Skënderbeu e nis aty ku e la, 1-0 me Elbasanin

23 Gusht 2014, 20:54Sport TEMA

Kampionët e Shqipërisë mundën 1-0 Elbasanin në “Qemal Stafa” në ndeshjen hapëse të edicionit të 76-të te Kategorise Superiore.

 

Skënderbeu e nisi me fitore Superioren. Kampionët e Shqipërisë mundën 1-0 Elbasanin në “Qemal Stafa” në ndeshjen hapëse të edicionit të 76-të falë një goli të Sefës, që shënoi golin e parë të kampionatit. Korcarët arritën të marrin maksumimin falë përvojës së tyre ndaj një Elbasani që shfaqi shumë dëshirë por që gaboi disa mundësi të mira, të cilat mund t’i kishin dhuruar një tjetër përfundim kësaj sfide. Ndeshja që hapte Kategorinë Superiore nisi me një ceremoni të organizuar nga FSHF, ku më shumë se 100 fëmijë të veshur me fanellat e 10 skuadrave pjesmarrëse dhuruan një shfaqje të thjeshtë koreografike përpara se dy skuadrat të këndonin dhe “Himnin e Flamurit”. Në momentin kur u shkelmua topi i parë fjalën e mori loja me dy skuadrat që u përpoqën të orientoheshin menjëherë drejt sulmit. Elbasani, që kërkon të jetë më shumë se një skuadër që lufton për mbijetesë u përpoq të ngacmonte kampionët me një goditje me Cotës në minutën e tetë që përfundoi ngjitur me shtyllën. Atë që nuk bëri Cota e bëri në krahun tjetër Sefa, që shfrytëzoi një harkim të Berishës dhe pas një kontrollin të mirë shënoi golin e parë të këtij kampionati.

Epërsia në shifra i dha Skënderbeut qetësinë e nevojshme duke ulur ritmin e Elbasanit që e pati të vështirë të reagonte, aq sa pati pak momente të rrezikshme në pjesën e parë. File karikoi të tijtë në pushim me Elbasanin që u pa dukshëm më agresiv, aq sa që në fillim fitoi goditjen e tij të parë të këndit në këtë ndeshje. Në të 50-tën, Rodriguez, një lojtar që duhet patur nën vëzhgim këtë kampionat bëri një lëvizje të shkëlqyer duke shërbyer Cotën por aksioni u ndal për pozicion jashtë loje, i cili ja vlen të rishikohet. Ishin minuta më të mira për verdheblutë që në minutën e 60-të, sërish ju afruan golit më Cotën që për cështje centimetrash nuk e depozitoi topin në rrjetë.

Dy minuta më pas mundësia i erdhi dhe Rodriguezit por Shehi tregoi cilësitë e tij. Skënderbeu e kuptoi që nuk mund të lejonte Elbasanin të merrte më shumë iniciativën dhe u përpoq të ulte ritmin duke provuar ndonjëherë të arrinte te goli dhe me goditje nga jashtë zone. Minutat e mbetura ishin një menaxhim i mirë i korcarëve që e nisin me këmbën e mbarë kampionatin në kërkim të titullit të pestë radhazi.

Josa: Rezultati ok, loja nuk më kënaq

Fillim i mirë për kampionatin, por Josa kërkon të analizojë më shumë gabimet që mund të shërbejnë si mësim..

Një gol i mjaftoi Skënderbeut për të marrë tre pikët. Fillim i mirë për kampionatin, por Josa kërkon të analizojë më shumë gabimet që mund të shërbejnë si mësim për të ardhmen duke theksuar se të tijtë duhet të ishin treguar më të saktë përpara portës për të mbyllur ndeshjen

“Ne vrapuam shumë më tepër, u përpoqëm të krijonim shumë më tepër por duhet të ishim më të qartë. Pas golit të avantazhit duhet të ishim më këmbëngulës dhe të shënonim golin e dytë, i cili nuk erdhi për mungesë përqëndrimi dhe aftësie. Për këtë ndeshje i jap notën 6 skuadrës.”

Elbasani bëri një ndeshje të mirë dhe luajti si i barabartë me Skënderbeun këtë e pranoi dhe trajneri File që shprehu keqardhje për rezultatin por jo për lojën

“Fati ynë i keq që në start të përballeshim me ekipin kampion dhe me një ekip që dominon prej vitesh. Gjithsesi nuk është se paraqitja jonë ishte e dobët, patëm rastet tona për të shënuar por sigurisht që kishim disa mungesa.”

Në javën e dytë Elbasani do të luajë në transfertë me Kukësin ndërsa Skënderbeu do të presë Lacin./SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje