Dani Alvesh ka vendosur të qëndrojë te Barcelona. Këtë fakt e konfirmoi vetë mbrojtësi brazilian, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se edhe pse në këto muajt e fundit i ka munguar mbështetja e klubit, ai nuk mund ta linte Barçën në këtë moment delikat që po kalon skuadra: “Kam vendosur të qëndroj këtu te Barça. Do të vijë dita që do të më duhet të largohem, por kur diçka e tillë të ndodhë dua që të gjithë këtu të thonë se kanë pasur në ekip për shumë vite një profesionist të madh. Nëse do të largohesha tani është e sigurt se askush nuk do ta thoshte diçka të tillë për mua, madje do të shpreheshin edhe se problemet që po has klubi janë totalisht faji im. Vendosa të qëndroj këtu pasi dua të marr mbi shpatulla të gjitha përgjegjësitë e mia”.
I pyetur nëse do ta respektojë kontratën që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2016, Alvesh u përgjigj në këtë mënyrë: “Jetoj vit pas viti. Kur e ardhmja ime këtu ishte në dyshim unë ua bëra të qartë të gjithëve se përpara se të merrja një vendim duhej të flisja me trajnerin e ri. Kësaj pyetjeje nuk mund ti përgjigjem tani pasi është shumë herët për të thënë nëse do të qëndroj te Barça deri në 2016”.
Në fund Alvesh foli edhe për trajnerin, për rivalët e Realit të Madridit, si dhe për sezonin e shkuar që për Barçën u mbyll pa asnjë trofe të fituar: “Luis Enrike më foli qartë që në ditën time të parë këtu pas rikthimit nga pushimet. Me të kam një marrëdhënie të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Reali i Madridit? Ka të gjithë respektin tonë por nuk është një ekip që të fut frikën. Na duhet të rivalizojmë me ta gjatë gjithë sezonit. Përsa i përket sezonit të kaluar dua të them se nuk dhuruam një paraqitje aspak të mirë dhe nuk meritonim të fitonim asnjë trofe. Do të ishte një padrejtësi nëse do të kishim arritur të fitonim titullin kampion të La Ligës, në dëm të Atletikos. Gjithsesi për ato që ndodhën sezonin e shkuar dua t’ju them që Tata Martino nuk kishte aspak faj. Përgjegjësitë duhet ti marrim të gjitha ne futbollistët që nuk i bëmë gjërat mirë”.