Junajtid, Van Gal kërkon të blejë

23 Gusht 2014, 20:31Sport TEMA

Edhe njëherë, Luis van Gal shprehet qartë se dera e Mançester Junajtidit është e hapur për përforcime të tjera. Sezoni i ri për “Djajtë e Kuq” nisi me disfatën 1-2 në shtëpi ndaj Suonsit dhe pavarësisht disa blerjeve, trajneri holandez nuk është ende i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion: “Duhet patjetër të blesh që të përmirësosh skuadrën. Ja pse doja që Roho të vinte te Junajtidi. Ai mund të luajë në dy pozicione dhe deri tani ka treguar se kemi bërë një zgjedhje të mirë. Gjithsesi kemi nevojë për të tjerë lojtarë. Ka ende kohë deri në fund të merkatos dhe nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë”.

Angel Di Maria është emri më i lakuar për merkaton e gjigantëve të Mançesterit, të cilët me Realin mund të bien dakord për blerjen e argjentinasit për rreth 60 milionë euro. Sidoqoftë, Van Gal preferon që lojtarëve të tij t’u japë një shans përpara se të investojë: “Nuk besoj se është e drejtë që unë të vij në këtë skuadër dhe më pas t’i largoj të gjithë lojtarët. Mendoj se rruga e duhur do të ishte që të gjithë ta kenë një mundësi dhe pastaj duke i gjykuar, mund të arrihet në përfundime”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje