Shqipëria dhe Turqia do të institucionalizojnë marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet një Këshilli të Nivelit të Lartë, si instrument për të strukturuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si, politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, punët e brendshme, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia, energjia, mbrojtja e mjedisit, kultura, arsimi dhe shkenca.
Kjo u vendos sot gjatë takimit të zhvilluar në Ankara mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi me homologun turk Ahmed Davutoglu. Përtej sektorëve tradicionalë si, infrastruktura dhe energjia, dy homologët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe arsimit.
“Falënderova qeverinë turke, në emër të qeverisë shqiptare, për përpjekjet e dëshmuara në funksion të jetësimit të projektit TAP, si një projekt i një rëndësie strategjike, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe të gazit në Evropë dhe, mbi të gjitha, do t’i japë një kuptim më të madh paqes e stabilitetit rajonal, duke lidhur Kaspikun me Adriatikun”, u shpreh ministri Bushati.
Nga ana e tij, kreu i diplomacisë turke Davutoglu ofroi mbështetjen e pakursyer të Republikës së Turqisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë.
Ministri Bushati shprehu interesin e Qeverisë shqiptare për shtimin e investimeve turke në vendin tonë, në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe siguroi se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre.
Ministrat Bushati dhe Davutoglu vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe të gjitha projektet e përbashkëta ku, sot për sot, ushtria shqiptare është krahas ushtrisë turke. Ata nënvizuan se të dyja vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje me ndjeshmëri rajonale, sikundër është përfshirja e Kosovës në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, nën dritën dhe frymën e marrëveshjes së Brukselit, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së.
Gjatë takimit u shpreh pikëpamja e Qeverisë shqiptare që presidenca e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP), që do të mbahet nga Shqipëria duke filluar nga qershori i këtij viti, do të punojë për konsolidimin e gjithë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të gjitha vendeve të rajonit në një tryezë.
Palët biseduan gjithashtu mbi rolin, kontributin dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Turqi, atij të hershëm por edhe të ri, si dëshmi e lidhjes tradicionale mes dy vendeve tona.
Në vijim të vizitës që po zhvillon në Turqi, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u prit nga Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdoğan. Gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ministri Bushati dhe Kryeministri Erdogan ranë dakord për zbatimin e projekteve konkrete në fushat e infrastrukturës, bujqësisë dhe turizmit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike.
Ministri Bushati informoi Kryeministrin Erdoğan për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe parashtroi pikëpamjet e Qeverisë shqiptare për nxitjen e projekteve strategjike në rajon, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar. Kryeministri Erdoğan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon.
Gjithashtu, ai shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë në një moment shumë të afërt.