Kunati fsheh ftesën e Doktorit për tek festa e SHBA

2 Korrik 2014, 21:46Antena TEMA

Më në fund Kunatit i shkoi mendja të bënte një gjë të poshtër kundër Doktorit. Postieri solli ftesën tek SHQUP. Vinte nga ambasada e SHBA për Doktorin dhe Lulin. Kunati hapi ftesën e Lulit dhe pa që ishte fjala për pritjen e ambasadës.

Atëherë i shkoi mendja që e njëta ishte dhe për Doktorin. E hapi, e verifikoi dhe ishin njësoj. E mori ftesën dhe e futi në sirtar të zyrës së tij dhe nuk bëri fjalë.

Kaluan ditë dhe kujtohet sekretarja e Doktorit dhe pyet a e ka marrë gjë ftesën e Doktorit nga SHBA?

-Nuk e di, i tha Kunati. Me sa di unë, ambasada e dërgon ftesën për Doktorin tek zyra e tij private, jo në PD.

-Jo, jo, i tha sekretarja. Gjithë ambasadat na i dërgojnë ftesat këtu tek kulla e Bashkimit, kurse ambasadori amerikan, ai maskarai e dërgon në PD, se do t’i dalë fjala që ka thënë se Doktori është kryetari i vërtetë i PD.

-Nuk e di, po nuk ka ardhur këtu, tha Kunati. Pyet një herë në parlament.

Më pas sekretarja pyeti në parlament.

-Nuk e di, i tha punonjësja e parlamentit. Duhet të jenë në grup parlamentar, nëse ka ardhur.

Pas kësaj, sekretarja pyeti Palokën.

-A ka ardhur ftesë për Doktorin nga ambasada amerikane?

-Edhe sikur të ketë ardhur, Doktori nuk shkon. Sa të jetë ai ambasador, nuk shkelim aty, tha.

-Këtë e di Doktori, tha sekretarja, po unë të pyeta për ftesën.

Paloka u hutua pak.

-Po mua ç’më duhet që flas, tha me vete.

Më në fund sekretarja e Doktorit mori prapë Kunatin.

-Pyeta gjithandej, tha, nuk ka ardhur. Duhet të jetë tek selia e SHQUP.

Kunati u vu në siklet dhe shkoi në zyrë të Lulit.

-Ç’do bësh ti, i tha, do shkosh tek ambasada amerikane.

-Do shkoj, i tha Luli.

-Po Doktori do jetë, i tha Kunati.

-Nuk e di, siklet të madh e kam, tha Luli, se ai tani më ngjitet mua në pritje dhe nuk më ndahet se nuk i flet njeri me gojë. Ka bezdi të madhe, sidomos kur shikon këta të Klanit që bëjnë muhabet me Ramën dhe bëjnë sikur nuk e shikojnë. Siklet e kam.

-E kam zgjidhur unë, tha Kunati. Ja grisa ftesën, por ti nuk di gjë. Kështu kemi dy shanse. E para, ai do egërsohet pse nuk e kanë ftuar dhe do shajë Arvizunë. Kjo do ta thellojë armiqësinë. E dyta, ti do jesh atje vetëm dhe do kesh gjithë vëmendjen.

Luli u zverdh në fytyrë.

-Këto s’janë asgjë, tha. Po sikur ta marrë vesh që ia kemi grisur ftesën, na nxjerr nga godina.

-S’ka si ta marrë vesh, i tha Kunati. E kam grisur dhe djegur. Nuk gjenden gjurmë.

-Mirë, tha Luli. Po unë s’di gjë, s’më ke thënë gjë.

Pasoi një heshtje.

-Mos bie në sy keq po vajta unë, tha Luli, pa Doktorin. Do thonë këta i bën karshillëk.

-Mos ça kokë, i tha Kunati. Rëndësi ka që ai ta ndjejë që nuk është më kryetar, të tjerat rregullohen.

2 komente në “Kunati fsheh ftesën e Doktorit për tek festa e SHBA”

  1. x-men says:

    Incident shume i rende…

  2. Davidi says:

    Na merr ndonjehere malli dhe per Mulin o Mero.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje