Sinjali i parë erdhi të premten, kur Angel Di Maria nuk u grumbullua fare për finalen e kthimit të Superkupës së Spanjës ndaj Atletikos.
I dyti dje në mëngjes, kur argjentinasi nuk doli në stërvitje me tashmë ish-shokët e tij të skuadrës te Reali i Madridit. Në drekë erdhi konfirmimi gjatë konferencës për shtyp të Karlo Ançelotit në prag të ndeshjes të La Ligës kundër Kordobës (sot në orën 20:00 në “Santiago Bernebeu”.
“Di Maria nuk është stërvitur pasi marrëveshja për shitjen e tij është arritur”.
Pra përpara komunikatave zyrtare nga Reali i Madridit dhe Mançester Junajtidi, ishte tekniku italian i kampionëve të Europës që zyrtarizoi kalimin e argjentinasit në Premier Ligë.
KEDIRA… – “Nuk është ende zyrtare, por mund t’iu them se Di Maria nuk punoi me ne pasi shitja e tij është mbyllur. Angeli erdhi në qendrën stërvitore për të përshëndetur stafin dhe të gjithë shokët. I urojmë fat dhe suksese në aventurën e tij të re”, theksoi Ançeloti. Më pas italiani foli për Realin: “Me blerjet e Krosit dhe Hamez Rodrigezit Reali është më i fortë se vitin e kaluar. Kedira? Pozicioni im dhe i klubit është i qartë, duam që lojtari të qendrojë me ne”.
SHIFRAT – Pra në javën e fundit të merkatos se verës Mançester Junajtidi realizoi goditjen që synonte prej qershorit. Drejtuesit kënaqën Van Galin, i cili kërkonte një lojtar të nivelit më të lartë për mesfushën. Një blerje absolutisht e jashtëzakonshme që do t’i kushtojë Junajtidit 70 milionë euro (rekord për blerje nga një klub anglez, i mpërshmi ishte Torres nga Liverpuli te Çelsi për 58 milionë euro). Di Maria do të përfitojë 8 milionë euro në sezon. Dhe do ta marrë fanellën me numër 7, atë të Xhorxh Bestit, Erik Kantonasë, Dejvid Bekamit e Kristiano Ronaldos.