Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar dy marrëveshje, atë të heqjes së TSH-së dhe taksimit të dyfishtë. Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrat e Financave të dy vendeve Shkëlqim Cani dhe Besim Beqaj.
“Ne sot bëmë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e taksimit të dyfishtë, marrëveshje që ka qenë e nënshkruar më herët nga ana e UNMIK-ut në emër të Kosovës, kurse tani nënshkruhet mes të dy qeverive. Njëkohësisht kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për heqjen e TVSH-së për librat, revistat dhe materialet tjera që ndërlidhen me fushën e edukimit dhe shkencës”, tha ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj.
Ministri i Financave i Shqipërinë Shkëlqim Cani tha se ka diskutuar me homologun e tij edhe për çështje tjera, për të cilat theksoi se do të angazhohen bashkërisht, që të mos mbesin vetëm premtime.
“Kemi ngritur në të dy krahët grupe të përbashkëta, të cilët do të duhet që të ndërtojnë një strategji shumë të qartë dhe një program shumë të qartë kohor për detyrat për t’u realizuar brenda afateve”, tha Cani.
Të dy ministrat kanë diskutuar edhe për avancimin e procesit për krijimin e bazës për menaxhim të integruar të kufirit, kryesisht sa i përket krijimit të pikave të përbashkëta doganore dhe vjeljes së përbashkët të taksave. Njëkohësisht ata theksuan se do të angazhohen për heqjen e të gjitha barrierave dhe lehtësimin e qarkullimit tregtar dhe të bërit biznes. Kurse shoqatat e biznesit i nxitën të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, për adresimin e të gjitha shqetësimeve të afaristëve të të dyja vendeve.
Çështjet kryesore që trajtohen në marrëveshjen “Për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal”, sipas relacionit janë:
– Tatimet e përfshira, që janë tatimet mbi të ardhurat, që vihen nga ana e një shteti kontraktues apo autoriteteve të tyre vendore, pavarësisht nga mënyra e mbledhjes së tyre.
– Përcaktimi i rezidencës tatimore të tatimpaguesit (neni 4) ku jepen kriteret e përcaktimit të rezidencës (“banimit për efekt fiskal”) për individët dhe për personat juridikë.
– Përcaktimi i konceptit të “njësisë së përhershme” të biznesit që një individ apo një sipërmarrje e njërit shtet kontraktues ka në shtetin tjetër kontraktues (neni 5) dhe të ardhurat nga ky “filial i përhershëm” tatohen në shtetin ku ndodhet njësia e përhershme apo vendi fiks i biznesit.
– Përcaktimi i së drejtës së plotë tatimore të tatimit mbi të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme (qiratë, apo të ardhura të tjera) për shtetin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, pavarësisht nga rezidenca e tatimpaguesit apo pronarit. Dispozitat e nenit do të zbatohen gjithashtu ndaj të ardhurave nga pasuria e paluajtshme e një ndërmarrjeje dhe për të ardhurat nga pasuria e paluajtshme e përdorur për kryerjen e shërbimeve personale të pavarura.
– Trajtimi i të ardhurave nga transporti ndërkombëtar ku e drejta e plotë tatimore i jepet shtetit ku ka rezidencën shoqëria ajrore apo detare që ushtron biznesin e transportit ndërkombëtar.
– Një rol të rëndësishëm në marrëveshje ka lufta kundër të ashtuquajturit “transferim i çmimeve” ose transferimi i fitimit nëpërmjet ndryshimit të çmimeve. Në shumë raste kompanitë e të njëjtit grup multinacional (apo në përgjithësi personat e lidhur) bëjnë transferimin e fitimeve (nëpërmjet ndryshimit të çmimeve) në vende ku fitimet nuk tatohen apo tatohen me tarifa minimale. Në këtë rast, bazuar në dispozitat e nenit 9, nëse një shtet kontraktues përfshin në përfitimet e një ndërmarrjeje të atij shteti – dhe taton sipas tyre – fitimet për të cilat një ndërmarrje e shtetit tjetër kontraktues është tatuar në shtetin tjetër, dhe fitimet e përfshira janë fitime që do të ishin mbledhur nga ndërmarrja e shtetit të parë të përmendur, nëse kushtet e vëna ndërmjet dy ndërmarrjeve do të ishin ato që do t’u ishin vënë ndërmarrjeve të pavarura, atëherë shteti tjetër do të bëjë një rregullim të përshtatshëm për shumën e tatimit të vënë mbi këto fitime. Në përcaktimin e këtyre rregullimeve, dispozitat e tjera të kësaj marrëveshjeje do të konsiderohen në mënyrën e duhur dhe autoritetet kompetente të shteteve kontraktuese, nëse është e nevojshme, do të konsultojnë njëri-tjetrin.
– Shmangia e tatimit të dyfishtë për të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca (të ardhurat nga pronësia intelektuale – të drejtat e autorit, patentat), bëhet duke e ndarë të drejtën tatimore midis të dy vendeve, dhe konkretisht, vendi i burimit, pra vendi ku lindin këto të ardhura, ka të drejtë tatimore të kufizuar, ndërsa vendi i rezidencës (pra vendi ku është rezident individi apo kompania që i përfiton të ardhurat) krediton (redukton) tatimin e paguar në vendin tjetër kur llogarit detyrimin tatimor të tatimpaguesit.
– E drejta tatimore për tatimin e të ardhurave nga shitja e pronave të paluajtshme (neni 13) i takon vendit ku ndodhen këto prona të paluajtshme, pavarësisht nga rezidenca e tatimpaguesit.
– Të ardhurat nga shërbimet personale të pavarura, shërbimet profesionale që një rezident i një shteti kontraktues realizon në shtetin tjetër do të tatohen në shtetin e rezidencës së individit që realizon këto të ardhura, përveçse kur këto shërbime realizohen nëpërmjet një baze të qëndrueshme që ky individ ka në shtetin tjetër. Në një rast të tillë, të ardhurat që i atribuohen kësaj baze të qëndrueshme do të tatohen në shtetin ku ndodhet baza e qëndrueshme.
– E drejta për tatimin e kapitalit (përfshirë tatimin mbi pronën), kur ky kapital konsiston në pronë të paluajtshme, i takon shtetit kontraktues ku ndodhen këto prona.
vetem nje mashtrim asgje tjeter sigenjeni dot me shqiptaret as te kosoves as te shqipris