Ligji për KLD miratohet në Komisionin e Ligjeve/ Majko: Po keqfunksionon. Fino: S’mund të presim pafund (VIDEO)

16 Korrik 2014, 11:34Sociale TEMA

Komisioni i Ligjeve miratoi paketën ligjore për KLD të propozuar nga Qeveria, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm.

Pjesë e paketës ligjore është edhe p/ligji për organizimin e KLD-së, i cili ka ngjallur debate mes mazhorancës, opozitës dhe institucionit.

Por sipas deputetëve socialist, ndërmarrja e një hapi të tillë për të kthyer në ligj rregulloren e organizimit dhe funksionimit të KLD është e domosdoshme në kushtet kur ky këshill shkell rregullat. Madje, për ligjvënësit socialist KLD nuk kryen me transparencë as emërimet e gjyqtarëve.

Gjatë diskutimit të draftit ligjor, deputeti Pandeli Majko shprehu të nevojshme miratimin e një ligji të ri për KLD duke e argumentuar këtë qëndrim me faktin se “kur KLD është qeveria e sistemit të drejtësisë dhe kur ajo nuk respekton rregulloren e vet, ne ngremë shumë pikëpyetje se nuk ka transparencë në emërimin e gjyqtarëve.”

Majko shpjegoi se në ligjin e ri përcaktohet se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti dhe nga konferenca gjyqësore, shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën. Në vijim Majko tha se është e nevojshme që disa rregulla duhet t’I normojmë dhe shpresoj se pas këtij vendimi gjërat të mirëfunksionojnë.

“Ka debate se kjo është ndërhyrje politike, por si mund të pranohet shkelja e ligjit dhe Kushtetutës?!  Ne sanksionojmë me ligj që anëtarët e KLD të mos promovojnë vetveten. Një problem tjetër është inspektoriati i KLD-së. Kemi caktuar një varg normash, që rregullojnë marrëdhënien e Inspektoriatit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu në ligj përcaktojmë se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti dhe nga Konferenca Gjyqësore, shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën”, theksoi Majko.

Deputeti Armando Subashi ndërsa shprehu mbështetjen për nismën e paraqitur, tha se duhet të shtojmë dhe disa elementë në këtë ligj.

“Si relator, në diskutimin nen për nen, kam disa propozime”, theksoi Subashi.

Po ashtu, ai vuri në dukje se “më kanë ardhur disa emaile ku shumë gjyqtarë denoncojnë funksionim dhe organizimin e KLD-së, se ka gjyqtarë brenda sistemit që janë të pakorruptuar dhe nuk pajtohen me praktikat e ndjekura nga KLD-ja. Është për të ardhur keq që vetë KLD-ja ka miratuar me konsesus një rregullore për të mbushur boshllëqet në ligj dhe nuk i ka zbatuar. Ndaj ne vendosëm që rregullat t’i ngremë më lart, duke i sanksionuar në ligj.”

Deputeti i PDK-së Nard Ndoka i cilësoi ndryshimet e propozuara si cënuese për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa shtoi se për këtë cështje duhet të zhvillohen debate më të gjerë.

Por deputeti socialist Bashkim Fino, duke mos shprehur dakordësinë me kreun demokristian, tha se “ne kemi bërë vetëm diçka: Nga rregullore e kemi kthyer në ligj. Pse duhet të trembet opozita. Ne nuk i kemi thënë opozitës mos hajde në punimet e Kuvendit, jemi në punë, jemi në komision, të vijnë dhe të flasin kur të duan. Për shkak të eksperiencës sime në Komisionin e Reformës Territoriale, i pritëm pafund dhe nuk erdhën. Ne nuk mund të presim pa fund, jemi mandatuar për të punuar. Madje po bëjmë shumë pak, se duhet të bëjmë akoma më shumë për atë institucion, për KLD-në, që merr kritika të vazhdueshme dhe duhet ta rregullojmë. Nuk kemi asnjë interes personal.”

Përmbajtja e projektligjit

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, i ndryshuar” përmban 9 nene.

Nëpërmjet nenit 1, të projektligjit propozohet shtimi i pikës 1.1, pas pikës 1 të nenit 6, të ligjit nr. 8811, datë 18.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, propozim i cili, vjen si nevojë e frenimit të fenomenit të promovimit të vetvetes nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.  Pika 1 e nenit 6 të ligji, parashikon se anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Ndërkohë, në praktikë vihet re tendenca e anëtarëve të KLD-së, për të dhënë  dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor, në sajë të shfrytëzimit të lidhjeve të krijuara me njëri-tjetrin. Për shmangien e këtij fenomeni abuziv, në pikën 1.1 është parashikuar se nëse anëtari i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5- vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së parashikuar në paragrafin 1, të nenit 6, të ligjit.

Në nenin 2, të projektligjit parashikohet shtimi i shkronjave “f” dhe “g”,  pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 7, “Mbarimi i mandatit”. Konkretisht, këto dispozita parshikojnë:  Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.  Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.” Ky parashikim bëhet me synim shprehjen në mënyrë eksplicite se shkelja e Kushtetutës dhe ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi apo nga KGJK-ja, përbën shkak për mbarimin e mandatit të tyre, duke shmangur kështu shkeljet abuzive.

Në nenin 3, të projektligjit, parashikohet shfuqizimi i pikës 2, të nenit 10, të ligjit, e cila aktualisht parashikon se kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Neni 4, i projektligjit parashikon një përmirësim të përmbajtjes së nenit 14, të ligjit aktual “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nëpërmjet shtimit të dy paragrafëve, me përmbajtje si më poshtë:

“6. Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

7. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.” Duke mbajtur në konsideratë detyrat e rëndësishme të ngarkuara nga ligji Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me performancën e gjyqtarëve, ku vlerësimi bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së, është e domosdoshme që për këta të fundit, të kryhet vlerësimi profesional dhe etik sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga KLD-ja. Gjithashtu, në funksion të sa më sipër, është parashikuar paraqitja e një raportimi vjetor, para KLD-së, mbi veprimtarinë e tij të vitit paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës së inspektoriatit. Ky parashikim është bërë me qëllim, rritjen e performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së Inspektoriatit si dhe kontrollin e rezultateve të punës së tyre.

Në nenin 5, të projektligjit parashikohet se në rastet kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranon kërkesën e paraqitur nga prokurori, vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra deri në përfundimin e procedimit penal.  Ndryshimet propozohen me qëllim përputhshmërinë e ligjit aktual me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe Kodit të Procedurës Penale mbi imunitetin e gjyqtarëve, i cili shpesh bëhet pengesë për hetim të shpejtë dhe më efiçient të veprimeve korruptive nga ana e gjyqtarëve.

Nënenin 6, të projektligjit  parashikohet se, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, ky i fundit mund të propozojë një masë disiplinore me të lehtë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon edhe propozimin e dytë për masë disiplinore më të lehtë, shqyrtimi i procedimit disiplinor mbyllet dhe vendimi i njoftohet gjyqtarit të proceduar disiplinarisht. Parashikimi i mësipërm, aktualisht ekziston në Rregulloren për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, të miratuar me Vendimin nr. 137, datë 21.02.2003 të KLD-së, i ndryshuar. Është parë e arsyeshme që ky parashikim të sanksionohet në ligj.

Në nenin 7, të projektligjit, parashikohet mënyra e mbajtjes së procesverbalit, të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, elementët dhe miratimi i tij. Ky ndryshim, vjen si rrjedhojë e përshtatjes së dizpozitës ekzistuese me ligjin nr.8480, datë 27.05.1999,  “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

Në nenin 8, të projektligjit parashikohet se shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ndryshim propozohet me qëllim, shmangien e zvarritjes dhe shqyrtimin e procedimit disiplinor brenda një afati të përcaktuar.

Neni 9 parashikon hyrjen në fuqi të projektligjit.

7 komente në “Ligji për KLD miratohet në Komisionin e Ligjeve/ Majko: Po keqfunksionon. Fino: S’mund të presim pafund (VIDEO)”

  1. lisi says:

    Shyqyr ,me ne fund u bete burra.

    1. jani says:

      po keshtu duhet ,pa ngurim e guxim, ndryshe nuk ecen perpara

      1. Prec Ulaj says:

        Sot mora vesh qe ne KLD qenka vellai i Arben Brocit, Heroit te VERTETE te Demokracise.
        E theksoj te vertete, sepse ka majmune sa te duash, hajdute, kriminele qe u quajten “Heronj”.
        Une dua ti them nje fjale vellait te Arben Brocit: Vellai jot nuk e dha gjakun per te mbrojtur ti Kriminelet, Familjen Berisha, Injorancen, Hajduterine.

        Mblidh mendjen, se po njollos gjakun e vellait me kete sjellje ne KLD.

        1. jar_kingu_president says:

          ….po XHINXHONIN???????

  2. Miranda says:

    reforme urgjente

  3. zambi says:

    Me ne fund dicka konkrete. Deri tani vetem bertitej gjyqesori i korruptuar pa bere asnje propozim per nderhyrje apo se si do permiresohej situata. Do ishte mire te ishte bere nje diskutim publik per ndryshimet, ne menyre qe te kishte me shume transparence, por gjithsesi te pakten po behet nje ndryshim konkret.

  4. gjyqi says:

    psekryeinspektori nuk emerohet nga kryeministri vlersimi te behet nga dy drejtime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje