e Bonit. Do të duheshin edhe gjashtë ditë përpara se të hapej kufiri – rezultat i një manovre të ngathët nga vetë liderët e Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore. Ndoshta kjo histori e hershme nga takimi i byrosë politike në Moskë shpjegon përse, nga të katër fuqitë fitimtare, Bashkimi Sovjetik ishte më pak i shqetësuari për kolapsin dramatik të autoriteteve komuniste në Gjermaninë Lindore, që nisi pas 9 nëntorit.

Megjithatë, Gorbaçovi e humbi disi qetësinë një muaj më vonë, kur Helmut Kohli i paraqiti planin e famshëm me dhjetë pika të “rikthimit të unitetit kombëtar gjerman”. Ministri i jashtëm, Gensher pa shfryrjen e zemërimit të Moskës – siç tregojnë dokumentat e protokollit – për arsyen se nuk ishte distancuar nga Kohli.

Ai që pa Gensheri ishte një Gorbacov i zemëruar, që sulmonte në dëshpërim e sipër. Sekretari i Përgjithshëm ndjeu se influenca e tij po zbehej dhe se ishte Helmut Kohli, dhe jo katër fuqitë fitimtare, që po u jepnin formë gjërave. Që nga ai moment, synimi i Politbyrosë ishte të kufizonte humbjet dhe të merrte sa më shumë avantazhe të ishte e mundur për Bashkimin Sovjetik.

Një mbledhje e fshehtë katër orëshe e anëtarëve të byrosë politike dhe këshilltarëve të tyre në ndërtesën e Komitetit Qëndror në Sheshin e Vjetër në Moskë, në 26 janar 1990 u kthye në momentin e së vërtetës për rusët. Kreu i KGB, Kriushkov tha se rusët fare mirë mund të fshinin tashmë nga mendja kryeministrin gjermano lindor. Kryeministri Ryzhkov besonte gjithashtu se Gjermania Lindore ishte humbur në mënyrë të pakthyeshme. Cilat ishin opsionet sovjetike? Kriushkovi, një specialist kur bëhej fjalë për infiltrime, dhe këshilltari Jakovlev sugjeruan instalimin e anëtarit të SED, Modrou, si lider i PSD-së së sapokrijuar në Gjermaninë Lindore.

Por të gjithë ata e dinin se tashmë ndikimi mund të ushtrohej vetëm përmes Bonit.

DOKUMENTI 1

“Kjo nuk është puna jonë”

Gorbaçov: Ashtu si në Azerbajxhan, ne nuk mund të besojmë më tek askush në Gjermaninë Lindore, dhe nuk kemi marrëdhënie të besueshme me askënd. Edhe Modrou po distancohet nga SED. Në Gjermaninë Lindore nuk ka më pushtet real. Me fjalë të tjera, ne tani mund të ndikojmë në ngjarjet vetëm përmes Gjermanisë Perëndimore, dhe aty ne duhet të zgjedhim ndërmjet kohlit dhe PSD. Pavarësisht gjithë deklaratave dhe premtimeve nga Brandt dhe kolegët e tij, social demokratët kanë nxituar të keqpërdorin problemin e Gjermanisë Lindore gjatë fushatës elektorale. Anëtarë kryesorë të PSD duan të kandidojnë për në parlamentin gjermano-lindor. Ata po heqin dorë nga karriket në Bundestag dhe kanë në plan të rikthehen në Gjermaninë Lindore, andej nga kanë prejardhjen. Në këtë mënyrë ata duan të lënë pas Unionin Kristiandemokrat.

Këtë ne mund ta përdorim në avantazhin tonë. Mund të ftojmë Kohlin për vizitë dhe t’i themi: Hidhi një sy nga afër lojës që po luhet. Ti mund ta humbasësh këtë lojë. Social demokratët kanë më shumë shanse në Gjermaninë Lindore se ju. Në fund të fundit, ne nuk e shohim problemin gjerman me lentet e fushatës tuaj elektorale. Ne duhet të marrim parasysh kontekstin evropian dhe global. Aleatët tuaj në NATO kanë të njëjtin pozicion. Dhe ju e dini ndryshimin mes gjërave që thonë publikisht dhe asaj që ata mendojnë. Kështu që, i dashur Helmut, të sugjerojmë të zgjedhësh pikëpamjen evropiane…

Shevardnadze: Mikhail Sergejeviç, ne nuk duhet të ngatërrohemi në çështjen e ribashkimit. Kjo nuk është puna jonë. Le t’i propozojnë gjermano-lindorët iniciativat e tyre. Dhe sa u përket trupave, ne duhet të negociojmë vetëm me SHBA. Unë jam kundër një institucioni në të cilin të përfaqësohen katër fuqitë fitimtare – kjo do të ngarkonte vendet e NATO-s.

Kriushkov: Ditët e SED janë të numëruara. Nuk është më një levë apo një pikë mbështetëse për ne. Populli ynë duhet të mësohet gradualisht me ribashkimin gjerman. Trupat tona në Gjermaninë Lindore janë një faktor në procesin e përgjithshëm evropian. Duhet të luajmë një rol aktiv në mbështetjen e miqve tanë – ish anëtarët e KGB dhe Ministrinë e Brendshme në Gjermaninë Lindore.

Jakovlev: Modrou duhet të inkorporohet në Partinë Social Demokrate dhe të udhëheqë krahun e saj në lindje. Do të ishte ide e mirë që Modrou të paraqiste një program ribashkimi pa paragjykime dhe të bazuar në realitetin. Në atë rast, ne do ta mbështesnim aktivisht, dhe do të kishim gjithashtu simpatinë e popullit gjerman. Mund të theksojmë se kemi qënë për ribashkimin që në vitin 1946. Dhe sa u takon kushteve – ato do të jenë demilitarizim dhe neutralizëm. Do të ketë rezistencë nga Anglia, Franca dhe vendet e evogla evropiane. Po vendosim gjithashtu SHBA në një situatë ku janë të detyruar të mendojnë. Dhe mund të ulemi vetë në majë të malit, e të shohim gjithë të tjerët që luftojnë.

Rizhkov: Duhet ta shohim këtë zhvillim për atë që është. I pandalshëm. Tani taktikat janë shumë të rëndësishme, sepse ne nuk mund ta ruajmë më Gjermaninë Lindore. Të gjithë barrierat tashmë janë hequr. Ekonomia është në kolaps. Institucionet qeveritare janë shpërbërë. Eshtë jorealiste të mendosh ruajtjen e Gjermanisë Lindore. Eshtë përqasje e gabuar vendosja e gjithckaje në duart e Kohlit. Nëse kjo ndodh, Gjermania do të nisë një Luftë të Tretë Botërore, pas 20 apo 30 vjetësh.

Gorbaçov: Nëse ne nuk e zotërojmë situatën, në një pikë do të humbasim sërish gjysmën e vendit tonë. Eshtë shumë e rëndësishme që të kuptojmë këtë gjë. Shoqëria është shumë e ideologjizuar, dhe për këtë arsye do të mbytemi nga proceset realë. Gjermania Lindore mbetet pika më e vështirë, pasi mund ta humbasim. Sugjerimi im është që të fitojmë kohë sa më shumë të jetë e mundur… Gjëja më e rëndësishme tani është të zgjatet procesi.

DOKUMENTI 2

“Përse të përkushtohemi?”

Mikhail Sergejeviç!

Kam mësuar që është sugjeruar t’i jepen Honekerit transkriptet e bisedimeve tuaja me Kohlin.

Mendimi im është se nuk duhet ta bëjmë këtë gjë. Së pari, do të krijohej një precedent. Së dyti, nuk është as përmbajtja që më shqetëson, ndonëse edhe në këtë drejtim nuk është e nevojshme që ai të ketë kujdes për cdo gjë, sidomos për atmosferën e bisedimeve. Honeker mund të nxjerrë disa konkluzione “ideologjike”, pa të cilat mund të bëjmë fare mirë (mosbesimin e tij kur flitet për “ortodoksinë”), por edhe konkluzione pragmatike (“Tani, edhe unë mund të ndërmarr një qëndrim më të guximshëm”). Dërgimi i një versioni të pashkurtuar është i rrezikshëm, pasi mund të ketë rrjedhje në Gjermaninë Perëndimore (gjë për të cilën, ne, sigurisht që s’jemi përgjegjës).

Dhe veç kësaj, ne përcaktojmë politikën tonë, e cila nuk është aspak e ngjashme me atë të Honekerit. Kjo është e dukshme kur mendon atë që i thamë Kohlit, dhe, ç’është më e rëndësishme, mënyrën si ia thamë.

Bondarenko do të shkojë sot në Berlin të takojë Honekerin. I thashë që t’i dërgojë të fala nga ana Juaj.

DOKUMENTI 3

“Duhet ta shkatërrojmë vetë Murin”

Kriushkov: Nesër, 500 000 njerëz do të dalin në sheshe në Berlin dhe qytete të tjerë…

Gorbaçov: A beson se Krenz mund të vetëpërmbahet? Do ta kem të pamundur të përmbajmë gjermano lindorët pa ndihmën e Gjermanisë Perëndimore.

Shevardnadze: Do të ishte më mirë ta shkatërronim ne vetë Murin.

Kryuchkov: Do të jetë shumë e vështirë për gjermano lindorët nëse e rrëzojmë ne.

Gorbaçov: Perëndimi nuk e do bashkimin e Gjermanive, por ai do që ta parandalojmë ne, me duart tona. Do që të na fusë në konfrontim me Gjermaninë Perëndimore – me qëllim që të përjashtojë mundësinë e një “komploti” mes BRSS dhe Gjermanisë. Ne do të veprojmë brenda një trekëndëshi, domethënë duke përfshirë Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore – dhe me sinqeritet të plotë.

DOKUMENTI 4

“Flasim hapur”

Shevardnadze: Eshtë e qartë se ne marshuam atje pa e patur fare idenë për psikologjinë e atij populli dhe situatën reale në vend. Dhe çdo gjë që ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë në Afganistan është e papajtueshme me moralin e vendit tonë.

Gromiko: Mos do të thotë kjo që e kishim gabim kur e pushtuam?

Shevardnadze: Edhe kjo. Qëndrimi ndaj nesh atje është shumë më negativ nga sa mund ta besojmë. Dhe për gjithë këtë ne shpenzojmë mbi 1 miliard dollarë në vit. Eshtë një goxha shumë, dhe dikush duhet të marrë përsipër përgjegjësinë.

Ryzhkov: Informacioni i mëhershëm nuk ka qenë objektiv.

Marshall Solokov: Situata ushtarake është përkeqësuar. Fitorja ushtarakisht e një lufte të tillë është e pamundur. Ushtria afgane na ka kushtuar tre miliardë rubla. Divizioni 40 humbi 1280 ushtarë në 1986.

Gorbaçov: Nuk ka kthim pas nga linja e re që po ndjekim. Kur marshuam në Afganistan, ishim të verbuar nga çështje ideologjike dhe besuam se mund të kapërcenim menjëherë tre faza: nga feudalizmi në socializëm. Tani mund të flasim hapur për situatën.

 

/Përgatiti E.Gjini-bota.al/

3 komente në “MINUTAT E KREMLINIT (II) / Mbledhja e fshehtë e Politbyrosë dhe rrëzimi i Murit te Berlinit”

  1. Ura e Bunës says:

    Dhe kuptohet jo me renia e Murit(Merkel e deklaroi se e rrezoi STAS) por dhe anijet ne brigjet shqiptare, heqjet me urdher të Alise se shtatoreve të Stalinit ( në Kucove u hoq diten ne dreke, ne Shkoder u provokua nga ish spiunet e burgjeve) dhe rrezimi i shtatores së Enverit! A beri mirë Alia? Natyrisht mori urdher, sepse ai mbante drejtimin politik të ish sigurimit me vendet e lindjes, dhe beri mirë! Ai projektoi Berishen dhe gaboi! Vuri nje budall ne PD kur duhej vendosur nje moderator dhe ne PS nje konservator, apo nje i persekutuar! Gabimi i Ramizit është Berisha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje