Fillimi i mirë është gjysma e punës, një shprehje e urte popullore të cilën trajneri i Skënderbeut Mirel Josa e di shumë mirë se cfarë do të thotë. Triumfi në Superkupë ndaj Flamurtarit është diçka e kaluar, dhe prozhektorët e kampionëve kthehen nga starti i kampionatit ku përballë do të ketë Elbasanin. Timonieri i korcarëve kërkon që skuadra të harrojë sa më parë sfidën ndaj Flamurtarit dhe të përqendrohet tek 90 minutëshi i kampionatit pasi në lojë janë 3 pikë shumë të rëndësishme: “Jemi gati për të filluar kampionatin, këtë e treguam edhe në finalen e superkupës por nuk duhet të qëndrojmë aty. Është ndeshje me vlerë tre pikësh për të marrë direkt kreun.”
Përballë është skuadra kampione e kategorisë së parë edicionin e kaluar Elbasani, një kundërshtar që në përbërje ka emra të cilët kanë bërë historinë në elitën e futbollit shqiptar. Josa kërkon përqendrim dhe vlerësim maksimal për kundërshtarin: “Nuk dua të dëgjoj për nënvlerësim, asnjë ekip nuk nënvlerësohet. Skuadrat e tjera duan të tregojnë veten ndaj nesh, pasi duan të mposhtin kampionët.”
Rikthimi i Lilajt bën që kartat të përzihen, me formacionin që mund të pësojë ndryshime. Për Josën enigmat do të zgjidhen vetëm përpara sfidës së Qemal Stafës: “Formacionin e vendosim përpara ndeshjes por sdo të ketë ndryshim të madh”.