Kunati harton rezolutën për ndarjen administrative

4 Korrik 2014, 21:23Antena TEMA

Një problem serioz ka Kunati këtë verë, derisa të mbyllet Kuvendi. Reforma territoriale, e cila është duke u bërë nga qeveria, i ka ngelur si dopio- gjashtë në dorë. Doktori ka kohë që nuk konsultohet me Kunatin dhe ky i fundit nuk di çfarë mendon tamam Doktori për këtë çështje. Luli ka të njëjtin problem. Ndërkombëtarët nga ana tjetër e çmendën, thonë që duhet të merrni pjesë.

E diskutuan gjatë me Lulin se çfarë qëndrimi të mbanin dhe ranë dakord të bëjnë një rezolutë ku të mos kuptohet çfarë duan.

I vetmi person që mund t’i ndihmonte për këtë, ishte Grigja. Kështu bënë dhe i hynë punës.

Kunati i kërkoi Grigjës një tekst me dy paragrafe.

Kërkesat konkrete ishin këto.

Teksti të duket sikur kërkon reformë territoriale.

Teksti të pohojë që nuk ka nevojë për këtë reformë territoriale.

Teksti të duket sikur është dakord që duhet ndarje e re administrative.

Teksti të lërë të kuptojë se kjo ndarje nuk ka rëndësi.

Teksti të pohojë që duhet të forcohet pavarësia e pushtetit vendor.

Teksti të lërë të kuptohet se kjo pavarësi nuk ka shumë mundësi të bëhet me këtë reformë.

Teksti të lërë të kuptohet që PD ka qenë qysh në fillim dakord me dialogun.

Teksti të lërë të kuptohet që PD nuk ka për të qenë dakord me versionin e qeverisë për këtë gjë.

Teksti të lërë të kuptohet se për këtë reformë duhet pyetur çdo fshat.

Teksti të lërë të kuptohet se me fshatarët nuk merresh vesh.

Teksti të lërë të kuptohet se PD është pro qëndrimit të ndërkombëtarëve për konsensus.

Teksti të lërë të kuptohet se konsensusin nuk mund ta japin derisa PS ka shumicën e votave.

Kunati ia vuri këto kërkesa përpara Grigjës. Kjo e fundit i hodhi një sy dhe i hyri punës. Pas 5 minutash i dërëzoi rezolutën:

“Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, që është një nga aktet më konsistente që lidhin perceptimin e qytetarit me reformën dhe të drejtën e qeverisjes. Kjo ka të bëjë me filozofinë e shërbimit sa më pranë qytetarit, si një detyrim permanent që injektohet nga diskordanca e krijuar mes tij dhe shtetit. Po ashtu duhet vënë theksi mes partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit, të cilat janë gjithsesi një nga dimensionet më insistente që nëse nuk respektohen, devalvojnë jo vetëm aparencën, por dhe performancën e këtij ndërveprimi.

Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë, dhe këtu duhet patur parasysh dhe iluminimi i pjesës jo fort urbane, që në koshiencën e tyre të gardhëzuar kanë modele feudo abstrakte të qeverisjes. Kjo kategori duhet ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse, të cilat mund të lënë shumë nëse rriten në raport me gjendjen ekzistuese, pro dhe nëse zvogëlohen.

Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale, dhe miratimi i saj, të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë dhe këtu kemi parasysh jo vetë inspirimin që vjen nga fuqi e kartonave, por dhe koshiencën e të qenit i barabartë në rrugë ndërinstitucionale, që nënkupton dëgjueshmërinë absolute të pakicës si vlerë konsistente e demokracisë.

Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtu kemi parasysh jo vetëm ata që inspirohen nga kritere etnike apo etnofolklorike, por dhe nga gjeografia elektorale, e cila është një nënshtresë e inkoshiencës poltike që administron vendimmarrjen në shumicën që përpiqet të imponohet”.

Kunati e lexoi me vëmendje dhe u kënaq.

-Tani na marr të keqen dhe Doktori, dhe Rama, tha. Po ua mbajti, le ta gjejnë çfarë duam.

3 komente në “Kunati harton rezolutën për ndarjen administrative”

  1. LORA says:

    Kjo eshte ANTENA me brilante qe kam lexuar,deri me sot.
    Ky eshte thelbi 23-vjecar i nahijes brekedhjere,,,,ruga e asgjekundit dhe e hic-asgjese,per shqiptaret dhe Shqiperine,,,,,,,,kurse per veten e tyre eshte dhe mbetet rruga e krim-kuserimit te gjithe qytetareve dhe mbare shtetit.
    Falnderim te thelle per z.Baze;eshte duke i bere sherbime shume te vyera vendit dhe njerezve.

  2. Davidi says:

    Bravo Grida ej.

  3. Alban.ny says:

    Mero,I’m sorry, po duket ke qene i dobet ne anglisht. Ju duhet ta shkruani sakte emrin e personazhit tuaj,ne kete rast Greed(a), si e pangopur,me pushtet, fame, etc. Por gabimin me te madh e ke ne shkruajtjen e emrit te Ed Halimit, i cili ne anglisht shkon per Ed Hale Mi, jo se ka te beje me minjte e haleve, po edhe se zbatohet ne praktike ideja gjeniale e Doktorit per kinezcen.
    Me te tjerat je ne rregull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje